Kushdo e mban mend mirë se gjatë viteve 90, gazeta të ndryshme të shtypit shqiptar dhe Mas Medias, përgjithësisht, kanë qenë tejet të mbushura me artikuj, pronocime dhe daklarata që në qendër të tyre kishin Kryepeshkopin Anastas të Kishës Orthodhokse Autoqefale te Shqipërisë, artikuj me tema tërësisht bajate deri të neveritshme, me autorë shpesh pseudointelektualë, pseudopatriotë dhe mbi të gjitha dashakeqë ndaj Besimit Orthodhoks. Përgjithësisht kudo flitej për kalë troje, për gjëmën e madhe që e kishte gjetur Kishën Orthodhokse, që në krye të saj kishte një Kryepeshkop, mëkati i vetëm i të cilit ishte përkatësia etnike. Ky ishte elementi kryesor dhe i vetëm i aludimit mbi shumë  të këqija që do ta gjenin kombin tonë dhe Kishën Orthodhokse. Shumë nga artikuj shkruesit apo edhe organizatorët e ndonjë tubimi mjeran, sot pothuajse janë harruar dhe megjithëse në atë kohë mund të konsideroheshin edhe si potenciale në efiçencë apo edhe në pritje për politikën dhe shoqërinë shqiptare sot nuk po dëgjohen më.
 
    Paralelisht me këto zëra në mbrojtje të veprës së hirësisë së tij Anastas, u ngritën mijëra besimtarë, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë pavarësisht përkatësisë fetare. Me kalimin e kohës kur gjykatësi më i drejtë, koha, me dëshmimtarë veprat e hirësisë së tij, ju dhanë atyre të drejtë, konsiderohet keqdashëse pa asnjë justifikim risjellja e temave të tilla në vëmendje të publikut shqiptar. Të vjen vërtet çudi kur lexon artikujt e botuara në “Gazeta Shqiptare”në mënyrë të njëpasnjëshme të zotit Kristo Frashëri, kundër kryepeshkopit Anastas. Nuk kemi ndërmend të ndalemi tek akuzat që u botuan në to, pasi në mënyrë përbledhëse, tepër të sinqertë dhe me vërtetsi, morën një përgjigje ekselente nga kryepeshkopi. Ajo që na bën përshtypje dhe na fyen ne si besimtarë orthodhoksë të një Kishe tepër të konsoliduar, inekzistente më parë dhe tashmë me autoritet dhe reputacion ndërkombëtar, falë kryepeshkopit, është fakti se megjithëse faza e parë e mosnjohjes dhe e paragjykimit deri diku ndoshta të justifikuar për Kryepeshkopin Anastas ka kaluar dhe veprat kanë treguar të kundërtënë e atyre që u shkruan për vite me rradhë, përsëri vërejmë të gëlojë prirja për të denigruar figurën e kryebariut tonë.
 
    Shumë prej nesh u ndodhëm në Kishën e Tiranës, atë ditë të madhe të 2 Gushtit 1992, të Fronëzimit të Hirësisë së tij, kishim shkuar atje të gjithë ne korçarët që për dhjetvjeçarë të tërë, kishim mbajtur të gjallë besimin, duke përfaqësuar ata qindra gjyshër, gjyshe e prindër, që ditën ta ruanin të gjallë besimin tek Kisha Orthodhokse dhe që fshehurazi na e kishin përcjellë duke krijuar gjithmonë gjatë viteve të egra të diktaturës shoqërinë e të krishterëve në qytetin e Korçës. Të gjithë ne atje njëzëri bërtitëm Aksios dhe mbytëm britmën e ngathët dhe djallëzore të disa njerëzve të papërgjegjshëm që vetëm atë ditë ndoshta panë derën e kishës, pasi as më përpara nuk e kishin parë dhe as besoj ta kenë parë më që atë ditë, për faktin e thjeshtë se ose i përkisnin besimeve të tjera, dhe janë pinjollë të atyre që realisht kanë fituar titullin me bëmat e tyre të luftonjësve të Orthodhoksisë, ose ishin ateistë që asnjëherë nuk kishin treguar ndonjë interes për besimin.
 
    Çdo i krishter i mirë është edhe patriot i mirë, por jo vetëm kaq, përderisa beson tek jeta e përtejshme duhet së pari që të aspirojë atdheun e përbashkët të të drejtëve që është në qiell afër Zotit, kjo është arsyeja që gjërat duhet të thuhen siç janë dhe jo të gjymtohen. Pikërisht ata qindra zëra që pohuan denjësinë e Kryepeshkopit Anastas, donin përparimin e Kishës dhe të Besimit, koha tregoi se kishin të drejtë, denjësia e tij u sprovua në kalvarin e gjatë të ringritjes së gjithçkaje që kishte të bënte me besimin si dhe me kontributin e tij të paçmuar në momentet më deçizive që kaloi vendi dhe populli ynë. Na habit fakti se tema bajate të trajtuara 18 vjet më parë me bazë paragjykimin dhe shpifjen rivijnë në vëmendje të lexuesit nëpërmjet citimeve tuaja duke u bërë ofenduese. Kjo tregon se përsëri segmente të erëta janë vënë në efiçencë kundër besimit, sepse nuk e kuptojmë dot se si edhe sot mbas 18 vjetësh arrihet të deformohet çdo fakt dhe të trumbetohet gjoja jokanonizmi i atij që ngriti e rikrijoi Kishën tonë Orthodhokse me tre mitropolitë shqiptarë dhe një arvanit, që ndoshta do parapëlqenit ta quanit edhe atë të huaj. Nuk dimë ndonjë patriot të mirë, shqiptar me gjak të kulluar ndër politikanë apo edhe intelektualë që përveç fjalëve të ketë bërë diçka realisht për popullin dhe vëndin e vuajtur, në këto 20 vjet, diçka që ti shërbejë një popullate apo qoftë edhe një komuniteti të caktuar, pa ndonjë përfitim, pa u bërë milioner nga hiçi, nuk dimë bile as ndonjë patriot shqiptar të zjarrtë të diasporës të ketë vënë qoftë edhe një tjegull në ndonjë kishë të vendit, apo të ofronte shërbimet e tij të përhershme këtu.
 
    Përkundrazi është ky i “huaj” që diti ta ringrinte dhe ti jepte një autoritet që kurrë nuk e ka pasur në arenën ndërkombëtare Kishës sonë Orthodhokse dhe për pasojë vendit tonë. Ky i “huaj” dorëzoi qindra priftërinj shqiptarë, të arsimuar në shkollën teologjike shqiptare që me aq mundim e ngriti që me ardhjen e tij këtu, ky i “huaj” ringriti kishat tona të shkatërruara kudo edhe në Përmet, kisha e shën Marisë atje duhet të funksionojë, bëhet fjalë për një kishë historike për të cilën flet edhe Kodiku i Shenjtë i Mitropolisë së Korçës. E pra, restaurimi i vlerave nuk mund të quhet sakrilegj apo krim kombëtar, e kundërta kthimi i shtëpisë së Zotit në vatër culture, ka qenë një veprim i turpshëm dhe kur e drejta e Zotit vihet në vend nga njeriu ju përpiqeni të fajësoni. Pra puna dhe jo guna është ajo që përcakton një njeri, kualitetin dhe predispozicionin e tij. Mendojmë se të flasësh me gjuhën e fillimit të vitit 90 për një figurë tepër të nderuar është një anakronizëm dhe një dashakeqësi. Kryepeshkopi Anastas i duhet Kishës sonë Orthodhokse dhe do të qëndrojë Kryebari shpirtëror deri në fund përderisa atë e duan dhe e vlerësojnë ata që përbëjnë realisht grigjën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Nga përvoja e baltologjisë të viteve 90, kemi kuptuar se në shënjestër të goditjeve nuk është aspak ai, por Besimi dhe Kisha jonë Orthodhokse e ringritur prej tij. Këtë gjë e di kushdo, tashmë më tepër se atëherë kur u ndërtuan edhe ligje për ekstradimin e tij, mjafton të kujtojmë rezultatin e votimeve për Referendumin në vitin 1994, kur të paktën në qytetin e Korçës të krishterë dhe myslymanë, të majtë dhe të djathtë, votuan kundër, vetëm për arsye të nenit që rrezikonte qëndrimin e hirësisë së tij në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.
 
    Koha tregoi se ata kishin të drejtë në këtë pikë, tashmë kur kanë kaluar kaq vjet qysh atëherë dhe Institucioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale ka qenë në vend një faktor paqeje, mirëkuptimi, ndihme dhe shprese për të gjithë popullin tonë, dhe kjo falë kryepeshkopit Anastas. Simpatia e atëhershme ndaj personit të tij është kthyer në një bindje të thellë përsa i përket misionit të tij të vetëm që kryen këtu, atij të kryebariut shpirtëror. Pavarësisht keqinterpretimeve, apo marrjes jashtë kontekstit të prononcimeve të tij, në këtë rast nga ana e një historiani, dielli nuk mbulohet me shoshë. Kryepeshkopi ynë është kanonik tepër i pëlqyer nga grigja e tij dhe i pa të metë në misionin që i është ngarkuar. Eshtë e palejueshme zoti historian që njerëzit të shërbejnë si valvola të shfryrjes së urrejtjes apo racizmit, për veprime apo situate që fabrikohen tjetërkund dhe akoma më e pafalshme, kur vala goditëse e atij që shërben si valvol ju drejtohet figurave të nderuara dhe aspak të kompromentuara. Për ta përmbyllur na lejoni të përdorim fjalët e një kleriku orthodhoks të Amerikës më parë mosbesues ndaj misionit dhe figurës së Krepeshkopit Anastas, i cili mbasi pa veprën e ndërtuar prej tij në Shqipëri tha se po të ishte gjallë Fan Noli do të thonte se në personin e kryepeshkopit Anastas, Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale Shqiptare përjetoi dëshirat dhe aspiratat e saj.
 
 
DR.Vasil Tushi, DR.Pirro Gjançi, Vangjush Themeli
PR.Jonela Spaho, PR.Ilda Lubonja.