Lufta kundër varfërisë dhe mënjanimit social. Kjo është tema qëndrore e numrit të ri të revistës “Kërkim” për periudhën Maj-Gusht 2010. Në bashkëkohësi me zhvillimet aktuale, kjo revistë periodike e Kishës sonë hedh dritë përmes këndvështrime theologjike, shkencore dhe kulturore mbi çështjen që po shqetëson mbarë njerëzimin, krizën ekonomike. Autorët e artikujve janë pena të njohura, studiues, personalitete të çështjeve sociale e kulturore.
“Fetë dhe varfëria në botë” është titulli kryesor i këtij numri, shkruar nga Kryepiskopi Anastas, i cili pasohet nga zëra të tjerë të shkencës si Prof. Ilia Telo, i cili hedh disa teza për mënyrën si mund të reduktohet varfëria në vendin tonë, e më tej artikulli i Prof. Galantina Canco për zvogëlimin e këtij fenomeni si një çështje për emancipimin shoqëror. Vlen të veçohen edhe artikuj të tjerë që vijnë nga Arkimandrit Justini, i cili shkruan për problemin e parasë, sociologu i njohur Gëzim Tushi për varfërinë në vendin tonë në vitet e tranzicionit, këndvështrimi i misionares Anastasia P. Barksdale për kapitalizmin ateist në Shqipëri etj.
Gjithashtu në këtë botim publikohet edhe raporti mbi situatën sociale globale 2010 i Departamentit të Ekonomisë dhe Punës Sociale të OKB-së si dhe dokumenti i kontributit të Kishavë Europiane për vitin 2010 rreth luftës së varfërisë dhe mënjanimit social. Revista “Kërkim” gjendet në të gjitha enoritë e vendit tonë me një çmin simbolik dhe shërben për informimin dhe formimin e çdo lexuesi që kërkon të gjejë horizonte të reja mbi faktet dhe perspektivën e realitetit që na rrethon.
Isidor Koti