Më 17 qershor, Universiteti i Qipros organizoi një ceremoni të shkëlqyer me rastin e dekorimit si «Doktor Nderi» (Doctor Honoris Caussa), i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Shkencave të Edukimit, të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
    Duke i uruar i mirëseardhjen Kryepiskopit, në fjalën e tij Rektori i Universitetit të Qipros, Profesor Stavros Zenios, tha: «…Listës së personaliteteve të shquara që nderojnë Universitetin tonë i shtohet sot edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, gjë e cila përbën nder të veçantë për Institucionin tonë».
   Dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe atyre Edukative, Profesor Athanasios Gagatsis, lexoi vendimin e Senatit të Universitetit për dhënien e titullit më të lartë të Universitetit, atë të shpalljes «Profesor Nderi», duke iu referuar mes të tjerave faktit që vendimi ishte i njëzëshëm. Vendimi, përtej referencave për arritjet në sektorin e hulumtimit shkencor nga ana Kryepiskopit, thekson edhe faktin se «…Kryepiskopi u shqua për prurjen e tij tejet të rëndësishme në kultivimin e ndërgjegjes fetare dhe në forcimin e unitetit mbarëbotëror».

    Me një fjalim plot emocione për personalitetin dhe veprën e Kryepiskopit foli Profesori i Asociuar i Departamentit të Edukimit, Stavros Fotiou, i cili mes të tjerash tha: «…në jetën dhe veprën e Fortlumturisë bashkekzistojnë harmonikisht shërbimi priftëror, hulumtimi shkencor dhe dëshmia sociale. Si një figurë kulmore e Kishës, e shoqërisë, e arsimit, si shërbëtor i denjë i Kishës Orthodhokse, mësues i dalluar akademik, bashkëbisedues ekumenik i shquar, Kryepiskopi i Shqipërisë Anastasi kontribuon në dialogun mbarëbotëror për mirëkuptimin dhe solidaritetin mes njerëzve dhe popujve…».
     Më pas u vazhdua me shfaqjen e një materiali të shkurtër filmik, ku jepeshin çaste nga puna hierapostolike e Kryepiskopit Anastas, veçanërisht në Shqipëri, për rilindjen nga hiri i persekutimit ateist të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.
Pasi veshi timvanin akademik dhe iu dorëzua pergameni i vendimit, Fortlumturia mbajti ligjëratën e tij me temën tepër bashkëkohore: «Aktet e terrorizmit dhe ndërgjegjja fetare».
  Fillimisht Kryepiskopi shprehu përgëzimet e tij për Universitetin e Qipros, për zhvillimin e tij të shpejtë, aktivitetin e tij shumëplanësh, duke mbështetur në mënyrë të qenësishme shoqërinë qipriote në përparimin e saj. Në vazhdim, u fokusua në trajtimin e temës mbi terrorizmin, që mbizotëron në diskutimin mbarëbotëror, në mënyrë të posaçme nga grupime ekstremiste islamike, në emër të besimit fetar. Ligjërata ishte në sinkron të plotë dhe me informacionin e përditësuar lidhur me trajtimin e fenomenit nga pikëpamja e informacionit, trajtimi shkencor dhe teologjik. Mes të tjerave, Kryepiskopi tha: «…çdo krim që bëhet në emër të fesë është krim ndaj vetë besimit fetar. Çfarëdo lloj dhune në emër të besimit fetar dhunon, në të gjitha kuptimet e fjalës, vetë besimin. Asnjë konflikt luftarak nuk është i shenjtë. Paqja, vetëm ajo, është e shenjtë».
    Përveç autoriteteve drejtuese dhe të profesoratit të Universitetit të Qipros, ceremoninë e nderuan me praninë e tyre Kryepiskopi i Qipros, Krisostomos II,  ish-Presidenti i Qipros, z. Jorgos Vasiliou, deputetë, diplomatë etj.
    Vlen të theksohet, se Ligjërata e Kryepiskopit u mbajt në kuadër të Ligjëratës së Vitit në kujtim të Dinos Levendis, që organizon çdo vit Universiteti i Qipros në bashkëpunim me Fondacionin A. J. Levendis.
    Së fundi edhe Biblioteka e Universitetit të Qipros organizoi në Bibliotekën Qendrore një ekspozitë disa ditore me disa prej veprave të Kryepiskopit Anastas. 
    Takime në Qipro
    Me rastin e vizitës dhe qëndrimit në Lefkosia, Kryepiskopi Anastas pati disa takime të tjera.
Një takim vëllazëror ishte ai me Kryepiskopin e Qipros, Fortlumturinë e Tij Krisostomos II, të cilit i bëri vizitë në Selinë e Kryepiskopatës. Kryepiskopi i Qipros së bashku me hierarkë të tjerë të kishës lokale kishin dalë për të pritur Kryepiskopin Anastas në aerodromin e Larnakas. Në takimin e dy primatëve u shkëmbyen mendime për çështje me të cilat përballen të dyja Kishat tona motra, si dhe të dinamikës së marrëdhënieve ndërorthodhokse e ndërkristiane.
    Në mungesë, për arsye pune të Presidentit të Qipros, Kryepiskopi u prit në Selinë e Parlamentit nga Kryetari i Parlamentit të Qipros z. Mario Karojan. Ai e uroi Fortlumturinë e Tij Anastasin për nderimin që i bëhet nga Universiteti i Qipros dhe në vazhdim e vuri në dijeni të nismave të ndryshme që ndërmerr Qiproja për forcimin e marrëdhënieve në rajonin e Mesdheut dhe në këtë kuadër edhe me Shqipërinë. Kryepiskopi Anastas nënvizoi në veçanti parimin e bashkëjetesës paqësore, si një vlerë mbarënjerëzore, që forcon paqen dhe miqësinë mes popujve dhe që përbën parimin  bazë dhe përshkon të gjithë veprën që po realizohet në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
    Kryepiskopi Anastas bëri vizitë edhe në përfaqësinë e Lidhjes Panqipriote të Nëpunësve Publikë, ku sekretari i saj, z. Gll. Haxhipetro, i dorëzoi një ndihmë financiare në mbështetje të punës së Kishës në Shqipëri. Kryepiskopi shprehu falënderimet e tij dhe tha se ky kontribut do të vihet në dispozicion të ngritjes së një kishe në zonën e Gjirokastrës.
    Gjatë kësaj vizite Kryepiskopi shoqërohej nga Episkopi i Apollonisë, Hirësia e Tij Nikolla.
    Vizita dhe në veçanti, ceremonia e ligjërata në Universitet, u pasqyruan gjerësisht në median e shkruar dhe elektronike të Qipros e më gjerë.
(Korresp. NGJALLJA)