Në datat 3-4 dhjetor 2010, në mjediset e Manastirit të ri të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, pranë Durrësit, zhvilloi punimet Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në të morën pjesë përveç Sinodit të Shenjtë përfaqësi klerikësh dhe laikësh nga Kryepiskopata dhe të tria mitropolitë.
Veprimtaria filloi të premten pasdite, 3 dhjetor, me Shërbesën e Mbrëmësores në kishën e Manastrit. Në orën 18.00 filloi seance e parë plenare. Pasi u psal, Kryepiskopi Anastas bëri çeljen e Asamblesë dhe mbajti temën: “Vlerat shpirtërore të Evropës dhe përgjegjësitë e të krishterëve”. Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, mbajti temën “Polemika e re ndaj Kishës dhe përballja me të”. Seanca u mbyll me referatin e Episkopit të Krujës, Hirësi Andonit : “Qëndrime thelbësore në marrëveshjen e Kishës me Këshillin e Ministrave” (Ligji 1057, dt. 22.01.2009).
Më 4 dhjetor, dita nisi me Liturgjinë Hyjnore, në kishën e Manastirit, që u krye nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka dhe përfaqësi klerikësh nga të katër dioqezat. Ishin të pranishëm anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe pjesëmarrësit në Asamble. Pas saj u vazhdua me takimet në grupe, sipas temave të veçanta. Kështu, në tri grupet e klerikëve u diskutua për tema të jetës liturgjike, baritore, ekonomike etj. Ndërsa tri grupet e tjera ishin ato të burrave, grave dhe të rinjve orthodhoksë, në të cilat u diskutua për kontributin që kanë dhënë deri më sot në jetën e Kishës sonë dhe detyrat që dalin për të ardhmen, sidomos duke u nisur nga zhvillimet aktuale
Në orën 12 u zhvillua seanca plenare, ku u sollën rezultatet e arritura në grupe dhe u bënë konkluzionet e Asamblesë. Fryma e ngrohtë e diskutimeve dhe e mbështetjes pa rezerva për Kishës tonë dhe Kryepiskopin Anastas u shfaq si gjatë punimeve, ashtu edhe në drekën e rastit, pas së cilës përfaqësitë u kthyen në enoritë e tyre. Të gjithë kishin bindjen se kontributi shumë i vlefshëm i gjithsecilit i vlen shumë zhvillimit të pandalshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pavarësisht nga pengesat që përpiqen të krijojnë në rrugën e saj.