Një atmosferë e veçantë gëzimi mbizotëroi gjatë gjithë këtyre ditëve në institucionet arsimore të Mitropolisë së shenjtë të Gjirokastrës. Ishte një gëzim i përligjur, sepse i gëzoheshin frytit të mundimit të përbashkët me mësuesit dhe pedagogët e tyre. Dhe ishte kudo e pranishme ndjenja e thellë e falënderimit për Kryepiskopin Anastas, që brenda sakrificash të mëdha krijoi vatra të tilla për arsim cilësor dhe përkujdesje për një numër kaq të madh nxënësish dhe të rinjsh. Falënderim nga nxënësit, por edhe nga prindërit, të cilët e dinë ta bëjnë dallimin e cilësisë së arsimit dhe kulturës që u jepet fëmijëve të tyre dhe për klimën e një familjeje të madhe të krishterë, që krijohet përreth këtyre vatrave arsimore të Kishës sonë Orthodhokse.
Përfundimi i vitit shkollor për Shkollën 9-vjeçare “Frymë Dashurie”
Pasditja e së enjtes, 10 qershor, e gjallëroi në veçanti kompleksin arsimor “Kryqi i Nderuar”, në lagjet tradicionale të Gjirokastrës. Në sallën e tij të ceremonive bëhej festa e mbarimit të vitit shkollor, për vogëlushët e shkollës 9-vjeçare “frymë dashurie”, që është në vitin e saj të dytë të funksionimit. Mësueset, me prindërit etj., në një pasdite me shumë bekim, ndanin përparimin e fëmijëve, mundimin shumëmujor të mësueseve dhe urimet për përparim më të madh në vitin e ardhshëm. Mes tyre për të përcjellë dashurinë atërore dhe këshilla shpirtërore ishte dhe mitropoliti i Gjirokastrës, imzot Dhimitri, i cili ndjek me shumë kujdes zhvillimin e kësaj qendre arsimore.
Në të dy klasat e saj shkolla ka 45 nxënës jo vetëm nga qyteti, por edhe fshatrat përreth. në këtë aspekt shkolla u vjen në ndihmë familjeve, fëmijët e të cilave rrezikoheshin të mbeteshin edhe pa shkollë, pasi për shkak të kriterit të numrit në këto fshatra nuk ka mësues. Shkolla zhvillon mësim në të dy gjuhët, dhe i jep rëndësi të veçantë koherencës gjuhësore të fëmijëve. Në shkollë merren që në fillim njohuri për gjuhën angleze, aplikohen kompjuterët dhe çdo përvojë tjetër nga didaktika e pedagogjia bashkëkohore.
Festa ishte një kurorëzim i përparimit të tyre dhe në një masë të konsiderueshme e treguan atë të sintetizuar në programin që kishin përgatitur. Recitime në të dyja gjuhët, këngë dhe valle por edhe pjesë të tilla që synojnë të kultivojnë tek brezi i ri ndjeshmëri për mjedisin në të cilin jetojmë dhe për kujdesin ekologjik.
Në përfundim të programit mitropoliti u shpërndau nxënësve dëftesat e përparimit të tyre dhe dhurata simbolike, me uratat që të kalojnë pushime të gëzuara me familjet e tyre dhe të takohen përsëri në vjeshtë.
Ekspozitë me punime nga Shkolla e Mesme Profesionale “Apostull Pavli”
Nxënësit e katër specialiteteve, me udhëzimet dhe mbikëqyrjen e mësuesve të tyre organizuan për dy javë rresht një ekspozitë krejt të veçantë punimesh. Me këto aplikime treguan nivelin e lartë të njohurive që marrin në këtë shkollë, por sidomos marrjen e shprehive praktike, aq shumë të nevojshme për zgjedhjen që ata kanë bërë për profesionin që do të ushtrojnë ekspozita që përfshinte aplikime të instalimeve elektrike, zbatime praktike të disa parimeve bazë të fizikës, përdorimin e energjisë diellore si burim energjie për shtëpitë dhe bizneset, u organizua fillimisht në oborrin e shkollës. Në vazhdim u transferua në oborrin e kishës së shën Harallambit, në Sarandë, si edhe në sallën e veprimtarive të kompleksit arsimor në Dervician.
Gjatë përgatitjes së këtyre punimeve, që përfshinin makete funksionale të një hidrocentrali, termosifon diellor, por edhe shumë shembuj nga fizika e valëve dhe fushave elektromagnetike, nxënësit stabilizonin konceptet bazë të teorisë, por edhe aplikonin materiale e teknika progresive. Edhe nxënësit që ndjekin kursin e informatikës kishin përgatitur faqen e improvizuar të shkollës në internet.
Sidoqoftë i gjithë komuniteti i arsimtarëve të zonës, nxënësve dhe shumë vizitorëve të tjerë u shpreh me fjalët më të mira për punën që bëhet në këtë qendër të aftësimit profesional të Kishës.
Ekspozita ishte gjithashtu një rast shumë i mirë për promovimin e vetë shkollës në komunitetin e arsimit në të gjithë zonën e Mitropolisë së Gjirokastrës.
Përveç këtij evenimenti, nën kujdesin e drejtorit të shkollës z. Th. Dalla, në mesin e majit, me bekimin edhe të mitropolitit të Gjirokastrës z. Dhimitër, u organizua në ambientet e shkollës edhe një veprimtari didaktike me mësimdhënës të shkollave publike të zonës së Sarandës, Delvinës, por edhe të Gjirokastrës. Në të u paraqitën dy referate, njëri që lidhej me pedagogjinë dhe personalitetin e nxënësve dhe tjetri që lidhej me aplikimin e kompjuterit në didaktikën e shkencave ekzakte. Një nga pedagogët nga Greqia, bashkëpunëtor i Shkollës Profesionale “Apostull Pavli”, me shumë kompetencë u tregoi kolegëve mundësitë e mëdha që ofron teknologjia e lartë në lehtësimin e procesit të të nxënit nga nxënësit, por dhe në të bërit më interesante të orës së mësimit. Nga ana e arsimtarëve pjesëmarrës u shprehën falënderime për këtë seminar të shkurtër dhe për gatishmërinë që u shpreh nga ana e Shkollës së Apostull Pavli për t’i ndihmuar në vijim.
Me veprimtari të kësaj natyre, por edhe ekskursionet e ndryshme dhe takimet mes nxënësve të shkollave të zonës duket qartë se kjo qendër e arsimit profesional që funksionon nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas është një vatër e ngrohtë, që me arritjet e saj rrezaton në zonën përreth.
Korrespondenti i gazetës “Ngjallja”