Ndër shërbimet sociale më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe kanë qenë vizitat te të sëmurët në shtëpi e në spitale, ku vlen të veçohen takimet me dy besimtarët Kristo Dingo dhe nëna Antigoni, të cilët u larguan nga kjo jetë me besim të madh te Krishti dhe që do të kujtohen me mall e respekt nga i gjithë komuniteti i Kishës. Me rastin e Pashkës, gratë orthodhokse kryen edhe një vizitë ngushëllimi, në familjen e të ndjerit atë Sotir Xhaferri, në kujtim të 10-vjetorit të fjetjes së tij.
Në këto shërbime sociale, organizuar nga gratë orthodhokse, me rastin e Pashkës, morën ndihma rreth 100 persona. Ndihmat e dhëna janë siguruar nga fondet e Kryepiskopit Anastas, i cili ka treguar gjithmonë një kujdes të veçantë në këtë asppekt. Lajmin e Ngjalljes së Zotit, e pritën me gëzim të madh, edhe këtë vit, dhe të dënuarit e Burgut 325 në Tiranë. Grupi përfaqësues i Kishës, përfaqësuar nga një klerik dhe gra të grupit të grave, vizituan repartin e burrave dhe të grave. Fillimisht, atë Aleksi transmetoi mesazhin e Pashkës, duke përcjellë gjithashtu edhe urimet e ngrohta e të përzemërta të Kryepiskopit Anastas.
Pako ushqimore u shpërndanë edhe për rreth 500 persona dhe familje të varfra, të sëmurë, jetimë, të pastrehë, të paralizuar, të verbër, lypësa etj. në shumë zona të dioqezës së Tiranës si në Lezhë, Gramsh, Elbasan, Shpat, Librazhd, Cërrik, Shtërmen etj.
Rajmonda Shqevi
|