E diela pasdite e 6 marsit i mblodhi besimtarët e shumtë orthodhoksë nëpër kishat e enorive të tyre, për të ndjekur shërbesën e Mbrëmësores së Faljes. Kjo është një ndër shërbesat më të bukura dhe mbresëlënëse, pak orë para fillimi të Kreshmës së Madhe. Një ndër traditat më të vyera që prej vitesh është praktikuar edhe në kishat e enorive tona është krjimi i atmosferës së faljes ku klerikët dhe besimtarët i kërkojnë ndjesë njëri-tjetrit dhe urojnë për Kreshmë të mbarë që Pashka e Madhe t’i gjejë të ripërtërirë më Krishtin. Në heshtje dhe të vendosur në radhë, njëri pas tjetrit të pranishmit i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit në shenjë solidariteti dhe bashkimi në përpjekje e madhe shpirtëtore të kësaj periudhe. 
    I pranishëm në Katedralen e Tiranës, Kryepiskopi iu tha besimtarëve se e gjithë kjo periudhë e kreshmës na mëson dhe na kujton se njeriu duhet të ketë vetëvendosje dhe forcë për të përballuar pasionet e tij. Kreshma ushtron vullnetin dhe lufton pasionet. Prandaj le të përpiqemi gjithësecili sipas mundësisë së tij të bëjë një sakrificë për shpëtimin e tij.
KRESHMË TË MBARA DHE TË LEHTA!
Isidor Koti