Lexuesit e gazetave shqiptare, nga fillimi i viteve 90’të, janë njohur në periudha të ndryshme me fushatat anti-Anastasiane që prej nisjes së misionit të tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ata kanë parë në horizont hije të zeza akuzash nacionaliste dhe ekstremiste karshi tij. Përmes sulmeve dhe thirrjeve të qëllimshme për largim nga drejtimi i Kishës, politikanë e historianë dhe njerëz që kërkojnë të marrin merita publike, ndonëse të numëruar me gishtat e dorës, kanë marrë rolin e trojanëve të indinjuar ndaj “Kalit grek”, duke bërë deklarata të përsëritura dhe të njëanshme. Këta personalitete me target të rëndësishëm ose jo, shfaqen largpamës dhe me integritet të konsoliduar, duke shtuar në CV-në e tyre edhe datën, muajin dhe vitin e rolit të luftëtarit ndaj një misionari kishtar, sikur ky i fundit të ishe e keqja e kombit. Pikërisht, në themel të akuzave të këtyre luftëtarëve trojanë ndaj “Kalit grek” qëndron pretendimi i tyre se Kryepeshkopi Janullatos ka ndërmarrë veprimtari politike në dobi të interesave greke, duke kronometruar edhe fakte të stisura me aq finesë në paralelizëm me zhvillimet e tjera në realitetin shqiptar, saqë të krijojnë përshtypjen se e vërteta qëndron vetëm në mendjen dhe dorën e tyre. Të njohur ose jo me zhvillimet e Kishës në Shqipëri, identikë në qëndrimet e tyre, këta persona (sigurisht jo dashamirës ndaj zhvillimit të ortodoksisë në vend) kanë marrë përsipër pa të drejtë të bëjnë politikat kishtare dhe të vendosin se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë në krye të këtij institucioni, sikur të bëhej fjalë për një institucion si ai i kryeprokurorit, apo presidentit… çfarëdoqoftë! Ata sulmojnë në radhë të parë dhe padrejtësisht një institucion si ai i Kryepeshkopit, duke mbjellë me ashpërsi qëndrime radikale që cënojnë rëndë dinjitetin e një komuniteti të tërë, i cili nuk është spaktator, por nuk ka potencialin publik për t’u shfaqur nëpër gazeta ose televizione.
Pse nuk e lënë të qetë të punojë? Kjo është pyetja që besimtarët orthodhoksë shqiptarë bëjnë herë pas here me thjeshtësinë dhe urtësinë karakteristike, sa herë lexojnë kryeartikujt e gazetave në këtë histori përndjekjesh mediatike. Ata përjetojnë ringritjen e Kishës, rritjen e shpejtë të saj dhe s’ka si të ndodhë ndryshe që kishat, shkollat, spitalet, ndihmat e shumta që jep Kisha Orthodhokse dhe sigurisht Kryepeshkopi Anastas për mbarë komunitetin pa dallim feje, kanë verbuar sytë e këtyre njerëzve që merren me majën e ajsbergut që kanë ngritur në oqeanin e konfuzionit të imagjinatave të tyre. Ajo çka është përcjellë publikisht është diçka e thashethemuar prej kohësh nëpër rrethe të ngushta tipash e prototipash, të cilët e gjejnë median si arenë idesh personale dhe përpiqen të nxjerrin në pah moralin e përrallave që fantazojnë. Duke e përdhosur me paturpësi ndërgjegjen publike të këtyre njerëzve të thjeshtë, të cilët e shikojnë Kishën si shtëpinë e Zotit, luftëtarët e ringjallur të Trojës harrojnë se askush nuk i merr në konsideratë tezat e tyre mediokre në Shqipërinë e Nato-s dhe në Shqipërinë shumë të afërt europiane.
Kontributet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kreut të saj nuk tregojnë atmosferën e zymtë që na paraqesin opinionbërësit, apo ata që gatuajnë politika anti-ortodokse përtej Atlantikut bashkë me disa vetmitarë pretendentë për fronin Kryepiskopal këtu në vendin tonë. Ai e ka udhëhequr Kishën në kohë paqeje dhe në kohë trazirash, gjithmonë me mençuri dhe urtësi, aq sa Kisha është një faktor i rëndësishëm zhvillimi në jetën shoqërore të Shqipërisë dhe një institucion i nderuar dhe i njohur në mbarë botën. Ungjilli lexohet shqip, shërbesat kryhen shqip, madje gjuha shqipe është dëgjuar në shumë shtete të botës, në kishat lindore dhe perëndimore. Emri dhe personaliteti i Kryepeshkopit Anastas e kanë bërë të njohur vendin tonë edhe në vise të largëta, jo sepse ai është grek, por sepse ka ditur të ringrejë një Kishë të rrënuar dhe ta çojë në piedestal fal sakrificave të panumërta, një ndër të cilat ka qenë pa mëdyshje edhe përballimi i luftës me përndjekësit historikë. Përgjatë gjithë këtyre viteve, ai ka vazhduar të ndjekë të njëjtin orientim ekuilibrues në marrëdhëniet shqiptaro-greke, pa u shfaqur si shovinist, por si personalitet kishtar që ka ndihmuar në harmonizimin e marrëdhënieve mes njerëzve të kombeve të ndryshme, sikurse ka bërë kudo që ka qenë në periudha të ndryshme të jetës së tij.
Kryepeshkopi Anastas gjatë gjithë këtyre viteve po përdoret si një busull që gjithëkush përpiqet ta orientojë në interesat personale ose nacionale. Këta njerëz e kuptojnë por nuk e duan misionin e tij, ose më saktë nuk e kanë dëshiruar prezencën e misionit të tij me përmasa apostolike. Në Shqipëri ai nuk cënon identitetin kombëtar shqiptar, por e forcon më mirë se kushdo tjetër jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë. Kisha shqiptare nuk rrezikon të helenizohet. Përkundrazi flet më shumë shqip se çdo komunitet tjetër fetar në vendin tonë. Për këtë mund të bëhen edhe studime, sidomos ata që gumëzhijnë nëpër media. Argumenti tjetër se Kryepeshkopi Anastas ka shkelur statusin e Kishës, nuk është bindës dhe as referues, sepse nuk mund të gjykohet statusi i Kishës nga dylbitë e atyre që e shikojnë për së largu këtë institucion dhe funksionimin e tij. Kisha dhe Kryepeshkopi dhe të gjithë besimtarët e saj nuk mbështeten në politika dhe palë të caktuara që ngjiten e zbresin në pushtete njerëzore, por në lavdinë e Perëndisë.
Kisha Ortodokse dhe kreu i saj e kanë të përcakuar misionin e tyre nga Zoti dhe jo nga fryma nacionaliste, siç pretendohet nga opinionbërësit. Nëse ata do të jetonin nga afër apo do të interesoheshin me dashamirësi për punën që ka bërë dhe po bën Kisha në vendin tonë, do ta kuptonin qartazi veprimtarinë e vërtetë të misionarëve të Perëndisë. Vlen të theksohet dhe të përsëritet se Kryepeshkopi “grek” e ka shpallur publikisht dhe e ka treguar veten si “lypësi ndërkombëtar i shqiptaëve”, duke menduar për të tashmen dhe të ardhmen që ndërton Kisha Ortodokse e Shqipërisë në botën e qytetëruar. Por fatmirësisht njerëzit e ndershëm dhe të paanshëm e dinë tashmë historinë dhe të vërtetën e kontributit të Kishës dhe Kryepeshkopit në këto 18 vitet e fundit të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Tek e fundit, historinë nuk e bëjnë historianët apo politikanët, por njerëzit që ndryshojnë rrjedhat historike.