“Pendohuni dhe gjithkush prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; dhe do të merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë” (Veprat 2:38).
Më 2010-n, në këtë vit, njësoj si në Pentikostinë e parë, të krishterët në mbarë globin, në kishat e tyre respektive, do të celebrojnë Pentikostinë në qindra gjuhë të ndryshme dhe do të këndojnë himne në gjuhët e tyre për të lavdëruar Zotin.
Dishepujt e Jisuit morën dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në Pentikostinë e parë sepse ishin duke pritur me besim. Ata ishin mbledhur së bashku duke pritur, të sigurt në premtimin e Perëndisë.
Në mëngjesin e Pentikostisë, Jerusalemi ishte mbushur me pelegrinë, të cilët kishin ardhur aty për të kremtuar festën e bukës së re; midis tyre ishte edhe një grup i vogël i miqve të përulur të Jisu Krishtit të Ngjallur. Dhe premtimi u mbajt: Shpirti zbriti mbi ata dhe i bëri dëshmitarë, lajmëtarë, njerëz të bindur në mesazhin e Zotit të tyre mbi dashurinë dhe të vërtetën. Erdhi koha që të ftonin të tjerët që të ktheheshin, të praktikonin dhuratën e marrë dhe të përkushtonin veten e tyre në shërbim të vëllezërve e të motrave.
Sot, thirrja për t’u kthyer është më qendrore se më parë për çdo njeri që kërkon të ndjekë Jisu Krishtin dhe që do të zbulojë kuptimin në jetë, duke u shërbyer atyre që vuajnë, pavarësisht se çfarë emri mund të ketë vuajtja e tyre.
“Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Petrit e apostujve të tjerë: Ç’të bëjmë, o burra vëllezër?” (Veprat 2:37).
Shumë vetë janë duke pritur për dhuratën e Shpirtit të Shenjtë. Në botën e sotme ekziston një grup i vogël të përulurish që kërkon kthimin, duke kërkuar për faljen e fajeve të kryera në të shkuarën, të tilla si sulmet ndaj dhuratës së jetës që na ka dhënë Perëndia me anë të prodhimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Shpresa për kthim mund të shihet sot në hapat që kanë ndërmarrë sot disa prej “të mëdhenjve” të kësaj bote për të riparuar ekseset e shkuara të krenarisë e të dominimit. Po, çdo gjë është e mundur për një njeri që kthehet te Krishti dhe që, në fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, kërkon të ndryshojë planet e atyre që vazhdojnë të besojnë se paqja mund të blihet vetëm nën kërcënimin e armëve bërthamore.
Shpirtrat e guximshëm të kësaj bote, që kanë filluar të pakësojnë arsenalin e armëve bërthamore, le ta vazhdojnë më tej me trimëri përpjekjen, që sa më shumë resurse të vihen në dispozicion të mirëqenies së atyre popullsive që janë shkatërruar dhe për t’u ofruar më shumë burime atyre njerëzve që jetojnë në ankthin e urisë dhe të dhunës së luftës e që kanë etje të ndajnë njohurinë e tyre.
Ne duam të themi “me Perëndinë të gjitha janë të mundura”!
Por, sigurisht, ne të krishterët, që jemi të pagëzuar në emrin e Jisu Krishtit, nuk duhet të kufizojmë këmbënguljen tonë në nevojën për pendim të liderëve zyrtarë të kombeve ose të personave të tjerë publikë. Thirrja për pendim mbetet aktuale për secilin nga ne, për çdo shtet, moshë, origjinë: pendim për paqëndrueshmërinë tonë që ekziston mes asaj që shpallim dhe mënyrës së sjelljes sonë; pendim për besimin tonë të pakët, për kompromiset tona me frymën e kësaj bote, për prirjen tonë për të qenë indiferentë për drejtësinë, për solidaritetin, për dashurinë e sinqertë dhe respektin ndaj çdo personi njerëzor. Me këtë frymë të thellë pendimi, duhet të presim ardhjen dhe banimin ndër ne të Shpirtit të Perëndisë, si edhe në bashkësitë tona. Vetëm në këtë rast do të zbulojmë fytyrën e Zotit tonë të ngjallur, Kyrios-it, dhe do të bashkohemi me atë, duke u lutur në përulësi dhe dinamizëm: Oh. eja o Shpirt i Shenjtë! Transformoje botën!
Shpirti i Shenjtë që zbriti në Pentikosti le t’iu mbushë me dritë, shpresë dhe gëzim e le t’u japë fuqinë për të lavdëruar Zotin tonë, duke i shërbyer botës së tij me dashuri. Ju urojmë të gjithëve një festë të bekuar të Pentikostisë.
Presidentët e Këshillit Botëror të Kishave
Kryepiskopi Dr. Anastasi,
i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Mr. John Taroanui Doom, Maohi
Protestant Church (Polinezia Franceze)
Rev. Dr. Simon Dossou,
Methodist Church in Benin
Rev. Dr. Soritua Nababan,
Protestant Christian Batak Church (Indonezi)
Rev. Dr. Ofelia Ortega,
Presbyterian-Reformed Church in Cuba
Patriarch Abune Paulos,
Ethiopian Orthodox Tewahedo Church
Rev. Dr. Bernice Powell Jackson,
United Church of Christ (USA)
Dr. Mary Tanner,
Church of England
———————————————————————————————————
WCC – World Council of Churches
http://www.oikoumene.org/en/news/news-management/eng/a/article/1634/message-of-the-presidents-8.html
http://www.oikoumene.org/en/news/news-management/eng/a/article/1634/message-of-the-presidents-8.html