Të hënën e ndritshme pas Pashkëve, 5 prill, si një vazhdim i festimeve, në Pallatin e Brigadave u zhvillua një ceremoni mjaft mbresëlënëse. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” katër udhëheqësit më të lartë të komuniteteve fetare tradicionale, Kryetarin e Bashkësisë Myslimane, Haxhi Selim Muçën, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastasin, Arqipeshkvin Metropolit të Tiranës e Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike, Imzot Rrok Mirditën, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi.

    Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitetet më të larta të institucioneve të pavarura dhe të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë etj.

     Para dorëzimit të Urdhrit të lartë, Presidenti Topi iu drejtua me një fjalë përshëndetës të dekoruarve dhe të pranishme në këtë ceremoni duke u shprehur: “Është gjithnjë një nder dhe një privilegj për mua të tregoj dhe të lartësoj një vlerë të veçantë të popullit dhe vendit tim: bashkëjetesën mes feve historikisht tradicionale përfshirë edhe disa grupe më të vogla që ushtrojnë besimin e tyre në përputhje me standardet e lirisë dhe të drejtave universale. Kjo bashkëjetesë e kultivuar në dekada dhe shekuj ka në themel vlerën e besimit që i bashkon njerëzit pavarësisht se si ia drejtojnë ata lutjet e tyre Zotit të përbashkët. Kjo bashkëjetesë është atribut i bashkësive fetare përfaqësuese, që predikojnë me urtësi dhe përkushtim besimin e tyre, por ajo çfarë është po aq e rëndësishme – është edhe bashkëjetesa e individëve, e qytetarëve shqiptarë.

     …Gjatë krizave dhe traumave shoqërore në etapa të ndryshme të tranzicionit, i kemi parë përfaqësuesit e këtyre bashkësive duke u shndërruar në kolona të paqes sociale. Përfitoj nga ky rast, që t’i përshëndes dinjitarët e nderuar fetarë, Haxhi Selim Muça, Fortlumturinë e tij Janullatos, Imzot Rrok Mirditën, Haxhi Dede Reshat Bardhin – këta udhëheqës shpirtërorë e largpamës, punëtorë të palodhur të dialogut shoqëror e ndërfetar, kontribues të palodhur në zhvillimet demokratike të vendit.

     Akordimi i Urdhërit të lartë që mban emrin e Prijësit tonë të madh përbashkues Gjergj Kastrioti-Skënderbeut më jep kënaqësi të veçantë dhe mundësinë të shpreh nderimin dhe vëmendjen shtetërore për aktivitetin tuaj në shërbim të Fjalës së Shenjtë dhe Shqipërisë.

     …Diktatura synoi me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke persekutuar klerin dhe mbyllur objektet e kultit, fakt ky që në vitin 1967 pati kulmin e vet tragjik. Në vitin 1990-të, me rrëzimin e komunizmit do të dukeshin edhe e pasojat e këtij ndryshimi fatal në jetën e bashkësive fetare. Liria e besimit i gjeti kultet me infrastrukturë të shkatërruar, me pak klerikë të moshuar, të cilët pothuajse të gjithë kishin provuar burgjet! Ata të pajisur me forcën e besimit dhe të vullnetit, me fuqinë morale që u kishte dhënë qëndresa e që më shumë se kujtdo tjetër u përkiste atyre filluan të riorganizohen në baza tradicionale me ata klerikë e rreth atyre pak objekteve që i kishin shpëtuar dhunës komuniste. Ajo që komunistët e pretendonin si të përjetshme formalisht zgjati vetëm 23 vjet. Ata, siç ishte e natyrshme të ndodhte, e humbën luftën me të pamundurën…”

    Më pas Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, lexoi motivacionin e dekreteve të dekorimit, ndërsa Presidenti dorëzoi urdhrin. Në diplomën e urdhrit, dorëzuar Kryepiskopit Anastas, ishte shkruar: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.

     Në fjalën e falënderimit Kryepiskopi Anastas tha: Faleminderit nga zemra për nderin. Mendoj z. President se kjo ditë shkruan një faqe shumë të rëndësishme në histori. Para shumë vitesh thanë se feja është shumë e rrezikshme. Por këto vite, gjatë periudhës së lirisë dhe demokracisë, është krijuar një ndërgjegjësim I përgjithshëm ëe feja mund të jetë një bekim. Thanë edhe se nëse është një fe kjo është bekim, ndërsa disa vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Por gjatë gjithë këtyre viteve jemi përpjekur që të tregojmë se është e kundërta.

    Të gjithën ne, komunitetet fetare tradicionale, nuk përpiqemi jo thjesht të mbështesim tolerancën, por të mbështesim mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazërore midis nesh.  Ju duhet ta dini z. President, që në kohët e vështira që ka kaluar vendi këta 18 vjet, në kohëra krizash ne kemi theksuar se vaji i fesë nuk duhet për të ndezur më shumë flakën e konflikteve, por të jetë gjithnjë për të shëruar plagët dhe për të ndihmuar paqen.

    Ne përpiqemi të krijojmë në Shqipëri një shembull që mund të eksportohet. Këtu në Ballkan, që përballohet me shumë vështirësi dhe që të jetë një mesazh për gjithë botën, që ne po punojmë për shek. XXI, për një botë të mirëkuptimit, të paqes dhe të dashurisë.

     Ne ju jemi mirënjohës se gjithë këto vite prania juaj ishte shumë domethënëse për ne dhe për të gjithë vendin… Me gjithë zemër ju urojmë nisma krijuese. Përsëri dhe përsëri jam mirënjohës!
 
 
Thoma Dhima