Kampi I
Shpërndarës të Dritës që morën gjatë kampit
Rreth 120 fëmijë të moshave 11-15 vjeç, të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, u mblodhën së bashku për të pushuar në kampin “Rilindja”, të Kishës sonë. Ai u mbajt në ishullin e bukur të Zvërnecit gjatë periudhës 21 qershor – 1 korrik. Përveç larmisë dhe aktiviteteve të shumta që ofronte kampi, dy do të ishin ngjarjet më kryesore të këtyre dhjetë ditëve: pagëzimi i 21 fëmijëve si dhe ardhja e Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij, Ignatit, i cili gjithmonë e gjen mundësinë, brenda programit të tij të ngarkuar, që t’i vizitojë të rinjtë, duke u kthyer kështu në një mik të vërtetë të kampeve. Mitropoliti u foli fëmijëve mbi Apostuj e Shenjtë dhe sidomos mbi dy Protokorifenjtë, Petron dhe Pavlin. Hirësia e Tij i ftoi fëmijët që të ndiqnin shembullin e Apostujve, duke shpërndarë dritën e Krishtit që morën gjatë kampit edhe me shokët e tyre kur të ktheheshin në shtëpi.
Aleks Çuri
Kampi II
“Aty ku janë dy ose tre në emrin Tim, aty jam edhe Unë”(Mt. 18: 20 )
Në datat 9 me 19 korrik u zhvillua kampi i dytë ‘Rilindja’, në të cilin morën pjesë 90 të rinj të moshave 14 deri në 17 vjeç. Ashtu si të tjerët, ky kamp u realizua me bekimin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Sipërmarrësit ishin pedagogët dhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit. Në këtë kamp morën pjesë 90 të rinj që vinin pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Tema kryesore e kampit ishte: “Krishti, Drita e Botës”. Të rinjtë u mblodhën për të kaluar 10 ditë ndryshe nga jeta e tyre e përditshme: me lutje, përkushtim, disiplinë, dhe mbi të gjitha shijuan jetën në bashkësi, që është misioni i Kishës dhe dëshira e vetë Zotit, sepse Ai tha: “Aty ku janë dy ose tre në emrin Tim, aty jam edhe Unë” (Mt. 18: 20). Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit kampi i dytë solli një risi në programin e tij. Temat dhe referatet u zhvilluan nëpër 4 grupe që emërtoheshin: grupi i Shën Joan Teologut, ku u diskutuan kryesisht tema shpirtërore, grupi i Shën Joan Gojartit ku u mbajtën tema sociale me interes për të rinjtë, grupi i Shën Joan Kukuzelit ku të rinjtë mësuan të psalnin e t’i këndonin Perëndisë me zërat e tyre engjëllorë, si dhe u njohën me teologjinë e himneve dhe mënyrën sesi kisha e bëri të sajën muzikën bizantine. Dhe grupi i katërt ishte ai i Nazaretit ku të rinjtë mësuan rreth artit kishtar dhe punës së dorës. Ata praktikuan bërjen e ikonave me duart e tyre, të komboskinave, kryqeve, si dhe u njohën me rëndësinë që kanë ato në jetën e besimtarit orthodhoks. Gjithashtu këtij kampi nuk i munguan as lojërat dhe aktivitetet sportive. Të tilla ishin kampionati i futbollit, lojërat olimpike buzë detit, kampionatet e ndryshme të tavllës, shahut, ping-pongut dhe dominosë. Jeta në bashkësi që ka në qendër të saj Perëndinë, i cili është dhënësi i çdo të mire, kaloi edhe në këtë kamp me paqe dhe dashuri.
Niko Kodheli
Kampi III
Kohë formimi shpirtëror
Në ambientet e manastirit të hirshëm “Fjetja e Tërëshenjtës”, Zvërnec, nga data 26 korrik – 4 gusht u zhvillua Kampi ‘Rilindja” për të rinjtë nga mosha 17 – 30 vjeç. Programi i kampit u mbështet mbi qëllimin për t’i ndihmuar ata në forcimin shpirtëror. Kështu në programin e kampit bënin pjesë: lutja e mëngjesit, studimi biblik mbi festat Zotërore (Ungjillëzimi, Lindja e Zotit Jisu Krisht, Ipapandia, Pagëzimi, Shpërfytyrimi, Kryqëzimi, Ngjallja dhe Zbritja e Shpirtit të Shenjtë), diskutimi shpirtëror në mbrëmje, duke u mbështetur tek libri i Kryepiskopit Anastas “Mesazhe hyjnore”. Në një nga këto diskutime ishte referues edhe Atë Justini, i cili mbajti temën “Vdekja dhe koncepti i krishterë mbi të”. Bekim për kampin ishte edhe pagëzimi i tetë pjesëmarrësve. Moment i rëndësishëm ishte dhe shfaqja e filmave të ndryshëm si “Rroba e Krishtit”, “Dhimitri dhe gladiatorët”. Gjatë periudhës së kampit kishin mundësinë të përkujtonim 18 vjetorin e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Për të kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme për historinë e Kishës sonë u shfaq dokumentari mbi 18 vitet e rindërtimit të Kishës sonë nën drejtimin e Kryepiskopit. Njëkohësisht në një nga vaktet e ngrënies u lexuan artikuj apo shkrime të ndryshme që i referoheshin kësaj ngjarje dhe këtyre 18 viteve për të krijuar ne gjithë pjesëmarrësit një ndjenjë shprese, gëzimi dhe mirënjohje ndaj personit që me intelektin, mundimin dhe mbi të gjitha besimin e tij bëri që kisha të futet në rrugën e rindërtimit, forcimin dhe misionit shpirtëror të saj. Koha e formimit dhe forcimit shpirtëror ishte e ndërthurur me aktivitet sportive në ambientet e manastirit dhe në bregun e detit. Në kamp morën pjesë 45 të rinj, të cilët arritën të kapërcenin diferencën e moshës, nivelin intelektual, duke forcuan njohjen dhe miqësinë e tyre. Ky është një përjetim të cilin ta ofron hiri i Perëndisë, ndërmjetimi i të Tërëshenjtës, emrin e të cilës mban manastiri. Kampi u drejtua nga z. Thoma Çomëni dhe Arkimandrit Asti Bakallbashi me bashkëpunimin e palodhur dhe të frytshëm studentëve të teologjisë në Athinë, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” si dhe të rinj studentë, të cilët janë bashkëpunëtor të Qendrës Studentore e cila funksionon prej vitesh në Qytetin Studenti. Kampi iu rikthye dhe një tradite të vjetër në emërtimin e grupeve. Gjashtë grupet e formuar mbanin emrat e shenjtorëve që ishin nga ky vend si shën Asti, shën Nikodhimi, shën Donati, shën Elefteri, por dhe shenjtorët që u martirizuan në këtë vend shën Joan Vladimiri dhe Shën Kozmai i Kolkondasit. Kampi ofroi mundësinë për ripërtëritje shpirtërore dhe forcim të lidhjeve shoqërore midis pjesëmarrësve.
Thoma Çomëni