Më 2 nëntor, në ambientet e hotel “Tirana” në kryeqytet, me nismën e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, u zhvillua simpoziumi me temë: “Kontributi i harmonisë ndërfetare në integrimin evropian të Shqipërisë”. Të ftuar specialë të këtij takimi ishin krerët e katër komuniteteve fetare në vend, mes të cilëve edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi.
Në vijim, po botojmë fjalën e tij të plotë:
Shkëlqesia Juaj, President i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi,
Fort të respektuar Kryetarë të Komuniteteve Fetare të Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri,
Të nderuar pjesëmarrës,
Fort të respektuar Kryetarë të Komuniteteve Fetare të Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri,
Të nderuar pjesëmarrës,
1. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, nuk munguan disa qarqe të caktuara që prisnin konflikte midis komuniteteve fetare, me pasojë lindjen e trazirave shoqërore. Teorikisht, fanatizmi fetar nuk ishte diçka e pamundur që të mos shfaqej brenda grupimeve të komuniteteve fetare, sikundër u vu re në vende të tjera të Ballkanit, por edhe gjetkë, kur mbizotëruan ide dhe prirje ekstremiste. Ndjenja fetare është një funksion njerëzor tepër delikat dhe anomalia më e vogël mund të krijojë shpërthime të ndryshme. Fatmirësisht, këtu në Shqipëri, me Hirin e Perëndisë, qysh në vitet e para, të gjithë drejtuesit fetarë kultivuam me përgjegjësi respektin e ndërsjellë dhe marrëdhënie të bashkëpunimit të sinqertë. Në përgjithësi, pranohet kontributi i rëndësishëm i komuniteteve fetare në kohezionin social të Shqipërisë dhe siç pohohet nga të gjithë, përbën shembull edhe për forca të tjera sociale të vendit. Për më tepër, është nder për Shqipërinë, kur flitet jashtë saj se si është gjendja fetare në botë.
2. Por ky fakt kërkon një vëmendje dhe vigjilencë të vazhdueshme. Mikrobet dhe viruset shpeshherë mund të minojnë shëndetin. Sot mbushet një vit nga krijimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe, ky është një rast për të falënderuar Perëndinë për frymën e paqes dhe të harmonisë, që na ka dhuruar. Por, njëkohësisht, është një mundësi për të ripërtërirë obligimin e të gjithëve ne, për ta forcuar më tej këtë bashkekzistencë paqësore kaq të domosdoshme në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës. Dhe së treti, të trashëgojmë këtë frymë bashkëpunimi te brezi i ri.
3. Bashkimi Evropian, drejt të cilit po shkojmë, është një kompleks ku ekzistojnë prirje të ndryshme. Vlera e madhe e këtij entiteti është se ka arritur të bashkojë në një sintezë antitezat që e përbëjnë. Por ekzistojnë disa vlera të cilat përbëjnë nyjën lidhëse për çdo popull që dëshiron të integrohet aty, si theksimi i dinjitetit të çdo personi njerëzor, që u bë themel i legjislacionit të shteteve evropiane.
Pra, si rrjedhojë, rigjallërimi dhe jo lënia në periferi e besimit fetar, përjetimi i esencës, i fuqisë dhe i bukurisë së këtij besimi, do të ndihmojnë shoqëritë evropiane të ruajnë vitalitetin e tyre dhe të zhvillojnë vlera shpirtërore që përbëjnë bërthamën e qytetërimit evropian, si edhe dinamizmin e tyre krijues. Uroj që edhe ky Simpozium të kontribuojë në këtë drejtim.
Faleminderit!