Atmosfera në kishë dhe në oborrin e saj dhe në të gjithë qendrën e fshatit ishte e gëzuar dhe festive. Ishin të ngrohta fjalët që të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël, kishin për të thënë për Kryepiskopin, falënderimi i tyre ishte nga shpirti. Dukej lehtë se në veçanti të rinjtë, ndonëse larg vendlindjes ndjekin me kujdes gjithçka që realizohet në Kishën tonë nën frymën e urtë të Kryepiskopit dhe ndihen për këtë krenarë. Ishin të shumtë që ia thoshin këtë gjë Atit tonë shpirtëror: na bën të ndihemi krenarë kudo ku jemi dhe punojmë dhe jetojmë.
Për ta bërë më konkrete atmosferën e gëzimit dhe si për të dëshmuar fuqinë dhe guximin që jep të besuarit e thellë tek Perëndia, ditë veç të tjerash në qendër të fshatit Dhrovjan ishte organizuar edhe ceremonia për përurimin e ujësjellësit të fshatit. Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Ajazmës në një çezmë të ndërtuar në mënyrë tradicionale, e cila pikërisht do të përjetësojë këtë vepër që zgjidhi nevojën më jetësore të banorëve. Falë kontributit financiar, por kryesisht besimit që ngjalli te komuniteti i banorëve se kjo vepër mund të realizohej, i tërë ky ujësjellës u realizua në tre vitet e kaluara nga Kryepiskopi.
Në këtë gëzim të veçantë ishin të pranishëm edhe Zv/Prefekti i Sarandës Gj. Mano, deputeti dhe Kryetar i PBDNJ V. Dule, Kryetari i Komunës Th. Kaishi etj. Kryeplaku P. Taçi mbajti fjalën e rastit mbushur me falënderime sepse Kryepiskopi para disa vjetësh ndihmoi edhe në përmirësimin rrënjësor të rrugës automobilistike dhe në restaurimin e kishës.
(Korresp. i gazetës “NGJALLJA”)