– Kampi i vajzave 2010 –
 
    “Universiteti veror” mblodhi 300 vajza nga zona të ndryshme të Shqipërisë, si  Tepelena, Tirana, Korça, Vlora, Fieri, Berati, Lushnja, Laçi, Gjirokastra etj., 260 prej të cilave iu përgjigjën ftesës së kampit të vajzave “Bariu i Mirë”, në Shën Joan Vladimir, pranë Elbasanit, për të shijuar dhe përjetuar që Zoti është i mirë, ndërsa 40 të tjerat ofruan shërbimin e tyre në mbarëvajtjen e programit të kampit. Ato ishin studente dhe të diplomuara nga Akademia Teologjike, të reja aktive nga grupet rinore Tiranë, Durrës dhe Qendra Studentore.
 
Periudha e zhvillimi të kampeve ishte kjo:
Kampi I, 10 -12 vjeçare, nga 1-10 korrik,
Kampi ΙΙ, 13-15 vjeçare, 13-22 korrik,
Kampi III, 16-25 vjeçare, 26 korrik – 4 gusht.  
 
    Qëllimi i këtij udhëtimi shpirtëror 10-ditor ishte të reflektojmë dashurinë e Perëndisë së gjallë duke jetuar në Krishtin si gjymtyrë të gjalla të Kishës së Tij me lutje nxehtë, me kontaktin tonë esencial me Shkrimin e Shenjtë dhe jetën në Misteret e Kishës, kështu qenia jonë do të vaditet nga Shpirti i Shenjë dhe do të njohë e dashurojë Atë që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta – siç e thekson dhe Kryebariu ynë, i cili me kujdes atëror bën të mundur realizimin e këtij kampi.
 
    Tingujt mëngjesor të kambanës lajmëronin fillimin e programit ditor, i mbushur me stacione interesante. Në qendër të të cilit qëndronte Kisha, punishtja e lartësimit shpirtëror, ku vajzat me zell mësonin për Perëndinë, krijimin, si të komunikonin me Të me anë të lutjes, Mistereve, studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe predikimeve të ndryshme. Referuesit e temave si Hirësi Nikolla, Hirësi Andoni, Rozeta Baba, Sonila Rëmbeci etj., nxitnin vajzat për të mësuar më shumë rreth të vërtetave të besimit, rreth qëllimit të jetës dhe shembujve që duhet të ndjekim etj.
 
    Vajzat shprehnin talentet e tyre në paraqitjen e dramave me tema sociale si përdorimi i celularit, internetit, televizioni, aborti, droga, etj. Diskutimet mbi këto çështje ndihmuan në njohjen më mirë të realitetit dhe thirrjes që na bëhet për  të qenë sa me shume vigjilentë. Vizitat baritore dhanë mundësinë t’ju ofronim pak kohë njerëzve në nevojë, duke vënë në praktikë mësimet ungjillore. Shëtitja në mal, këngët, lojërat, puna e dorës, ndihmuan vajzat në shoqërizim, në krijimtari, zbavitje dhe në njohjen e talenteve. Një udhëtim  mbresëlënës ishte edhe ekskursioni në kishat  e bukura të Korçës. Aty pamë nga afër mrekullitë e Perëndisë që thërret njeriun në jetën me Zotin.

     Në këtë udhëtim 10-ditor kuptuam të vërtetën e madhe që në Kishë ekziston shpëtimi dhe se në të gjejmë një strehë të sigurt. Nevojitet që këtë të vërtetë ta predikojmë edhe te të tjerët. Prandaj vajzat u pajisën nga kampi me libra shpirtërorë si një ushqim për veten e tyre e me detyrën si misionare të vogla.
 
 
Përgatiti
Marina Baba