Dy muajt e fundit (maj e qershor) para sezonit të pushimeve sollën një atmosferë të pasur aktivitetesh te gratë orthodhokse të Kryeqytetit. Forcimi i ndjenjës komunitare me në qendër Krishtin dhe dashurinë për njëra-tjetrën i kanë nxitur ato që të aktivizohen me ide të reja dhe kontribute domethënëse.
Me nismën e Arqimandrit Astit dhe pedagogut të muzikës bizantine Harallamb Terziut, rreth 30 gra prej kohësh kishte filluar mësimi i himneve nga Liturgjia Hyjnore dhe Paraklisi i së Tërëshenjtës Mari. Ato krijuan një kor të veçantë ku kanë spikatur disa zëra të talentuar. Ky kor do t’i ndihmojë gratë që në aktivitete të ndryshme t’i psalin Zotit.
Një prej veprimtarive të spikatura në fund të muajit maj ishte pelegrinazhi në kisha e manastire të Elbasanit, Pogradecit e Korçës. Pelegrinazhi përfundoi me një agripni në Manastirin “Fjetja e Shën Marisë” në Boboshticë. Me gratë e Tiranës u bashkuan në lutje rreth 40 gra korçare.
Atmosfera e lartë shpirtërore përgjatë shërbesave la mbresa të paharruara te gratë, të cilat bashkuan lutjet e njëra-tjetrës për më shumë begati dhe zhvillim të jetës shpirtërore dhe sociale. Të nesërmen në mëngjes, ato zhvilluan një vizitë në Manastirin e Shën Nikollës në fshatin Kamenicë dhe udhëtimi u mbyll me vizitën në kishën katedrale “Ngjallja”, ku u takuan dhe morën bekimin e Mitropolitit Joan.
Në fillim të muajit qershor lidhjen e grave orthodhokse e vizitoi Atë Luka Veroni bashkë me një grup studentësh e bashkëpunëtorësh nga Amerika, të cilët edhe ndenjën për disa ditë në Shqipëri. Ishte një gëzim i madh që pas afro 5 vjetësh ta ritakonim në Tiranë Atë Lukën, ku edhe na përcolli mesazhe të shumta shpirtërore e sociale.
Ndërkohë vlen të përmenden edhe aktivitetet e shumta sociale, të cilat janë organizuar dhe do të vijohen edhe gjatë muajve të verës në disa drejtime të rëndësishme në ndihmë të shumë familjeve të varfra, fëmijëve jetimë, invalidëve, personave depresivë, lypësit etj.
|