Të mërkurën, më 17 nëntor 2010, në mjediset e Hotel Tirana International Bashkia e Tiranës paraqiti projektin për një muze të bashkëjetësës fetare. Në ketë takim morën pjesë dhe përshëndetën edhe përfaqësuesit e të katër Komuniteteve Fetare tradicionale. Vumë re me keqardhje se në gazetën tuaj të datës 18 nëntor, në shkrimin përkatës, nga gazetarja Ermelinda Hoxhaj ishte bërë një paraqitje e deformuar e veprimtarisë. Në asnjë rresht të tij nuk përmendej pjesëmarrja dhe përshëndetja e përfaqësuesit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa Komunitetet e tjera Fetare jo vetëm përmendeshin, por në tri kolona të veçanta ishin vendosur emrat, funksionet, si dhe citime nga përshëndetjet e tyre. Edhe më i çuditshëm e tendencioz ishte përcaktimi i priftit katolik Dom Gjergj Meta si përfaqësues edhe i Komunitetit Orthodhoks!
Kjo mënyrë paraqitjeje dhe diskriminimi e njërit nga Komunitetet Fetare tradicionale cënon harmoninë dhe barazinë fetare, për të cilën vendi ynë është krenohet e për të cilën flitet nga të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, si edhe nga gazeta juaj, siç ishte edhe qëllimi i aktivitetit në fjalë. Gjithashtu, mendojmë se, kjo mënyrë paraqitjeje nuk pasqyron standardet e një media korrekte, të lirë, të emancipuar dhe të pavarur që pretendon të pasqyrojë frymën dhe kulturën evropiane në Shqipëri.
Mbetemi me shpresën se gabime të tilla nuk do të përsëriten më në të ardhmen.
Tiranë, 25. 11. 2010
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë