Duke lënë Tiranën, apo enori të mëdha qytetesh, dhe duke treguar edhe një herë tjetër në fakt kujdesin për gjithë Kishën, të cilës i ka falur gjithë dashurinë, mundin dhe kohën e tij për 19 vjet me radhë, edhe këtë vit Kryepiskopi Anastas zgjodhi të kremtojë Fjetjen e së Tërëshenjtës Mari në periferi. Fortlumturia e Tij në atmosferën e bukur që krijon kjo e kremte, ishte për tri ditë në disa zona të Mitropolisë së Gjirokastrës.
* * *
Në fund te shërbesës Kryepiskopi u foli besimtarëve për figurën e së Tërëshenjtës Mari, pozicionin e saj në Kishën Orthodhokse dhe jetën e saj adhuruese. Duke ju referuar tropareve që psallen gjatë gjithë periudhës para të kremtes së Fjetjes, tropare mallëngjyese dhe prekëse, Kryepiskopi u tha besimtarëve se veç të tjerave ne i lutemi Nënës së Zotit Krisht të falë në zemrat dhe shpirtrat tanë gëzim. Nuk jemi një besim i trishtimit dhe melankolisë por një besim i gëzimit dhe haresë. Dhe burimi i gëzimit tonë nuk është një arsye çfarëdo por vetë dhuruesi i tij Zoti Krisht. I nxiti orthodhoksët që të kenë vazhdimisht sytë e lutjes së tyre të kthyera nga e Tërëshenjta Mari, ta kenë atë shembull për imitim në bindje dhe përulësi, ta rrënjosin thellë në shpirtin e tyre ikonën e saj.
* * *
Edhe këtu Kryepiskopi pati rastin tu flasë dhe t’i nxisë në një besim më të thellë, më të gjallë, më të nxehtë tek Zoti Krisht me ndihmën dhe ndërmjetimet e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari. Edhe një herë tjetër Kryepiskopi i mëshoi idesë se Orthodhoksët guxojmë dhe jemi entuziastë edhe kur të gjithë përpiqen të theksojnë anët e errëta të jetës, guxojmë të shpresojmë edhe kur të tjerët përpiqen të na çorientojnë në vështirësitë e krizave, të konflikteve etj. Dhe kjo shpresë e jona, ky entuziazëm dhe optimizëm nuk janë kot, nuk janë bosh: e kanë zanafillën dhe ushqehen vazhdimisht nga besimi ynë tek Zoti i gjithësisë, mbështeten te lutja jonë. Edhe një herë foli për figurën e Tërëshenjtës, për mënyrën sesi nderohet ajo realisht, jo thjesht duke ndezur qiri dhe llambadhë në ikonën e saj, por duke e mbajtur të ndezur këtë llambadhë në zemrat tona. Besimi ynë Orthodhoks nuk është vetëm dashuri, tha Kryepiskopi, është edhe gëzim dhe këtë gëzim dhe hare në zemrat tona e fal Krishti Perëndi me ndërmjetimet e Nënës së Tij të Pacënuar.
* * *
Në predikimin e ditës Kryepiskopi u foli përsëri besimtarëve për të Tërëshenjtën Mari, për hirin e saj që na mbledh çdo vit, por edhe për fuqinë e ndërmjetimit të saj tek Biri dhe Zoti ynë Jisu Krisht. Atmosfera në kishë dhe në oborrin e saj dhe në të gjithë qendrën e fshatit ishte e gëzuar dhe festive. Ishin të ngrohta fjalët që të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël, kishin për të thënë për Kryepiskopin, falënderimi i tyre ishte nga shpirti. Dukej lehtë se në veçanti të rinjtë, ndonëse larg vendlindjes ndjekin me kujdes gjithçka që realizohet në Kishën tonë nën frymën e urtë të Kryepiskopit dhe ndihen për këtë krenarë. Ishin të shumtë që ia thoshin këtë gjë Atit tonë shpirtëror: na bën të ndihemi krenarë kudo ku jemi dhe punojmë dhe jetojmë.
Për ta bërë më konkrete atmosferën e gëzimit dhe si për të dëshmuar fuqinë dhe guximin që jep të besuarit e thellë tek Perëndia, ditë veç të tjerash në qendër të fshatit Dhrovjan ishte organizuar edhe ceremonia për përurimin e ujësjellësit të fshatit. Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Ajasmës në një çezmë të ndërtuar në mënyrë tradicionale, e cila pikërisht do të përjetësojë këtë vepër që zgjidhi nevojën më jetësore të banorëve. Falë kontributit financiar, por kryesisht besimit që ngjalli te komuniteti i banorëve se kjo vepër mund të realizohej, i tërë ky ujësjellës u realizua në tre vitet e kaluara nga Kryepiskopi. (Për më tepër rreth përurimit të ujësjellësit shih lajmin pasues)
Korresp. i gazetës “NGJALLJA”