Ditët e fundit në disa media të shkruara dhe vizive ka rifilluar sërish një fushatë sulmi e denigrimi ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërsië si dhe ndaj drejtuesit të saj, Kryepiskopit Anastas. Ato kanë lidhje me një ngjarje të rëndësishme dhe një ditë të bekuar për të gjithë besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë, siç është ajo e 2 gushtit të vitit 1992, ditë në të cilën u fronëzua Kryepiskop Kishe, Eksarku i Patriarkanës Ekumenike, Imzot Anastasi. Atë ditë të pranishëm ishin edhe shumë besimtarë të ardhur nga qyteti i Durrësit, një pjesë e të cilëve ndodhen sot këtu të pranishëm në këtë Liturgjinë Hyjnore, të cilët morën pjesë në Liturgjinë dhe ceremoninë e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë.
Sjellim ndërmend atmosferën festive që përshkonte këtë ceremoni, por edhe përpjekjen e një grupi të vogël e të instrumentalizuar njerëzish që u përpoqën ta prishnin atë, disa prej të cilëve as që i përkisnin besimit të krishterë orthodhoks. Këta në momentin e fronëzimit të Kryepiskopit filluan të bërtasin e të këndonin këngë patriotike brenda në kishë në një moment krejtësisht të papërshtatshëm, kundrejt çdo lloj respekti e serioziteti që kërkonte ceremonia dhe vendi i shenjtë, duke hedhur parulla kundër Kryepiskopit dhe fronëzimit të tij. Por zëri i tyre ishte i pafuqishëm për të mundur korin e besimtarëve që thërrisnin njëzëri “i denjë, i denjë, i denjë”.
Me anë të kësaj deklarate, ne besimtarët e qytetit të Durrësit, duam të shprehim edhe një herë mbështetjen e plotë ndaj Kryepiskopit Anastas, bariut dhe udhëheqësit tonë, ndërkohë që disa njerëz e qarqe të caktuara anti-orthodhokse kërkojnë të hedhin baltë mbi Kishën dhe Kryepiskopin tonë e duke u përpjekur përmes shpifjeve e trillimeve të shpërfillin e mohojnë kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë përgjatë dy dekadave në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu duam të sqarojmë gjithë besimtarët orthodhoksë në të gjithë vendin, se pretendimet për mos realizimin e ceremonisë së fronëzimit ose të mos kryerjes së plotë a të mos përfundimit të saj në kishë, por në Hotel Tirana, janë tërësisht të pavërteta e qëllimisht të shtrembëruara.
Ceremonia e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas u krye konform të gjitha rregullave e procedurave që kërkojnë Kanonet e Kishës Orthodhokse. Gjatë kësaj ceremonie u shpall lajmi i zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas me vota unanime nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, u mbajt fjala përshëndetëse e të zgjedhurit pas Dhoksologjisë si dhe iu dorëzua Kryepiskopit skeptri baritor, simbol i autoritetit dhe qeverisjes kishtare. Në këtë mënyrë përfundoi edhe ceremonia e fronëzimit, dëshmitarë të së cilës jemi edhe ne besimtarët e qytetit të Durrësit. Gjithashtu, vlen të përmendet edhe fakti se, disa ditë përpara se të kryhej ceremonia, një përfaqësi e Kishës kishte biseduar dhe marrë më parë edhe aprovimi i Presidentit të Republikës, në atë kohë z. Sali Berisha.
Për më tepër, Kryepiskopi Anastas u njoh zyrtarisht dhe kanonikisht si i tillë nga të gjitha Patriarkanat dhe Kishat Orthodhokse Autoqefale simotra si dhe nga të gjitha Kishat e tjera të krishtera në Evropë dhe në botë. Këtë e konfirmon edhe anëtarësimi i KOASH-it me të drejta të plota në “Këshillin Evropian të Kishave” si edhe në “Këshillin Botëror të Kishave”, dy nga organizmat prestigjiozë të botës së krishterë, në të cilat Kryepiskopi ynë është një ndër drejtuesit kryesorë të tyre.
Sot, pas gati 20 vjetësh demokraci dhe liri të besimit fetar, të gjithë ne jemi dëshmitarë të veprës së madhe që ka kryer Kryepiskopi Anastas për ringritjen nga themelet të infrastrukturës së KOASH-it dhe të rigjallërimit të jetës shpirtërore të besimtarëve. Një gjë e tillë vërtetohet në mënyrën më të plotë edhe në qytetin tonë të lashtë, historik dhe me tradita të pasura qytetare dhe fetare të Durrësit. Kisha Katedrale në të cilën jemi mbledhur të gjithë sot, besimtarë të të gjitha moshave, është fryt i përpjekjeve të Kryepiskopit për t’u dhënë besimtarëve orthodhoksë të qytetit të Durrësit një tempull për të lavdëruar e adhuruar Zotin, por edhe një pasuri me vlera kulturore e arkitekturore që stolis qytetin tonë. Gjithashtu, vlen të përmendet edhe rikonstruktimi i Kishës së Shën Gjergjit si dhe ndërtimi nga themelet i Manastirit të Ri e të Hirshëm të Shën Vlashit, në ambientet e të cilit është ngritur madhështore edhe Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në të cilën përgatiten kuadrot e ardhshëm të Kishës, nën kujdesin dhe drejtimin e stafit pedagogjik shqiptar, edhe këta fryt i punës së Tij. Për të vazhduar më tej me Gjimnazin “Kryqi i Nderuar” ngritur në kodrën e Qytetit të Sukthit, Shtëpia e Fëmijëve “Shpresa” në Shën Vlash, Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Frymë Dashurie” në Durrës, janë një dëshmi e prekshme e punës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme që ka bërë e bën gjatë këtyre viteve Kryepiskopi Anastas në Shqipëri.
Ne kleri, këshilli kishtar dhe besimtarët orthodhoksë të qytetit të Durrësit, i urojmë Kryepiskopit tonë të dashur, jetë të gjatë, suksese në punën dhe në misionin e tij të lartë të Ungjillit, për lavdi të Perëndisë dhe për të mirën e të gjithëve njerëzve.
Për shumë vjet, o Kryezot!
Kisha Katedrale e “Apostull Pavlit dhe Shën Astit”
Durrës, më 17 Tetor 2010, |