Në ambientet e Universitetit “LOGOS”, më 25 tetor, u zhvillua ceremonia e hapjes dhe njëkohësisht e fillimit të vitit të ri akademik 2010-2011. Morën pjesë drejtues, pedagogë e studentë. Fjalën e rastit e mbajti rektori i Universitetit prof. dr. Ilia Telo.
    Miratimi i Universitetit të Ri “LOGOS” me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave në korrik të këtij viti është një sihariq për tërë komunitetin tonë orthodhoks dhe për gjithë shqiptarët. Ky universitet është në fakt një dhuratë e re e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili njihet për ndihmën dhe punën e tij të pakursyer për ngritjen pothuajse nga hiçi të gjithë strukturës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të shembur plotësisht nga regjimi komunist.
    Stafi akademik me në krye profesorin shumë të nderuar z. Ilia Telo është një staf i mirëpërgatitur, i cili do të drejtojë dhe do të realizojë mësimdhënien duke respektuar ligjin e arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe procesin e Bolonjës, duke diplomuar studentë të aftë e profesionistë të mirë në tregun e punës jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Komunitetit Evropian.
    Ai në fakt nuk është një Universitet i ri.
    Rrugën e ka hapur Instituti 2-vjeçar profesional “Frymë Dashurie”, cili është themeluar që në vitin 2000. Universiteti i ri “Logos” në fakt është pasuesi i një përvoje 10-vjeçare dhe ka jo vetëm një ndërtesë të bukur funksionale, jo vetëm një staf akademik me eksperiencë, ku në gjirin e tyre ka profesorë e doktorë shkencash dhe lektorë me master shkencorë me tituj të fituar brenda dhe jashtë vendit, por ka laboratorë modernë, bibliotekë e cila është duke u pasuruar me literaturën më bashkëkohore etj.
    Universiteti Logos është një universitet non-profit dhe pagesat për të hyrë në këtë universitet janë nga më të ulëtat pra dhe më konkurueset. Këtë fakt e vërteton dhe pjesëmarrja e shumtë e studentëve të rinj që kanë preferuar atë.
    Në vitin e tij të parë Universiteti ‘Logos’ ka 230 studentë dhe dy fakultete, të cilat janë: Shkenca të Aplikuara dhe Ekonomi, me programe tërësisht në përputhje me procesin e Bolonjës si: programet Financë Kontabilitet, Menaxhim Biznes, Menaxhim Turizëm, Informatikë e Zbatuar, Teknik i Lartë Laboratorësh Mjekësorë.
    Shumë shpejt në vitet e ardhshme akademike Universiteti “Logos” do të hapë dhe degë e programe të reja universitare.
Prof. Asc. Pirro Prifti