Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në bashkëpunim me klerikë, katekistë, studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe vullnetarë, organizoi një aktivitet të veçantë për fëmijë të moshës 6-12 vjeç, në zona të ndryshme të Shqipërisë. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 1500 fëmijë. Programi ishte i pasur me mësime, këngë, lojra në grup të madh dhe të vogël, punë dore etj.
Mësimi ishte i lidhur me festën e bukur dhe kuptimin e Pashkës. Këtë vit, mësimi u organizua në mënyrë më argëtuese dhe tërheqëse për fëmijët. Në fillim, ata do të luanin një pjesë dhe do të ishin vetë protagonistë të asaj që ndodhi që nga krijimi i botës me Evën dhe Adamin, dhe deri në ardhjen e Jisuit në botë dhe kryqëzimin e Tij për të rindërtuar sërish rrugën për tek Perëndia, e cila u prish me hyrjen e mëkatit në botë.
Fëmijët, jo vetëm patën mundësinë të mësonin disa këngë të reja në lidhje me këtë festë, por edhe të forconin edhe më tepër mesazhin e Pashkës.
Kristina, një prej pjesëmarrëseve në këto veprimtari u shpreh: “Ishte një aktivitet i mrekullueshem. Megjithëse edhe më parë dija shumë gjëra përreth Pashkës, përsëri mësova shumë gjëra të reja gjatë diskutimit të mësimit”.
Ndërsa Joani tregon: “Mua më pëlqyen shumë lojrat, sidomos ato me vezë. U kënaqëm shumë. Më pëlqyen edhe këngët edhe libri që morën si dhuratë.”
Edhe prindërit gjithashtu na dhanë përshtypjet e tyre për këto aktivitete. Sofia, nëna e Theodhorës nënvizoi: “Ju jemi shumë mirënjohës për gjithçka bëni për fëmijët tanë. Ata mësojnë shumë gjëra të reja, por edhe argëtohen shumë. Ju falënderojmë gjithashtu, sepse nëpërmjet fëmijëve mësojmë edhe ne gjëra të reja rreth besimit.”
Mikea Topanxha