Në datën 3 maj, u bë përurimi i ekspozitës unikale “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”. Ajo u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fondacioni Grek i Kulturës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e Kryeministrit, dr. Sali Berisha.
Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie u bë nga filologu e paleografi z. Agamemnon Celikas, përgjegjës i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë, për Arkivin nga paleografi Sokol Çunga, ndërsa përfaqësuesit shkencorë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në komisionin organizativ të ekspozitës ishin arkimandriti Justin Anthimiadhi dhe historiani/paleografi MA Andrea Rëmbeci.
Veprimtaria nisi paraditen e datës 3, me një konferencë shtypi ku organizatorët shpjeguan rëndësinë e kësaj ekspozite dhe mënyrën e organizmit të saj. Kisha jonë u përfaqësua në të nga Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni.
Pasditen e kësaj dite, në mjediset e Drejtorisë së Arkivave u bë çelja zyrtare e veprimtarisë. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Hirësia e Tij Andoni, ministra, ambasadorë, historianë, intelektuale të njohur, klerikë etj.
E para i përshëndeti të pranishmit drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, që e cilësoi këtë ekspozitë si një pasaportë të bukur të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas saj, “në këtë ekspozitë janë rrënjët tona dhe përmes këtyre rrënjëve ne shikojmë të ardhmen tonë.”
Pastaj, Hirësia e Tij Andoni lexoi përshëndetjen e Kryepiskopit Anastas, i cili nuk pati mundësi të merrte pjesë në ceremoni. Ndër të tjera, Fortlumturia e tij theksonte se “Shqipëria ishte aktive dhe merrte pjesë në krijimtarinë më të gjerë kulturore të perandorisë bizantine dhe ruajtjes së sendeve të shenjta për qytetërimin mbarë botëror”… “Eksponentët që prezantohen kanë një nënë që i ka lindur dhe kjo është Kisha, ato nuk u krijuan nga artistë indiferentë siç ndodh në epokën tonë, por u krijuan për qëllime adhuruese duke u përdorur për jetën fetare, dhe mbështetjen e popullit”. (Fjala botohet e plotë më lart) I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Berisha përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se “Këto dokumenta faktojnë gjithashtu kontributin e shqiptarëve si komb për Krishterimin dhe qytetërimin perëndimor”, duke shtuar se, “Kodiku i Purpurt, kodiqet e tjera janë një pasuri e madhe, madje ndër më të mëdhatë që një komb disponon nga kohërat e mëparshme. Ato kanë dhe një gjuhë tjetër, që dëshmojnë sesi shqiptarët, elita e tyre i ruajti dhe i përcolli ato brez pas brezi”.
Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha siguroi punonjësit e Arkivit se, “qeveria shqiptare do të bëj të gjitha përpjekjet që këto vlera që pasqyrojnë fondin kishtar, kulturor, shpirtëror të kombit tonë, të ruhen të zhvillohen gjithnjë e më shumë”.
Më pas, të pranishmit vizituan ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur për të gjithë ata që duan ta vizitojnë deri në 4 qershor.
Në të u paraqitën 44 kodikë, që i përkasin periudhës së historike nga shek. VI deri në shek. XVIII, ku spikatnin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESKO-s, që prej vitit 2005. Për të dhënë një pamje më të plotë dorëshkrimeve në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së kodikëve.
Një ekspozite e kësaj natyre organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka për qëllim afrimin e publikut tek këto thesare që u krijuan nga Kisha Orthodhokse në shekuj dhe që klerikët, besimtarët i ruajtëm me përkushtim e vetëmohim. Ato, si të gjitha kishat, ikonat dhe arkivat që i mbijetuan persekutimit të egër monist, u morën nga shteti, që i ka ende në zotërim.
Në datën 4 maj, në mjediset e Arkivit u zhvillua me këtë rast edhe një simpozium shkencor.
Thoma Dhima
|