|
||||||||||||
|
||||||||||||
Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berishës, më 4 maj 2010, në orën 11:00, në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror do të përurohet ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”. Ekspozita organizohet nga:
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave,
Fondacioni Grek i Kulturës – Vatra e Tiranës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Qëllimi i kësaj ekspozite është njohja e studiuesve dhe e publikut të gjerë me një pjesë të vyer të historisë dhe traditës së pasur kulturore të krishterënë vendin tonë, konkretisht me historinë dhe traditën e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine, e cila është krijuar kultivuar dhe sjellë përgjatë shekujve nga të krishterët orthodhoksë dhe që sot ruhen në AQSh. Mes 46 kodikëve, që mbulojnë një periudhë historike nga shek. VI deri në shek. XVIII, do të ekspozohen edhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005.
Është e para herë që në hapësirën shqiptare organizohet një ekspozitë e kësaj natyre dhe e përmasave të tilla me qëllim afrimin e publikut të gjerë tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit.
Për të dhënë një pamje më të plotë të këtyre dorëshkrimeve, së bashku me materialet origjinale do të paraqiten edhe 28 panele fotografike, qëllimi i të cilëve është të japin një informacion më të zgjeruar të brendisë së kodikëve. Në këto panele do të jenë paraqitur 54 kodikë, ku përfshihen edhe ata të ekspozuar në origjinal.
Ekspozita do të shoqërohet me një katalog të eksponateve, me një udhëzues të ekspozitës dhe broshura informative. Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie është përgjegjësi e filologut/paleografit z. Agamemnon Celikas, përgjegjës i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë, ndërsa përfaqësuesit shkencorë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në komisionin organizativ të ekspozitës janë arkimandriti Justin Anthimiadhi dhe historiani/paleografi MA Andi (Andrea) Rembeci.
|