Tradita e aktiviteteve në prag të Krishtlindjes frymëzoi si çdo vit nxënësit dhe mësuesit e shkollës fillore 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”. Ata u shfaqën të mirorganizuar, duke shprehur me devocion talentin e tyre përgjatë dy ditëve festive. Paraditen e 20 dhjetorit ishin fëmijët e klasave fillore (I-IV), të cilët shfaqën programin e tyre të përgatitur me përkushtim, ndërsa ditën tjetër, në prani edhe të Kryepiskopit Anastas, ishin nxënësit e klasave V-IX që me zell e entuziazëm paraqitën këngët, vallet, vjershat dhe krijimet e tyre për festat e fundvitit.

    Në këtë atmosferë, si gjithmonë përgatitja e parë është ajo e zbukurimit të ambientit. Që në hyrje të sallës së aktiviteteve në ambjentet e shkollës vihej re urimi “Gëzuar Krishtlindjet”. Por nxënësit ishin zbukuruar edhe më shumë, duke u stolisur enkas për këtë program. Dritat e bukura shumëngjyrëshe që shprehin madhështinë e këtyre festave, shoqëruar me pankartën “Ja Krishti lind, lavdërojeni” ishin skena dhe mesazhi kryesor që shërbenin si preludi më i bukur i Krishtlindjeve. Programi nisi me përcjelljen e mesazheve nga ana e fëmijëve si për t’i lajmëruar njerëzit se po afron Lindja e Shpëtimtarit dhe të gjithë duhet të bëhen gati. Në vazhdim, nxënësit e kësaj shkolle kënduan këngë, recituan poezi, luajtën në piano jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht dhe greqisht, duke shprehur njëkohësisht edhe talentet e tyre në fusha të ndryshme.

    Aktiviteti u shoqërua nga prezenca e shumë prindërve, miqve dhe dashamirësve të shumtë, të cilët i duartrokitën me kërshëri dhe i uruan përzemërsisht fëmijët e qeshur dhe të emocionuar.
 
I.Koti