Të dielën e Pashkëve, në 4 prill, në selinë e Kryepiskopatës se Shenjtë, në Tiranë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, priti urime nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare, Presidenti Z. Topi, Kryetarja e Kuvendit Znj. Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetar i bashkisë Tiranë, Z. Rama, nga nga politikanë dhe drejtues të lartë të shtetit e gjykatave, nga diplomatë e  intelektualë të njohur, personalitete të artit dhe kulturës, besimtarë etj.

    Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i uroi për Pashkët Kryepiskopit Anastas dhe gjithë besimtarëve orthodhoksë, gjatë vizitës së Tij në Kryepiskoptan e Shenjtë, i shoqëruar nga bashkëshortja. Ai u shpreh se: “Dëshiroj së pari të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë për këtë ditë të madhe, për këtë ditë të ringjalljes në të gjitha kuptimet e fjalës, të rikthimit te besimi, të rikthimit tek optimizmi, të rikthimit te dialogu, të rikthimit te jeta!  Besoj që është një ditë që na motivon të gjithëve të japim një mesazh të tillë. Jo rastësisht festat fetare përqendrohen brenda një periudhe të shkurtër në pranverë, çka do të thotë që pranvera sjell me vete edhe besimin te komunikimi, tek ajo që konsiderohet njerëzore, te besimi për t’iu kthyer veprave të mira, vepra për të cilat ne kemi nevojë të gjithë si shoqëri.”
 
 

    Kryetarja e Kuvendit gjatë vizitës së urimit në Kryepiskopatën e Shenjtë,  i bëri urimet më të mira, Fortlumturisë së Tij Anastasit, duke theksuar se:  “Kjo është një ditë gëzimi për të gjithë, sidomos për ne shqiptarët është dita e forcës dhe e fuqisë që ka vetë simbolika e ringjalljes  Unë u uroj të gjithë të krishterëve, ortodoksë e katolikë: Gëzuar Pashkët!. Por, në fakt kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve ndaj dhe unë i uroj të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Festën e Ringjalljes!”

    Edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetar i bashkisë së Kryqeqytetit, Z. Edi Rama, uroi Pashkët në mesditën e të dielës në Selinë e Kryepiskopatës së Shenjtë. Ai i dhuroi Kryepiskopit Anastas një vezë pashkësh të pikturuar nga ai vetë. Z. Rama tha se “Është një ditë për të uruar njëri-tjetrin se çdo pengesë është e kapërcyeshme, se nuk ka asgjë të pamundur. Në kushtet kur shumë shqiptarë jetojnë në momente të vështira dhe në një krizë ekonomike, është dita për të uruar që të gjitha këto të kapërcehen dhe për të shprehur besimin se të gjitha këto mund të kapërcehen së bashku”, – tha ai.
 
 
Thoma Dhima