
Të dielën, 20 qershor, në kishën e Kryeengjëjve në Varrosh, Fortlumturia e Tij, së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësinë e Tij Dhimitrin, kryesoi Liturgjinë Hyjnore Arkihieratike. Kisha ishte e mbushur përplot me besimtarë jo vetëm nga qyteti, por nga të gjitha zonat e Mitropolisë. Binte në sy edhe prania e shumë të rinjve nga grupet e katekizmit dhe shkollat e Kishës sonë.
Kryepiskopi, në predikimin e tij, duke iu referuar Ungjillit të ditës dhe historisë së mrekullueshme të centurionit që tregohet në të, i nxiti edhe një herë tjetër besimtarët të përpiqen akoma më shumë që të përforcojnë, të shtojnë dhe të kultivojnë besimin e tyre. Besimi Orthodhoks është i gjallë, është një marrëdhënie personale me Krishtin Perëndi, nuk është thjesht një sistem vlerash dhe rregullash morale. Dhe që të përforcohet ai, sikundër tregon edhe historia e Ungjillit të ditës, besimin tonë duhet ta manifestojmë me dashurinë ndaj të tjerëve dhe këtë dashuri ta shprehim me përulësi.


Shërbesa ishte një rast që Kryepiskopi të theksojë edhe një herë tjetër rëndësinë që ka ndërtimi i një kishe të re orthodhokse, si qendër lutjeje, vëllazërimi, paqtimi social, e cila duhet të rrezatojë kudo dashuri. Kryepiskopi foli gjithashtu për ndjeshmërinë dhe përkujdesjen e Kishës Orthodhokse për arkitekturën e zgjedhur dhe për të bukurën në përgjithësi. Në këtë kuadër, bashkë me ndërtimin e Kishës, do të ndërhyhet edhe në gjithë territorin përreth, duke e kthyer atë në një mjedis të bukur, që do t’i shtohet qytetit dhe që ka për të ngritur vlerën e gjithë zonës ku ndodhet. Por edhe vetë ndërtesa ka për të shtuar shumë elementë hijeshie arkitekturore në një qytet që është i famshëm për arkitekturën e veçantë.
Korrespondenti i gazetës “Ngjallja”
![]() |
![]()
|

