Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës z. Flamur Bime e ftoi Kryepiskopin Anastas, pas të vizitojë selinë e bashkisë, vizitë që u realizua të hënën në mëngjes. Kryetari i Bashkisë dhe dy nënkryetarët e pritën përzemërsisht Kryepiskopin dhe vijoi një bisedë e ngrohtë.
Kryetari i Bashkisë u shpreh me fjalët më të ngrohta për veprën e Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës Orthodhokse në vendin tonë, por edhe për veprimtarinë publike më në përgjithësi dhe në mënyrë specifike në promovimin dhe thellimin e vazhdueshëm të përvojës së vyer të bashkekzistencës dhe bashkëpunimit të komuniteteve fetare. Foli gjithashtu për perspektivën që hapet edhe për komunitetin Orthodhoks në Gjirokastër me ndërtimin e Kishës së re Katedrale të Ngjalljes së Zotit, si edhe kompleksin arsimor që do ta shoqërojë.
Kryepiskopi, në përgjigje të mirëseardhjes së ngrohtë, foli për interesimin me të cilin ndjek veprën që po realizohet në qytet, si një portë hyrëse e rëndësishme e Shqipërisë. Në veçanti, ai iu referua çështjes së trashëgimisë kulturore që Gjirokastra e ka të pasur dhe se Kisha Orthodhokse e ka dhënë e para shembullin, jo thjesht duke blerë një kompleks banesash tradicionale dhe duke e restauruar atë, por, kryesisht, duke i ridhënë jetë, duke e përdorur atë si qendër administrative e shkollë.
Kryepiskopi pati gjithashtu rastin të theksojë se si Kisha e re, si edhe ndërtesat e tjera të kompleksit që do të ndërtohet janë projektuar me kujdes dhe do të zbatohen me ritme intensive, por sidomos me merak, në mënyrë që të zbukurojnë qytetin.
U theksua se takime të kësaj natyre dhe në veçanti bashkëpunimi mes autoriteteve lokale dhe Kishës janë në dobi të komunitetit dhe të qytetit, janë në mbështetje të perspektivës për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tij. Në këtë kuadër, z. Bime e falënderoi Kryepiskopin për dhurimin së fundmi, për Bashkinë të një numri koshash për mbeturinat urbane, në kuadër të një programi mjedisor.
Kryepiskopi shoqërohej nga Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri.
Kjo vizitë u pasqyrua në mënyrë të zgjeruar në median lokale me komentet më të mira për punën dhe gjithçka që ofron në Gjirokastër dhe komunitetin lokal të saj Kisha Orthodhokse e personalisht Kryepiskopi. |