Me këto fjalë, biografi i hirshëm, karakterizon personalitetin e shenjtë dhe punën e hierodëshmorit shën Kozma, i cili kremtohet çdo 24 Gusht.
    Me qindra besimtarë u mblodhën dhe sivjet ne Manastirin e hirshëm të Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit, të cilët ndoqën dhe morën pjesë në Liturgjinë e Shenjtë të drejtuar nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignati.
     Shën Kozmai zbukuron botën me jetën e tij të shenjtë, me mësimdhëniet e tij të frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë, me përfundimin e tij martirik të lavdëruar. Figura, si shën Kozmai i Etolisë, rrallë shfaqen në skenën e historisë njerëzore.
     Një referim i shkurtër rreth jetës dhe ofresës së tij, do të ketë shumë dobi shpirtërore.
    Kosta, u quajt në pagëzimit e shenjtë. Lindi më 1714 në fshatin Megalo Dhendro të Etolisë, prandaj dhe quhet Etolosi. Prindërit e tij ishin shpresëtarë dhe e rritën “me edukimin dhe këshillat më Zotin”. Që i vogël tregonte një prirje të madhe dhe gatishmëri për Besën dhe Shkrimet. Nga mësuesit e urtë të atdheut të tij mësoi shkrimet e Hirshme dhe klasike. Pas studimeve të tij u emërua mësues. Dhe, kur më vonë u hap shkolla e famshme Athoniadha, në Malin e Shenjtë, la profesionin e mësuesit dhe u regjistrua atje, ku mori mësime më të larta nga pedagogë të shquar.
    Në vitin 1759 u bë mura në manastirin e Filotheut dhe mori emrin Kozma. Më pas u hirotonis prift. Me zell të madh iu përkushtua ushtrimit murgjëror dhe luftës shpirtërore. Por Kozmai nuk gjente prehje në manastir. Ideja se vëllezërit e tij në botë ishin të robëruar dhe vuanin, e torturonte dhe mendonte të dilte nga Mali i Shenjtë dhe të punonte për këtë qellim, edhe pse në dëm të interesit të tij shpirtëror.
    Shkëndija u ndez brenda tij kur lexoi vargun e Shkrimit të Shenjtë: “Askush le të mos kërkojë të mirën e tij; por secili të tjetrit” (I Kor. 10:24). Imazhi i epokës së tij, nga pikëpamja fetare dhe shpirtërore, ishte i mjerë për popullin e Perëndisë. Kudo, dhe veçanërisht në krahinat malore, priftërinjtë ishin të rrallë, njerëzit vdisnin pa u pagëzuar dhe pa shërbesa kishtare. Shkolla nuk ekzistonin. Padije dhe errësirë kishte në shpirtrat e njerëzve. Të gjitha këto, plus privimet materiale dhe pasojat e skllavërisë, krijonin një gjendje të egër dhe primitive. Vjedhjet, hakmarrjet, barbaritë, mbretëronin. Por gjëja më e tmerrshme, që kërcënonte zhdukjen e plotë të gjinisë orthodokse, ishte islamizimi. Shumë njerëz nuk mund t’i përballonin taksat e rënda dhe kërkonin vetë, që të bëheshin muhamedanë. Fshatra të tëra dhe krahina islamizoheshin bashkë me priftërinjtë dhe kështu humbnin besimin e tyre, gjuhën dhe ndërgjegjen kombëtare.
*  *  *
    Kozmai shkoi në Kostandinopojë, ku u takua me vëllanë e tij, Krisanthin, i cili ishte pedagog i shkollës së atjeshme patriarkale dhe ndaj të cilit, stafi patriarkal kishte vlerësim dhe besim të madh. Nëpërmjet tij njohu patrikun, Serafimin e dytë dhe kryepriftërinj të tjerë, të cilët e mbështetën shpirtërisht në përpjekjen e tij. Dhe kështu mori zyrtarisht miratimin patriarkal dhe bekimin që të fillojë predikimin tek populli i robëruar. Kështu në 1760, Kozmai, në moshën 46 vjeçare, filloi veprën e tij misionare që zgjati 20 vjet dhe të cilën e vulosi me martirizimin e tij.
    Shën Kozmai bëri katër udhëtime të mëdha në vende të ndryshme të Greqisë, vepër shumë e mundimshme për atë periudhë. Shkoi në Thrakë, në Malin e Shenjtë, në Greqinë qendrore, në Akai, në Thesali, në Maqedoni, në Epir, në ishujt e detit Jon dhe Egje, në pjesë të Serbisë, dhe në Shqipëri. Predikoi në qytete, fshatra, në zona malore dhe të veçuara, shumë herë në kushte tepër të vështira, me durim të hekurt. Predikimi i tij kishte karakter fetar dhe etiko-shoqëror. Theksonte, veçanërisht, qëndrimin në besën ortodokse. Dashuria ndaj Perëndisë dhe dashuria ndaj të afërmit, ishin dy polet rreth të cilave vërtitej predikimi i tij. Shprestaria ndaj Perëndisë duhej të shfaqej edhe me pushimin gjatë ditës së diel, gjë që e shkelnin hebrenjtë. Por, me gjithë kundërshtimin e hebrenjve ia arriti suksesit t’i transferojë pazaret, nga dita e diel, në ditën e shtunën. Dashuria ndaj njerëzve duhej të shfaqej edhe me lëmoshën dhe veçanërisht me dhimbsurinë ndaj fëmijëve jetimë dhe të varfër.
    Shumë herë, në udhëtimet e tij, shoqërohej nga shumicë priftërinjsh, të cilët më pas shpërndaheshin dhe i përsërisnin fjalimet e tij në popull. Kudo ku kalonte, predikimi i tij shkaktonte tërmet ndërgjegjesh dhe ndjenja pendimi. Ish armiqtë pajtoheshin midis tyre. Vjedhësit kthenin ato që kishin vjedhur. Kaçakët zbuteshin, të shthururit bëheshin të urtë. Gratë aristokrate jepnin stolitë e tyre për vepra bamirësie. Dhe, më e rëndësishmja është se pushoi valën e islamizimit.
*  *  *
    Shën Kozmain e respektonin shumë edhe turqit, kurse hebrenjtë e urrenin për vdekje. Hebrenjtë e Epirit shpifën tek prijësit turq, i dhanë para Kurt Pashait të Beratit dhe kështu arritën të merret vendimi për vdekjen e tij. Kur xhelatët turq e çuan në vendin e ekzekutimit dhe e lajmëruan për dënimin e tij, Shenjtori u përgjunj dhe falënderoi Perëndinë që e denjësoi të pranojë sakrificën e tij. Më pas u ngrit, bekoi katër anët e horizontit, u lut për të gjithë të krishterët, që të ruajnë urdhrat e Perëndisë dhe uli kokën tek xhelatët që të shkonin litarin rreth qafës së tij.
    U var në një pemë dhe u martirizua më 24 gusht të vitit 1779. Një ditë më parë, kur larguan nga burgu nxënësit e tij dhe atë e mbajtën, kishte thënë vargjet e psalmit: “Kaluam përmes zjarrit e ujit, dhe na nxore në vend qetësimi” (Psal. 65:12).
     Lipsanin e tij, xhelatët, e hodhën në lumë, pasi më parë i kishin lidhur një gur të rëndë në qafë. Pas përpjekjesh treditëshe të pafrytë, trupi i tij u gjend, u nxor nga uji dhe u varros në fshatin Kolkondas, në manastirin e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, mbrapa Ajodhimës, nga prifti Atë Marko.
     Më vonë Ali Pasha, për jetën e të cilit kishte parathënë shën Kozmai, në vendin e varrit të tij, me ndihmën e të parëve të Kishës vendore dhe me shpenzime të tija, ngriti tempull madhështor. Me hirin e Perëndisë, në periudhën e regjimit ateist, lipsanet e tij çudibërëse u ruajtën të paprekura. Kështu, prezenca e shenjtorit është edhe sot e gjallë dhe përbën për të gjithë të krishterët Ortodoksë një bekim të madh. Jeta dhe vepra e shën Kozmait ka shumë ngjashmëri me atë të Apostujve të Zotit dhe veçanërisht me të apostull Pavlit, dashurinë e zjarrtë ndaj Zotit Krisht, të të cilit imitoi. Pas vdekjes martirike të krishterët e konsideronin shenjtor. Zyrtarisht, Patriarkana Ekumenike e shpalli shenjtërimin e tij, me vendim sinodik patriarkal, më 20 Prill të vitit 1961.
*  *  *
    Shën Kozma Etolosi, i dobët si skelet, i zbardhur dhe i lodhur, i mbështjellë me rason e tij të leshtë, me torbën e tij mbi sup, me shkopin në dorë, i kërrusur, ngjitet në majat e maleve dhe zbret në thellësitë e shpirtrave të njerëzve të çdo epoke dhe përsërit ndaj tyre dhe ndaj shpirtrave tanë: “Në jetën tuaj keni rrugë për të bërë, në udhëtimin tuaj peripeci, në historinë tuaj luftëra kundër padrejtësisë, padijes, injorancës, urrejtjes, pasioneve, mashtrimeve, paudhësive, smirës, krimeve. Luftoni. Fitorja fshihet në gjoksin e njerëzve. Perëndisë i përkisni, për tek Ai drejtoheni. Dhe kur të arrini, të dini se fituat në jetë”! Këto na thotë hierodëshmori i shenjtë Kozma, kleriku i zjarrtë, të cilin me madhështi e nderon Kisha jonë e shenjtë. Amin.
Joan Qako