Është për të ardhur keq që në sulmet e radhës të shpifjeve dhe trillimeve denigruese kundër primatit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë vihet emri i një historiani, i cili për detyrë ka të paraqesë faktet sikurse janë dhe jo ti shtrembërojë ato. Është e çuditshme që në veprën e prekshme dhe të dukshme të Kryepiskopit Anastas të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, z. Kristo Frashëri nuk gjen asgjë pozitive, por shpreh vetëm mllef, sajime, akuza dhe merr përsipër të shpjegojë çështje të cilat nuk i njeh mirë: siç është legjitimiteti i fronëzimit të Kryepiskopit Anastas, apo vlerësimet mbi funksionimin e statuteve dhe kanoneve të Kishës Orthodhokse.
 
    Statuti i vitit 1929 ishte antikanonik sepse Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk ishte njohur ende si autoqefale as nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës, as nga kishat e tjera orthodhokse autoqefale.
 
    Kishës Orthodhokse të Shqipërisë iu dha autoqefalia nga Mater Ecclesia (Kisha Mëmë), Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës, më 12 prill 1937. Pas kësaj edhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, tashmë Autoqefale, duhej të kishte statutin e saj, pasi jo vetëm statuti i 1929, por edhe të gjitha aktet dhe veprimet që ishin bërë deri në vitin 1937 në emër të Kishës së vetëquajtur autoqefale shqiptare nuk kishin autoritet kanonik. Sqarojmë se statutet e kishave lokale shërbejnë për organizimin e jetës shpirtërore brenda kësaj Kishe konform kanoneve të shenjtë ekumenikë, organizimin administrativ dhe institucional të saj si dhe rregullimin e marrëdhënieve të saj me kishat e tjera, shtetin dhe institucionet e ndryshme. Përgjithësisht shërben si rregullator i raporteve brenda dhe jashtë Kishës, duke marrë parasysh zhvillimet historike dhe sociale te vendit.
 
    Jeta e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk u zhvillua normalisht pasi në 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia, në 1943 nga Gjermania. Statuti tjetër pas shpalljes së autoqefalisë është ai i 1950, i cili u abrogua nga pushteti totalitar i Enver Hoxhës ku me ligj u ndalua çdo lloj shprehje e jetës fetare.
    Persekutimi i egër ndaj fesë për 23 vjet të tërë shkatërroi tërë strukturën dhe infrastrukturën kishtare. Pra mungonin gjërat më themelore si: Sinodi i Shenjtë episkopal, klerikët, shkolla teologjike për formimin e kuadrove të rinj, për të mos thënë se edhe gjurmët e shumë kishave ishin zhdukur. Episkopë nuk kishte dhe priftërinjtë e mbijetuar prej persekutimit ishin në moshë të thyer. Por dihet që nuk mund të ekzistojë një kishë lokale pa episkop. (Shën Ignati në letrën drejtuar Smirneasve 8:2, shek I-II).
 
    Kjo gjë u bë e mundur me nismën e Patriarkanës Ekumenike në janar të 1991, me vendim të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike u caktua Eksark Patriarkal për Kishën e Shqipërisë episkopi i Andrusës, imzot Anastasi.
 
    Më 30 Maj 1992 prej Këshillit të Përgjithshëm Kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Patriarkanës Ekumenike iu kërkua zyrtarisht, zgjedhja e episkop Anastasit në krye të Kishës sonë. Këtë kërkesë ia dorëzoi Patriarkanës Ekumenike një përfaqësi e Këshillit të Përgjithshëm Kishtar e përbërë prej Atë Gaqo Petri, Atë Kozma Qirjo dhe nga besimtarët e devotshëm z. Dhimitër Beduli dhe z. Aleko Dhima. Në këtë kërkesë vihet në pah kontributi i Eksarkut të Patriarkanës Ekumenike, Mitropolitit Prof. Anastasit, i cili për më pak se një vit arriti suksese të dukshme në rikonstruksionin e një sërë ndërtesash kishtare, dorëzimin e 26 priftërinjve dhe dhjakonëve të rinj, krijimin e Seminarit Teologjik-Hieratik për përgatitjen e priftërinjve, të psaltëve e të kuadrove të tjerë që i nevojiten Kishës. 
 
    Më 24 Qershor 1992 Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike zgjodhi me vota unanime Kryepiskop të Kishës Autoqefale të Shqipërisë Fortlumturinë e tij Anastasin. Vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha me dashamirësi u kishte deklaruar të deleguarve të Patriarkanës Ekumenike Kr. H. të tyre Mitropolitit të Pergjit imz. Evangjelos dhe të Filadelfisë imz. Meliton më 4 Korrik 1992, se nuk ekziston asnjë kundërshtim ose kufizim për vendosjen e Kryepiskopit Anastas si primat kanonik i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
 
    Më 2 Gusht të 1992 në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u krye ceremonia e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Kjo gjë që i dha mundësinë Kishës Orthodhokse të Shqipërisë të jetë e barabartë me të gjitha kishat e tjera orthodhokse në botë.
 
    Për sa i përket atyre parullave që u dëgjuan në ceremoninë e fronëzimit ndjejmë detyrën, si dëshmitarë okularë të asaj shërbese kishtare, të sqarojmë se si qëndron e vërteta historike dhe ajo kanonike. Thirrjet kundër fronëzimit u dëgjuan nga fundi i shërbesës kishtare, prej një grupi të vogël njerëzish që qëndronin në fund të kishës, të përgatitur për të krijuar trazira, në momentin kur po lexoheshin fjalimet përshëndetëse të rastit. Ajo që i bën të pavlefshëm kanonikisht këto zëra është edhe fakti se anëtarët e këtij grupi ishin jo besimtarë praktikantë orthodhoks dhe për më tepër disa prej tyre nuk i përkisnin fare fesë së krishterë. Duke qenë se nuk ia arritën qëllimit për të cilin kishin ardhur në kishë, pasi zërat e tyre u mbytën nga thirrjet e njëzëshme “aksios” (i denjë) të besimtarëve orthodhoksë të ardhur nga gjithë Shqipëria, ata u larguan. Kështu që shërbesa e fronëzimit u krye e plotë në kishë dhe zërat e atyre që nuk janë besimtarë praktikantë në kishë nuk kanë asnjë vlerë kanonike (Sinodi II Ekumenik, kanoni 6; Sinodi i Kartagjenës, kanoni 50).
 
    E shohim të nevojshme në këtë pikë të sqarojmë ata të cilët, megjithëse nuk kanë njohuri të koncepteve teologjike, guxojnë të na mësojnë çka është kanonike dhe jo kanonike në Kishën Orthodhokse.
   Në statutin e një kishe orthodhokse autoqefale nenet të cilët nuk mund të ndryshohen janë vetëm ato që rikonfirmojnë kanonet e shtatë Sinodeve të Shenjtë Ekumenikë, të cilët në mbarë Kishën Orthodhokse janë përjetësisht të pandryshueshëm. Sipas besimit orthodhoks vetëm vendimet e Sinodeve Ekumenike janë të pagabueshme dhe kanë autoritet absolut, sepse shprehin pagabueshmërinë e Kishës së Krishterë “që është Kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Timotheut 3:15). Të gjitha dispozitat e tjera të statutit mund të ndryshohen me vendim të një kongresi tjetër kishtar duke iu përshtatur ndryshimeve historike dhe sociale në vend me qëllimin sublim të organizimit sa më të mirë të jetës shpirtërore dhe asaj organizative të Kishës.
 
    Kështu, duke iu referuar nenit 50 të statutit të 1950 “këshilli mikst mund të modifikojë nene të këtij Statuti që nuk u referohen dogmave, kanoneve dhe Traditës së Shenjtë; gjithashtu mund të bëjë edhe shtesa nenesh. Por, për të qenë këto modifikime dhe shtesa të vlefshme, duhet një kuorum prej shtatë anëtarësh dhe një vendim marrur, të paktën, prej gjashtë anëtarësh”.
    Pse duhet të ofendohet z. Frashëri kur i vihet në dukje se është duke shtrembëruar faktet historike, madje duke përdorur edhe argumente të gënjeshtërta, siç është teza e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas jo në katedrale, por në hotel “Tirana” etj.
 
    Si është e mundur që të konsiderohet si tinëzare dhe e pabesë vepra e Kryepiskopit Anastas, e cila është evidente dhe e faktuar? Mund të thonim logjikisht se vepër tinëzare është ajo që po bëni ju, që pas 18 vitesh “kujtoheni” të flisni për gjëra të paqena, të cilat kaq shumë ju paskan lënduar. Siç e cilësoni edhe vetë ato që thoni mbeten vetëm dyshime, shtrembërime që bien ndesh me realitetin, si p.sh. keqinterpretimi i deklaratës së Kryepiskopit Anastas lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit në Himarë për ruajtjen e gjakftohtësisë dhe të paqes. Deklarata këto të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë sa herë që vendi ndodhet në kohë trazirash dhe krizash. Kështu, mund të përmendim deklaratat e Kryepiskopit gjatë krizës së marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ai deklaroi se merrte pjesë në dhimbjen e gjithë njerëzve të përndjekur pavarësisht nga origjina apo traditat fetare dhe se vihej në dispozicion të çdo autoriteti kompetent për gjetje zgjidhje me frymë mirëkuptimi të ndërsjellë. Këto përpjekje të tij ndikuan në uljen e toneve nga ana e palës greke. Vetë Parlamenti Evropian në një rezolutë që u votua nga shumica absolute e Asamblesë (4-07-1993) theksoi përpjekjet e Kryepiskopit Anastas për zgjidhjen e krizës ndërmjet dy vendeve.
 
    Gjatë krizës së vitit 1997 përmes trazirës së madhe të pakontrolluar politike ai i drejton thirrje popullit: jo më gjak, jo konfliktit, jo urrejtjes, jo armëve. Në momentet e vështira të emigrantëve dëgjohet thirrja e tij në median dhe shtypin grek: jo fushatave dëbuese “fshesa”. Kjo lutje u transmetua nga Televizioni Shtetëror Shqiptar në emisionin kryesor të lajmeve, nga agjenci shtypi dhe RTV të huaja. Në vitin 1998 ai bën apel për të ndihmuar vëllezërit në vështirësi të ardhur nga dhuna në Kosovë. Ndihmë kjo e cila mori përmasa të mëdha kur gjatë krizës së vitit1999, 500 mijë shqiptarë erdhën nga Kosova nën trysninë e dhunës. Ndihmë kjo që arriti në rreth 12 milion dollarë, ofruar konkretisht 33 mijë vëllezërve kosovarë të vendosur nëpër mjedise të ndryshme, kryesisht familjare, por edhe me anë të kampeve të hapura.
I papërgjegjshëm është dhe ofendimi juaj se Kryepiskopi Anastas është kryepiskop i pleqve dhe i plakave. Së pari sqarojmë se Kisha është një dhe e përbashkët, nuk ka Kishë diskriminuese dhe përjashtuese, nuk ka “Kishë të të rinjve” dhe “Kishë të të moshuarve”, “Kishë të grave” dhe “Kishë të burrave”, “Kishë të të bardhëve” dhe “Kishë të të zinjve”. Si mund të quhet një Kryepiskop i pleqve dhe i plakave ndërkohë që faktet flasin ndryshe. Në Maj të 1993 kur u krijua prej tij shoqata rinore orthodhokse shqiptare “Bijtë e dritës”, ai theksoi se “rinia nuk është vetëm shpresa e së ardhmes, por në radhë të parë është forca e së tashmes”. Në gjithë vendin numërohen 52 grupe rinore, të cilat kanë formuar këshillat rinore dhe organizojnë veprimtari të ndryshme dhe kulturore si: kampingjet verore dhe dimërore, ku marrin pjesë rreth 1600 të rinj nga i gjithë vendi, konferenca, olimpiada, aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuara, festivale rinore etj. Një punë e veçantë po bëhet me të rinjtë e universiteteve, Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, me të cilët organizohen veprimtari të ndryshme, si studime biblike, Liturgji Hyjnore, kurse të gjuhëve të huaja, ekskursione etj. Njëherazi funksionojnë edhe disa shoqata të tjera si ajo e gruas, intelektualëve orthodhoksë etj, të cilat janë pjesë aktive e jetës së kishës.
     E vërteta nuk mund të fshihet prej trillimeve dhe shpifjeve.
 
Nga Violeta Plepi dhe Vlash Plepi
Teologë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë