Kohët e fundit kemi lexuar me vëmendje artikujt në “Gazetën Shqiptare” të historianit Kristo Frashëri, për të cilin kemi pasur konsideratë lidhur me kontributin që ka dhënë në fushën e historiografisë. Me keqardhje vërejmë se në shkrimet e lartpërmendura z. Frashëri keqinterpreton problemet e Kishës sonë, duke i trajtuar ato politikisht. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë e ortodoksëve të Shqipërisë. Atë nuk mund ta keqpërdorin as persona të besimeve të tjera, as ndonjë me origjinë ortodokse, por që ateizmi i rrënjosur në shpirt gjatë monizmit e ka larguar me kohë nga komuniteti ynë.
Kryepiskopi Anastas, për mungesën e jashtëzakonshme të kuadrove fetarë, erdhi në Shqipëri me kërkesën e besimtarëve ortodoksë dhe për këtë mori edhe miratimin zyrtar të kryetarit të shtetit, Presidentit të Republikës. Ardhja e Tij u përshëndet nga Patriarkana e Kostandinopojës, nga Kishat motra, nga Kishat e tjera të Krishtera që e njihnin mirë veprën e tij Ekumenike, si edhe nga autoritetet e larta të Parlamentit Evropian.
Në numrin e gazetës së mësipërme më 20 shtator 2010, z. Frashëri kishte botuar një përgjigje ndaj një shkrimi të Kryepiskopit Anastas, në të cilën ky i fundit hidhte dritë mbi një sërë akuzash të pabazuara të bëra ndaj tij. Në ditët që vijuan, gazeta ribotoi tekste të viteve të kaluara për të mbështetur, qoftë edhe fare pak, mendimin e z. Frashëri se Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas nuk u krye rregullisht në kishën katedrale të Tiranës. Kështu, z. Frashëri shkruan: “Të gjithë e mbajnë mend se ceremonia solemne për fronëzimin e tij në kishën katedrale të Hyjlindëses në Tiranë, dështoi për shkak të kundërshtimit të besnikëve të krishterë, të pranishëm në ceremoni”.
Por, e vërteta qëndron krejt ndryshe dhe besimtarët e pranishëm në kishë kujtojnë të tjera fakte nga këto që duan të na servirin! Në këtë ceremoni morën pjesë shumë të krishterë ortodoksë, të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë. Si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi dhe anëtarë të Kishës Orthodhokse, duam të theksojmë vetëm dy të vërteta të thjeshta: Së pari se disa nga ne që nënshkruajmë këtë artikull, jemi dëshmitarë okularë, prezentë në Fronëzimin e Kryepeshkopit Anastas, më 2 gusht 1992 dhe, kemi thirrur nga zemra “i denjë”.
Në fund të ceremonisë, një grup i vogël, nën drejtimin e deputetit të asaj kohe, z. Butka, pinjoll i një familjeje të njohur anti-orthodhokse, të mbështetur jashtë kishës edhe nga deputetët joorthodhoksë, të njohur për qëndrime ekstremiste Baleta e Reso, u përpoqën pa sukses të turbullojnë ceremoninë që ishte kryer dhe kishte përfunduar. Ata kryen kështu vetëm një përdhosje të papranueshme ndaj besimit tonë të një vendi të shenjtë. Nisur edhe nga artikulli i z. Xoxe, që e ribotoi “Gazeta Shqiptare” (22.9.2010), por edhe nga intervista e z. Bardhyl Fico, zbulohet se ky veprim nuk ishte aspak spontan por ishte planifikuar një ditë më parë në ambiente jo orthodhokse. Së dyti, ne dëshmojmë se ceremonia e Fronëzimit filloi dhe mbaroi në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, sipas kanoneve të Kishës Orthodhokse.
Në nderim të Fronëzimit të Kryepeshkopit Anastas u shtrua vetëm një drekë në Hotel Tirana Internacional, që është ndërtuar pikërisht në atë vend ku dikur ka qenë kisha katedrale e Tiranës. Theksojmë këtu se z. Frashëri, duke mos qenë pjesëmarrës vetë në këtë ceremoni, shtrembëron të vërtetën, duke përdorur copa artikujsh antiortodoksë, duke u përpjekur të ngatërrojë drekën në hotel me çastin e fronëzimit në kishë. Është për të ardhur keq që një historian, i cili në vend të merret me faktet, e mbështet artikullin e tij mbi shkrime ekstremiste me akuza ordinere, siç është rasti i pamfletit qesharak për Himarën, dhe bën të vetat pozicione të kapërcyera nga historia, diskriminuese për kategori të caktuara të shoqërisë e minorancat, të cilat janë në kundërshtim të plotë me parametrat e një shoqërie demokratike dhe me ëndrrën e shqiptarëve për t’u rikthyer përsëri pas më shumë se 500 vjetësh në gjirin e familjes evropiane.
Duke u nisur nga emri dhe origjina, çuditemi se si z. Frashëri, ky përmetar me prejardhje ortodokse, kërkon që një vend i shenjtë për ne orthodhoksët, kisha e vjetër shekullore ortodokse “Shën Maria e Pazarit”, në Përmet, të kthehet në pallat kulture. Është e ditur se, pas vitit 1967, kjo kishë u kthye në pallat kulture, por këtë fakt z. Kristo Frashëri, për arsye të botëkuptimit të tij ateist, nuk i vjen mirë ta përmendë. Ne ortodoksët e Beratit, ashtu si dhe qytetarët ortodoksë të Përmetit dhe të gjithë Shqipërisë jemi të sigurt se kjo godinë do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve të saj, ashtu siç i janë kthyer kisha e Shën Prokopit në Tiranë, e Shën Nikollës në Kavajë, Manastiri i Ardenicës në Lushnjë, si edhe shumë kisha të tjera në të gjithë Shqipërinë. Nga z. Frashëri, në gjurmë të të parëve të tij, ne do prisnim prej tij të kundërtën, pra që ai të interesohej dhe të mbronte të drejtën e Komunitetit Orthodhoks për të rimarrë vendet e shenjta që u shkatërruan nga regjimi monist. Të bën përshtypje frazeologjia plot urrejtje patologjike kur në shkrimin e tij ai shprehet: “A. Janullatusi është Kryepiskopi i pleqve dhe i plakave”. Këtu, z. Frashëri tregon se nuk ka respekt për të moshuarit duke harruar se edhe ai vetë është një 88të vjeçar i moshuar. I bëjmë të ditur z. Frashëri se Kryepiskopi Anastas është jo vetëm i të moshuarve por, i besimtarëve ortodoksë shqiptarë të gjitha moshave, që nga fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit.
Z. Frashëri duhet të qartësohet edhe kur ai thotë se “u mblodhën 400 vetë”, (shifër që nuk është e vërtetë), në të ashtuquajturin “Komitet të Autoqefalisë”, të organizuar dhe të drejtuar nga Butka e Baleta, -gjithë këta janë një pikë ujë në oqeanin e dhjetëra mijërave ortodoksë beratas, korçarë dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët nënshkruan në mbështetje të Kryepeshkopit Anastas. Këtu gjejmë rastin të përmendim se më 17,09,1992, një “komision fantazmë i autoqefalisë”, i përfaqësuar nga z. Petrit Bidoshi dhe z. Arjan Koja, në hajatin e kishës së Shën Spiridhonit në lagjen Goricë të Beratit, morën përgjigjen e merituar nga qindra besimtarë Ortodoksë beratas, të cilët mbështetën pa asnjë rezervë fronëzimin e Kryepiskopit Anastas. Përfaqësuesit e komisionit fantazmë, u larguan të turpëruar nga qëndrimi i vendosur i besimtarëve të qytetit tonë mijëra vjeçar, i këtij djepi të ortodoksisë dhe patriotizmit shqiptar. Dy vjet më vonë, para referendumit të 4 nëntori të vitit 1994, ortodoksët beratas kërkuan zyrtarisht Presidentit të Republikës, që të hiqte pikën 4 të nenit 7 të projektkushtetutës shqiptare, e cila e largonte Kryepiskopin nga Shqipëria, duke deklaruar botërisht se do të votonin kundër. Dhe me të vërtetë kështu ndodhi: në mbështetje të Kryepeshkopit Anastas u mblodhën mbi 80 mijë firma dhe këto ndikuan që ndërmjet shkaqeve të tjera projekt-kushtetuta të rrëzohej.
Atëherë në emër të kujt flisni ju z. Frashëri?!
Na vjen keq që z. Frashëri, në vend që të nxjerrë në dukje përparimet e gjithanshme që ka arritur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, nën drejtimin e Prof. Dr. Anastasit, bën të kundërtën, duke u përpjekur të denigrojë dhe të mohojë të gjitha vlerat dhe veprat madhështore të Kryepiskopit. Vetëm në Berat në sajë të kontributit të tij është ndërtuar katedralja e madhe e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit, ngritur nga themelet kisha e Shën Thomait, janë restauruar: katedralja e Shën Spiridhonit, kisha e Shëndëlliut, kisha e Shën Triadhës, etj. në Berat, manastiri i Shën Marisë së Vodicës, kisha e Shën Marisë në Vokopolë, kisha e Ngjalljes së Krishtit në qendër të Kuçovës, kopshti i fëmijëve dhe mensa e të varfërve, ndihma në medikamente, ushqime e veshmbathje etj.
A do të kishit mundësi ju z. Frashëri me pasuesit tuaj t’i realizonit këto në qytetin tonë?Por, po të flasim për gjithë Shqipërinë të gjithë jemi dëshmitarë se Kryepiskopi Anastas, me përkrahjen e shumë institucioneve ndërkombëtare dhe të personaliteteve të fuqishëm botërorë, ka kryer dhe vazhdon të kryejë punë të rëndësishme siç janë: ndërtimi dhe restaurimi i shumë kishave e manastireve, i objekteve sociale, kulturore, arsimore, shëndetësore në mbarë vendin tonë, të cilat janë vënë në shërbim të të gjithë shqiptarëve, pa bërë dallim në besimin e tyre. Ato që përmend Fortlumturia e Tij në fund të artikullit të tij, në lidhje me kontributin e tij për Kishën tonë Ortodokse, në fillim të viteve 90 e rrënuar, -është vetëm një panoramë modeste, e krahasuar me kontributin e tij gjigant në Kishë dhe më gjerë në shoqërinë shqiptare, gjatë epokës kritike të 19 viteve të fundit. Të gjithë ne, bashkë me ortodoksët e tjerë, jemi dëshmitarë të kontributit të tij unikal shumëdimensional. Z. Frashëri duke mohuar gjithë këto arritje tregon se i mungon mirënjohja, ky tipar themelor i moralit njerëzor.
Në këtë mënyrë, Kryepeshkopi Anastas po kryen me sukses misionin apostolik, domethënë edukimin fetar dhe ngritjen e nivelit shpirtëror të besimtarëve. Ai vazhdimisht ka pasur dhe ka në qendër të vëmendjes së tij forcimin e harmonisë midis komuniteteve fetare në Shqipëri, konsolidimin e miqësisë vëllazërore midis popullit shqiptar dhe fqinjëve të tij, si dhe përfaqësimin dinjitoz të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare fetare dhe laike. Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas si President i Këshillit Botëror të Kishave, si Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave, si dhe zgjedhja, në vitin 2006, si President nderi në Konferencën e Feve për Paqen, organizata më e madhe fetare në botë, tregon më së miri personalitetin e tij të padiskutueshëm, me të cilin ne besimtarët orthodhoksë krenohemi që e kemi në krye të Kishës sonë.
Sot Kisha Orthodhokse, Kryepeshkopi, Sinodi i Shenjtë, Statuti dhe organizmat e saj njihen nga Kushtetuta dhe shteti si të vetmit përfaqësues të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë. Po kështu, Kisha jonë dhe Kryepeshkopi i saj njihen si asnjëherë tjetër në histori nga të gjitha Kishat motra Ortodokse, nga të gjitha Kishat e Krishtera të Botës, por edhe më gjerë.
Qytetarët Ortodoksë të Beratit:
Ilia Zaka, Kiço Kolani, Miltiadh Veveçka, Xhovan Kajana, Arqile Shyti, Anxhelo Simsia, Ilia Koçi, Albano Subashi, Niko Fani, Gabriel Shani, Spiro Vogli, Petraq Laçka, Stela Qako, Joan Qako, Kozma Shyti, Thanas Cimbidhi, Sotiraq Tapia, Pali Vishnja, Lina Simsia, Fanie Mingo, Sifi Angjeliu, Aneta Bushamaku, Valentina Baba, Qiriako Stefani, Dhori Sinjari, Mihallaq Kote, Ferdinant Janinoti, Miron Liko, Nasi Fero, Vsilika Garuli, Marjana Garuli, Elpiniqi Filipi, Edmond Filipi, Ariola Gallani, Sotiraq Mishaxhiu, Mihal Pjetri, Anstas Xhymerteka, Xhulieta Koçi, Vladimir Prendi, Elenita Andoni, Kozma Nikolla, Anastasi Dodi, Stavri Garuli, Llambi Proko, Vasili Sinjari, Ilia Gjogu, Vangjeli Kolani, Sotir Gjoka, Xhoxhi Stefa, Llambi Teneqexhi, Elion Kosica, Sotiraq Frashëri, Liri Shulla, Margarita Mihali, Llambrini Sinjari, Vasil Zaka, Kosta Leka, Gjinovefa Sako, Elena Teneqexhiu, Dhimitër Tapia, Aneta Tapia, Luena Golemi, Lefteri Kosova, Irena Dervishi, Lisobie Kosova, Thomaidha Gjoka, Theodhor Teneqexhiu, Aurela Kullau, Samson Lako, Llazar Kajana, Romeo Çilingire, Marie Çilingiri, Sokrat Tanku, Irakli Meroli, Pandi Shulla, Xhoxhi Saveta, Xhovan Doga.