24 qershori 1992, me zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 2 gushti, me Fronëzimin e Tij, shënuan rikthimin e Autoqefalisë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Këto ngjarje historike shpallën, brenda dhe jashtë vendit, lajmin e mirë se: Kisha e Shqipërisë jetonte dhe askush nuk do të mundte më t’i ndalonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare. Kisha kishte përsëri një kryebari të shquar në krye të saj, i cili jo vetëm do ta rilindte, por edhe do ta bënte të barabartë dhe të pranuar nga të gjitha Kishat simotra.  Që kur erdhi si Eksark Patriarkal, në verën e vitit 1991, Episkopit (i hirotonisur si i tillë më 1972), Mitropolitit të Andrusës Anastasit, i ishte shfaqur përpara një imazh apokaliptik i besimit: Pa kisha, pa objekte administrative, pa klerikë dhe sidomos, me disa breza njerëzish të mbajtur me dhunë larg besimit dhe të edukuar që të mohonin Perëndinë.   
                 
    Shumëkush do të ishte dekurajuar, por jo veprimtari i dalluar apostullor i ditëve tona, që kishte kaluar më përpara me vështirësitë e Afrikës dhe të Lëvizjes Ekumenike botërore. Ai e nisi punën pikërisht atje ku kishte ndalur, tek formimi i klerit dhe ringritja e tempujve, për ta shtrirë gjithmonë e më tepër edhe në fushat e tjera dhe sidomos në atë të ndihmës sociale. Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përkushtim dhe aftësi e rrallë, e cila bëri që besimtarët orthodhoksë të vlerësonin se ai ishte personi i përshtatshëm për ta vazhduar veprën  e saponisur. Ky vlerësim iu shpreh Patriarkanës Ekumenike në mars 1992, nga një delegacion i gjerë zyrtar kleriko-laik i Kishës, që bëri një vizitë pranë saj. Më pas, më 30 maj 1992, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i drejtohej me një kërkesë zyrtare në emër të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeut I.
 
    Në të, pasi lavdërohej e vlerësohej lart puna e jashtëzakonshme e Eksarkut, theksohej, se, që Kisha t’u përgjigjej nevojave të shumta, që të shpejtohej riorganizimi i saj mbi baza kanonike, që të rikthehej e barabartë në gjirin e Kishave motra, ishte nevoja që të ngrihej sa më shpejt një hierarki e aftë për të përballuar këto detyra. Ndaj, si Kisha mëmë, që kishte dhënë autoqefalinë, i takonte Patriarkanës Ekumenike të përdorte të drejtat e detyrat e saj për plotësimin kanonik të strukturave të Kishës sonë, duke nisur nga Kryepiskopi, ku vlerësohej se Prof. Dr. Anastasi ishte personi më i përshtatshëm për të marrë këtë detyrë.
 
 
 
 
    Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, pasi shqyrtoi këtë kërkesë, duke pasur parasysh se nuk kishte mbetur i gjallë asnjë episkop me origjinë shqiptare, dhe duke marrë në konsideratë punën e shkëlqyer të Imzot Anastasit, vendosi më 24 qershor zgjedhjen e Tij Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 2 gusht u bë ceremonia e Fronëzimit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë.    
   
 
 
 
    Me këtë rast, më 24 Qershor dhe më 2 Gusht,kremtohet përvjetori i zgjedhjes dhe i Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastasit, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Liturgjitë Hyjnore festive do të kryhen në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë të Kishës.
 
Isidor Koti