Kjo atmosferë melodioze, e cila përshkruhet në mesazhin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignatit drejtuar Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë të mitropolisë, u ndje dhe u përjetua në të gjithë qytetin e Beratit ditën e Ngjalljes së Zotit.
Këto momente janë tepër madhështore, por bëhen edhe më tepër emocionuese nëse ndjek hap pas hapi shërbesat e shenjta të Javës së Madhe, ngjarjet tronditëse të cilat të shpien në Ngjallje. Dhe padyshim ishin të shumtë shpresëtarët beratas, të cilët përjetuan këto ngjarje nëpërmjet Shërbesave të Shenjta në dy kisha të qytetit, në kishën katedrale të Shën Dhimitrit si edhe në kishën e Shën Spiridhonit.
Tradhëtia, torturat, kryqëzimi, dhe padyshim varrimi i cili u finalizua me procesionin madhështor të dy epitafeve në bulevardin kryesor të qytetit i dhuruan çdo besimtari emocione të veçanta dhe të paharrueshme.
Përfundoi kështu një javë intensive mes torturave dhe dhimbjeve, por e shpërblyer në fund me gëzimin e madh që sjell Ngjallja. Pikërisht këto donte të shprehte Imzot Ignati i cili, Natën e Ngjalljes, ndër të tjera tha: “Mishërimi dhe Ngjallja e Shpëtimtarit janë, pra, dy stacionet kulmore të veprës së Ekonomisë Hyjnore. Nëpërmjet trupëzimit të Fjalës, Perëndia hyn në histori dhe nëpërmjet ngjalljes së Tij, njeriu hyn në përjetësi! Mishërimi i Fjalës është fillimi i bekuar, ndërsa Ngjallja është mbarimi triumfues i veprës hyjnore për shpëtimin e botës. Pra, përshëndetja “Krishti u Ngjall!” le të jetë mesazhi ynë i gëzueshëm tek të gjithë njerëzit.”
Krishti u Ngjall!
Për Mitropolinë e Beratit
Joan Qako
Për Mitropolinë e Beratit
Joan Qako