Kodiku i Korçës 93 është pjesë e koleksionit prej 100 dorëshkrimesh bizantine dhe pasbizantine që sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës në Shqipëri. Kodiku i përket shek. X, është i shkruar në formë kryqi, një dukuri mjaft e rrallë në traditën e dorëshkrimeve bizantine dhe përbën një nga shembujt më të vjetër të kësaj kategoria në rang botëror. Shkrimi i përket tipit Bouletée, një shkrim germëvogël i rrumbullakët, i një mjeshtërie të shkëlqyer kaligrafike. Bazuar në karakteristikat paleografike dhe kodikologjike, vendi i kopjimit rezulton të kenë qenë punishtet librëshkruese të Kostandinopojës, ndërsa vendi i përdorimit të tij, Mitropolia e Korçës, thesar i çmuar i së cilës pati qenë për shumë shekuj.
    Me kontributin e Shoqërisë Biblike Ndërkofesionale të Shqipërisë, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, u bë i mundur realizimi i botimit faksimile i këtij kodiku fort të rëndësishëm. Kopja faksimile shoqërohet nga një studim shterues i kodikut si edhe nga transkriptimi paleografik i Ungjillit sipas Lukës dhe përkthimi gjegjës në shqip. Tirazhi prej 1.300 kopjesh tregon qartë se synimi ka qenë që ky botim të gjejë vend jo thjesht mes një rrethi të ngushtë e drejtpërdrejt të interesuar, por që një publik edhe më i gjerë të informohet e t’i shijojë vlerat e kodikut. Dy autorët që punuan për studimin dhe përgatitjen cilësore të këtij botimi janë historiani-paleografi z. Andi Rëmbeci nga Fakulteti i Historisë i Universitetit të Tiranës, dhe paleografi z. Sokol Çunga nga Arkivi Qendror Shtetëror. Përkujdesja shkencore u krye prej profesorit fort të nderuar z. Agamemnon Celikas, një personalitet i shquar i paleografisë bizantine në rang botëror.
    Ia vlen të shënohet fakti se një botim faksimile i këtij lloji është i pari në historinë e botimeve dokumentare në Shqipëri, përgatitur me bashkëpunimin e institucioneve vendase. Fusha e botimeve të burimeve historike është pak e lëvruar në Shqipëri, qoftë për shkak të së kaluarës së izoluar, qoftë për shkak të mungesës së përvojës dhe mundësive. Botimi i këtij kodiku, si një prej më përfaqësuesve në rang botëror të asaj veprimtarie intelektuale të spikatur gjatë njërës prej periudhave më të lulëzuara kulturore të Bizantit, veç rëndësisë së vet shkencore, vjen të shërbejë si një kontribut në promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Andi Rëmbeci