Vizitat e tilla zyrtare të Kishave Orthodhokse lokale (Autoqefale dhe Patriarkanave) janë respektive dhe të ndërsjella që kanë si qëllim zhvillimin e marrëdhënieve të Kishave simotra: njohjen nga afër të jetës, zhvillimit, spiritualitetit, ecurisë së kishave të krishtera orthodhokse në shtetet ose rajonet përkatëse ku jetojnë dhe punojnë, duke zhvilluar më ngushtë miqësinë mes tyre dhe pasurimin e mëtejshëm shpirtëror.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e drejtuar nga Kryepiskopi Anastas planifikoi pra këtë vit vizitën e saj zyrtare në Kishën e Gjeorgjisë, që njihet ndryshe Patriarkana e Gjeorgjisë dhe që Kryepiskopi Anastas në diptikët liturgjikë të çdo liturgjie hyjnore, që kryesohet prej tij, përmend publikisht dhe lutet edhe për këtë Kishë dhe udhëheqësin e saj aktual. Kjo tregon edhe lidhjen e brendshme të Kishave kudo që ndodhen, pavarësisht shteteve, kombeve dhe rajoneve të ndryshme ku jetojnë dhe veprojnë, si një Kishë e vetme, e njëjtë, unike, që jeton dhe punon njëkohësisht, kudo, në të gjithë rruzullin. Kjo vizitë vjen pas vizitës së fundit zyrtare bërë në Kishën e Qipros, në tetor të vitit 2008.
Kjo vizitë ishte e ndërthurur edhe me dy ngjarje të tjera: me dhënien e titullit “Doktor Nderi” Kryepiskopit Anastas nga Universiteti i Patriarkanës së Gjeorgjisë“Apostull Andrea i Parëthirruri” dhe 1000-vjetorin e katedrales historike të Svetitskhovelit, në Mskheta. Në festimet e përgatitura me rastin e 1000 vjetorit të ngritjes së këtij tempulli të krishterë (dhe 1700 vjetorit të themelit të saj), që sot qëndron në këmbë i plotë dhe funksional morën pjesë edhe delegacione nga Kisha të tjera Orthodhokse: Patriarkanës Ekumenike, të Aleksandrisë, Jerusalemit, Rusisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Qipros, Greqisë, Çekisë e Sllovakisë, Amerikës.
————–
Karakteristikë mjaft e dukshme e krishterimit orthodhoks në jetën dhe historinë e popullit gjeorgjian është edhe flamuri i tyre kombëtar me 5 kryqe, ku dallohen një kryq i madh në qendër dhe 4 kryqe të vegjël (simbole të 4 gozhdave të kryqëzimit të Krishtit dhuruar Kishës së Gjeorgjisë nga Shën Konstandini i Madh) midis hapësirave të kryqit të madh.
————–
Kisha katedrale e Svetitskovelit, u ndërtua në qytetin Mskheta (kryeqyteti i vjetër i Gjeorgjisë) nga Patriarku Melkhisedek I, në shek. XI, në vitin 1010, ndërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër që mbante emrin e Shën Ninës, në shek. V. Kjo katedrale është historike dhe mjaft e rëndësishme për Kishën dhe popullin e Gjeorgjisë, është katedralja historike e fronëzimeve të çdo patriarku dhe krezmimi i mbretërve, në të janë varret e patriarkëve dhe mbretërve të Gjeorgjisë. Ajo është qendër referimi i Krishterimit të Gjeorgjisë. Në të ndodhen edhe relike historike, ku kanë ndodhur mrekulli të shumta, në njërën prej të cilave është shtylla që nxjerr miro dhe nën të cilën mendohet të jetë varrosur Shën Sidonia me pëlhurën e Krishtit. Katedralja është shumë e madhe, e lartë, dhe e pikturuar pjesërisht me afreske të stilit bizantin të kohës së ndërtimit. Kjo katedrale është shpallur nga UNESKO Pasuri e njerëzimit.
————–
————-
– Ditën e parë, 11 tetor, në aeroportin e Tbilisit ose Tiflis (kryeqytetit të Gjeorgjisë), delegacioni i Kishës sonë u prit nga vetë Patriarku Ilia me një grup mitropolitësh dhe klerikësh të tjerë gjeorgjianë, të shoqëruar edhe nga kanalet televizive ku edhe bënë përshëndetjet dhe intervistat e rastit.
Në vazhdim u shtrua edhe një darkë për të gjithë të ftuarit.
Ditën e dytë, 12 tetor, Kryepiskopi Anastas dhe hierarkët që e shoqëronin morën pjesë në Simpoziumin Shkencor Ndërkombëtar me rastin e 1000-vjetorit të ndërtimit të katedrales historike të Svetitskhovelit dhe 1700-vjetorit të themelimit të saj, në Universitetin e Patriarkanës “Apostull Andrea i Parëthirruri”. Në këtë universitet studionin 3000 studentë. Në këtë simpozium merrnin pjesë edhe delegacionet e Kishave Orthodhokse të sipërpërmendura. Ky simpozium u ndërthur me vlerësimin drejtuar Kryepiskopit të Shqipërisë, Fortlumturisë Anastas, me dhënien e titullit “Honorary Doctor”. Kjo ditë u mbyll me mbrëmjen festive që u organizua për nder të delegacioneve të Kishave Orthodhokse nga Kryetari Parlamentit të Gjeorgjisë z. David Bakradze në Parlament, ku ishin të ftuar deputet dhe trupi diplomatik në vend. Edhe këtu u prezantua vizita zyrtare e Kryepiskopit të Shqipërisë z. Anastas, ringjallja e Kishës së Shqipërisë, e në vazhdim edhe Kryepiskopi përshëndeti të gjithë të pranishmit.
Dita e tretë, 13 tetor, delegacioni i kryesuar nga Kryepiskopi vizitoi Muzeun e Artit dhe Thesareve të Gjeorgjisë si dhe në Qendrën Kombëtare të Dorëshkrimeve. Këtu iu dhurua kryepiskopit edhe dy vëllime studimore (përgatitur nga një grup studiuesish) të gjuhës së lashtë albane të Kaukzait (me shkrim gjeorgjian), që doli në pah nga studimi i një kodiku të plotë dorëshkrim, i gjetur në Malin Sinai të Egjiptit. Më pas vizituam dy kisha historike të rëndësishme të kryeqytetit, Sion dhe Metekhi, e në vazhdim Akademinë Teologjike, në të cilën studionin 600 studentë, ku edhe u prit nga pedagogët dhe studentët. Në to e ftuan Kryepiskopin t’u fliste të pranishmëve, ku mes të tjerave prezantoi vitet e vështira ateiste që kaloi Kisha e Shqipërisë dhe tani gëzimin e ushtrimit dhe përjetimit të besimit, dhe duke i uruar të pranishmit “…të ecin nën gjurmët e besimtarëve, shenjtorëve, udhëheqësve shpirtërorë, etërve e patriarkëve, duke filluar nga shenjtoret gra si Shën Nina, Shën Thamara e duke vazhduar deri në ditët e sotme, që e mbajtën prej shekujsh këtë shenjtërim, duke shenjtëruar veten, duke ngritur me shumë durim dhe vetësakrificë kryqin e tyre dhe jetuan e rrezatojnë ngjalljen…ne orthodhoksët në shek. XXI kemi detyrë të dëshmojmë Orthodhoksinë ku të mundemi, të gjithë orthodhoksët së bashku, sepse jemi Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike si edhe të përçojmë gëzimin e Ungjillit dhe të jetës ku të mundemi…”. Në këtë zonë ata ruanin mjaft qartë në kujtesën e tyre edhe martirizimin për hir të besimit të tyre të krishterë orthodhoksë të disa mijë besimtarëve në kohën e pushtimit osman në lumin e madh Mtvari që përshkon kryeqytetin. Pasdite programi kishte rezervuar një pritje madhështore të të gjithë delegacioneve të Kishave Orthodhokse, të shoqëruar nga Patriarku i Gjeorgjisë Ilia, në Katedralen e re madhështore “Trinia e Shenjtë” të sapo ndërtuar në qendër të kryeqytetit. Pa ekzagjeruar, mijëra besimtarë kishin mbushur rrugët dhe sheshet hyrëse të katedrales, jo nga kureshtja, por nga përkushtimi dhe shprestaria, nga shprehja e besimit dhe e dashurisë ndaj Patriarkut Ilia, ku shumica e të cilëve ishin të rinj. Në fakt është mjaft karakteristike lidhja e ngushtë e të rinjve me Kishën e Gjeorgjisë dhe pjesëmarrja aktive në Të, me shprehje shumë të theksuar përkushtimi, besimi, përulësie, dashurie dhe respekti për jetën kishtare, pjesëmarrje dinamike në veprën dhe shërbimet adhuruese.
Dita e katërt, 14 tetor, shtoi më tepër emocionet dhe gëzimin e të gjithëve, duke kryer Liturgjinë hyjnore në katedralen historike 1000-vjeçare, katedralen simbol të krishterimit gjeorgjian, katedralen e shumë e shumë mrekullive dhe fronëzimeve të patriarkëve dhe krezmimi i mbretërve gjeorgjianë. Sot do t’i shtohej edhe një tjetër karakteristikë historike se do të meshonin së bashku të gjithë delegacionet e Kishave Orthodhokse të botës, në gjuhën e tyre, me përfaqësitë e tyre. Për herë të parë edhe këtu u dëgjuan në shqip thirrjet liturgjike të primatit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë “O Zot, o Zot, shtjer syrin tënd prej qiellit, edhe shiko dhe vizito dhe rregullo këtë vresht që e ka mbjell dora jote e djathtë”. Pjesëmarrja e besimtarëve ishte e jashtëzakonshme si brenda ashtu edhe jashtë katedrales, besimtarë të ardhur nga të gjitha krahinat e Gjeorgjisë, një panair kombëtar që arriti kulmin e organizimeve festive të disa ditëve rresht. Gjeorgjia festonte dhe gëzohej me historinë dhe me të mikpritësit e saj. Patriarku Ilia në fund të liturgjisë prezantoi Kryepiskopin Anastas, si primatin e Kishës së Shqipërisë, e një kishe motër orthodhokse, e cila ka ngjashmëri me atë gjeorgjiane, sepse vuajti për shumë kohë nën regjimin komunist, duke u rrënuar tërësisht dhe tashmë u ngrit nga gërmadhat, duke u ngjallur. Kjo u arrit nën drejtimin e udhëheqësit të tyre Kryepiskopit Anastas Janullatos, figurë e njohur në botën kristiane e fetare, e jo vetëm, por edhe në atë shkencore e universitare. Pas tij foli Kryepiskopi Anastas, i cili mbajti një fjalim ku shprehu “gëzimin e veçantë që ndjejmë ne të gjithë anëtarët e delegacionit të Kishës së Shqipërisë, që e vizitojmë për herë të parë Kishën e Gjeorgjisë me këtë vizitë zyrtare…, nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë të Kishave Orthodhokse Autoqefale dhe mbështetjes esenciale të tyre si edhe të theksimit të unitetit të Orthodhoksisë dhe dëshminë e përbashkët në botën e sotme…”. Në vazhdim Kryepiskopi në fjalimin e tij predikoi për ripërtëritjen e shpresës sonë për të tashmen dhe të ardhmen si edhe për fuqizimin e sigurisë së prezencës së Krishtit në jetën tonë të përditshme. Së fundi ai uroi që “prezenca e vazhdueshme e Krishtit të ngjallur në jetën dhe veprën tonë le të mbajë gjallë optimizmin tonë për ecurinë e Orthodhoksisë, për të ardhmen e popujve tanë, për të ardhmen e njerëzimit”.
Pasdite u zhvillua një koncert festiv madhështor Gala ku merrnin pjesë të gjithë personalitet e larta të vendit midis tyre edhe presidenti Mikheil Saakashvili. Më vonë u shtrua një darkë nga Patriarkana dhe Parlamenti për të gjithë delegacionet kishtare, për trupin diplomatik dhe personalitete të jetës shoqërore të vendit.
Dita e pestë, 15 tetor, delegacioni shqiptar, vizitoi në krahinën Signa manastirin e Bodbes, ku ndodhet edhe varri dhe trupi i Shën Ninës, e barabartë me apostujt, e cila është ndriçuesja e Gjeorgjisë. Ky manastir motrash është jo larg maleve të Kaukazit. Gjatë gjithë këtyre ditëve delegacioni shoqërohej nga Mitropoliti i Zugdidit dhe Caishit, Hirësia e tij, Gjerasimi, i cili është edhe Përgjegjësi i Departamentit të Marrëdhënieve me jashtë të Patriarkanës së Gjeorgjisë.
Nga të gjithë vizitat tona nëpër kisha konstatonim se gjeogjianët jo vetëm që merrnin pjesë vazhdimisht në shërbesat kishtare, dhe që kjo pjesëmarrje ishte e madhe, por edhe se ofronin shumë nga vetja e tyre (kohë, interesim, veprimtari, punë dhe të ardhura) megjithëse ekonomia e tyre si popullatë ishte e varfër dhe më kujtonte personalisht Shqipërinë e viteve 1995-1996. Ata kishin dashuri, përkushtim dhe respekt të theksuar për kishat dhe klerin.
Me mjaft gëzim, dashuri e miqësi në Krishtin u mbyll kjo vizitë e bukur dhe e pasur me emocione në Kishën Orthodhokse të Gjeorgjisë, “e cila vazhdon përmes gjithë këtyre shekujve me frymën dhe gëzimin e kryqit dhe të ngjalljes… Kishë e cila ka shumë të vërtetë, shumë bukuri dhe shumë dashuri të cilat do të duhet t’i rrezatojë në të gjithë rruzullin” siç theksoi edhe Kryepiskopi në një nga intervistat e fundit të tij në kanalin televiziv të Patriarkanës “Ertsulevneba TV”.
————-
Këtu më poshtë do të shihni fragmente nga edicionet e lajmeve flash të TV të Patriarkanës: http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/39_2010-10-11.flv
http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/39_2010-10-12.flv http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/39_2010-10-13.flv http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/39_2010-10-14.flv http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/27_2010-10-16.flv http://www.sstv.ge/Video.php?VideoFile=../transmission/148_2010-10-14.flv Arkimandrit Asti Bakallbashi
|