Në vazhdën e projekteve që synojnë përmirësimin e statusit të grave në Shqipëri, gjatë muajit tetor 2009 zyra Diakonia Agapes filloi realizimin e projektit “Promovimi i Testimit Vullnetar, Konfidencial dhe me Këshillim për HIV”. Zona e përfshirë në këtë projekt janë fshatrat e Elbasanit, Gramshit dhe Librazhdit.
Me qëllimin të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit për HIV/SIDA-n dhe rëndësinë e testimit dhe këshillimit vullnetar, ky projekt është i përqendruar më shumë tek gratë dhe vajzat e kësaj zone.
Një grup i përbërë nga mjekë, punonjës socialë dhe këshillues udhëton në fshatrat e synuar dhe takohet me gratë dhe vajzat e interesuara. Takimet, të organizuara në bashkëpunim me personelin shëndetësor të zonave, shërbejnë për të informuar pjesëmarrëset rreth HIV/SIDA-s, ecurisë së kësaj epidemie dhe rëndësisë së testimit vullnetar shoqëruar me këshillimin. Për të interesuarit për testim, ofrohen seanca këshillimi personale dhe konfidenciale dhe më pas testimi i shpejtë i HIV-it, përgjigja e të cilit është gjithashtu konfidenciale.
Deri më sot 350 gra kanë marrë pjesë në takime si dhe 200 prej tyre janë testuar vullnetarisht për HIV.
Pjesëmarrëseve në takime u shpërndahen broshurat e përgatitura me informacion të nevojshëm rreth çështjes së HIV/SIDA-s.
Ky aktivitet shoqërohet edhe me ndërgjegjësimin e komunitetit që bëhet me anë të shpërndarjeve të fletëve informuese dhe posterave në zonë.
Ky projekt financohet nga Fondation PH – Suisse – Partnerships in Health dhe do të vazhdojë deri në fund të muajit mars 2010.