Atmosfera e Pashkës filloi të ndihej më intensivisht që nga e Diela e Dafinave, ditë e cila shënon mbylljen e periudhës së Kreshmës së Madhe dhe fillimin e Javës së Madhe të pësimeve shpëtimtare.
    Kjo atmosferë në qytetin e Korçës shprehej jo vetëm në zbukurimin e objekteve të kultit, por edhe në intensitetin e lutjeve dhe shërbesave kishtare. Banderolat me urime paskale në rrugët e qytetit demonstronin një klimë festive. Shërbesat kishtare u zhvilluan në të gjitha kishat e qytetit dhe u ndoqën nga besimtarë të shumtë. Shërbesa e Dhëndrit mblodhi shumë njerëz në të gjitha kishat, të cilët ndoqën me shumë vëmendje këtë shërbesë.
    Më intensive pjesëmarrja u bë të Mërkurën e Madhe në mbrëmje, ku siç është bërë tashmë traditë të gjithë besimtarët u mblodhën në katedralen e Burimit Jetëdhënës dhe ndoqën shërbesën e Efqelisë, e cila u celebrua nga Imzot Joani, kjo shërbesë monoklise u mbyll me vajosjen e shenjtë.
    Të Enjten e Madhe shërbesat vazhduan në të gjitha kishat. Në predikimin e tij Imzot Joani theksoi:
   “Ditën e Enjte të Javës së Madhe ne përkujtojë një nga themelimet e misterit më të madh, misterit të Eukaristisë. Në Kishën e vjetër ishte një karakteristikë që misteret nuk u shpjegoheshin katikumenëve, vetëm mbas pagëzimit fillonte dhe shpegohej misteri… dhe kjo, sepse Kisha e vjetër besonte fort që Ungjilli dhe Krishtërimi, është një mënyrë të jetuari …“
    Ndërsa në orët e mbrëmjes, sipas tipikosë së ritualit të ditës Zoti i varur mbi Kryq u vendos në mes të kishës dhe ku dhjetra mijra njerëz u përgjunjën përpara të Kryqëzuarit. Ditën e të enjtes në sheshin përpara katedrales u vendosën nga Bashkia Korçë dhjetë shtëpi prej druri dhe u zhvillua panairi tradicional i baltës, një traditë mjaft e vjetër në Korçë. Sipas legjendës kjo traditë është marrë nga ungjilli, ku me të hollat që Juda kthehu pas tradhëtisë që i bëri Zotit u ble ara e shtëmbarit poçebërësit dhe këtë ditë sipas traditës të gjithë blenë atikuj balti, si kujtim i kësaj ngjarjeje.
    Dita e premte në mëngjes filloi me shërbesën e zbritjes së Zotit nga kryqi. Menjëherë pas këtij momenti tingujt e këmbanave filluan të përshkojnë vajtueshëm qytetin. Përsëri mijra njerëz u falën përpara Epitafit të Zotit. Zhvillimet e kësaj dite mbartin me vete edhe një traditë e cila nuk dihet kur dhe si i ka fillesat. Të gjithë shkojnë dhe përshëndoshin Epitafin në të gjitha kishat në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi për sakrificën sublime që Zoti bëri për njerëzimin. Kjo traditë bën që në rrugët e qytetit njerëzit të mos reshtin gjatë gjithë ditës, ndonëse në tonet e natyrshe vajtuese.
    Mbasditja e së premtes mblodhi përsëri besimtarët në kishat e enorive të tyre, ku pas Vajtimeve të Përmbivarrshme në orën 18:45 u bë takimi i pesë epitafëve të të gjitha kishave. Më pas procesioni vazhdoi, banda e qytetit shoqëronte epitafët me marrshe funebër nën melodinë e stancës së tretë të vajtimeve. Procesion u ndoq nga mijëra njerëz të cilët shoqëronin nga pas kortezhin përgjatë lëvizjes së tij në unazën e vogël të qytetit. Kështu, duke u kthyer përsëri në kishat përkatëse u mbyll kjo ditë vajtimi dhe gëzimi, ku Ngjallja kalon nga Kryqi dhe jeta nga vdekja.
    Kulmi i fstimeve arriti natyrshëm në mesnatën e së shtunës. Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani shpalli lajmin e gëzuar dhe triumfal të Ngjalljes dhe tha në urimin e tij:
    “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën  u fali”
    Pashka, e cila përkujton dhe kremton Ngjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, është jo vetëm festa më e vjetër, më e madhe, më solemne dhe më e nderuar e Kishës, si edhe qendra e jetës liturgjike të saj, por ajo përbën edhe vetë thelbin e veprës shpëtimtare të Zotit.
    Kremtimi i Pashkës na tregon dhe na kujton se Zoti e mundi vdekjen dhe ky është Lajmi i Mirë i predikimit të Kishës. Kjo ngjarje është e vërteta themelore e besimit të krishterë dhe fillimi i një krijimi të ri. Nëpërmjet ngjalljes jeta u çlirua nga kurthi i vdekjes, drita nga burgu i errësirës, dashuria nga kthetrat e urrejtjes dhe gëzimi e shpresa u bënë përsëri pjesë e njerëzve dhe natyra njerëzore u flladit përsëri me flladin e jetës së vërtetë. Zoti preku çdo ndijim njerëzor dhe ndriçoi me dritën e ngjalljes gjithçka që i përket njeriut.
    Por ajo që e bëri më mallëngjyese edhe sivjet kremtimin e kësaj pashke ishte sjellja në Korçë e dritës që ndriçoi në varrin e Krishtit në Jerusalem.
    Ditën e dielë në ora 10:00 sikundër është traditë u celebrua Mbëmësorja e Dashurisë, e cila në Korçë është një shërbesë monoklise dhe kryhet gjithmonë në kishën e Burimit Jetëdhënës. Më pas nga ballkoni i Selisë së Mitropolisë së Shenjtë të Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani siç është traditë shpalli përsëri lajmin e Ngjalljes që nga korçarët njihet me emrin Ngjallja e dytë (Dhefteri Anastasi).
    Kështu në vazhdim në Selinë e Mitropolisë u pritën vizita me rastin e Pashkës. Mitropoliti priti urimin edhe nga kryeministri i vendit dhe deputetë të Korçës. Gjithashtu morën pjesë pushtetarët lokalë, njerëz të artit dhe kulturës, personalitete të botës akademike edhe qindra besimtarë, të cilët me urimin Krishti u Ngjall, morën dhe bekimet atërore të Mitropolitit Joan.
Gjithça ishte e mbushur me urimin, Krishti u Ngjall!
Dhjakon Mihal Sonellari