Një festë e kthyer në traditë çdo fillim viti. Në familje praktikohet me anë të një lakrori, kulaçi ose ëmbëlsire sa herë ndërrohen vitet. Në fakt, si në çdo familje orthodhokse, kjo festë pritet me shumë dashuri edhe në shtëpinë e Rinisë Orthodhokse “Bethlehem” në Tiranë. Një takim me shumë mbresa dhe surpriza që “përcakton” edhe personin me “fat” të vitit të ri.
Në 10 janar, “Bethlehemi” ishte mbushur plot më të rinj dhe studentë që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë takim festiv. Mes tyre ishte edhe Kryepiskopi Anastas, i cili para se të ndante kekun e shën Vasilit për të rinjtë tha: “Për mua është gëzim që ndodhem pranë jush. Vëzhgoj me shumë interesim zhvillimet në këtë qendër. Sot ju jeni studentë dhe mos harroni që periudha e studimeve është shumë përcaktuese. Shën Vasili i Madh është kërkues i një të vërtete të plotë, kërkues i dashurisë. Prandaj të gjitha virtytet që ia fali Perëndia, ai ia përkushtoi dashurisë dhe të vërtetës. Vasili i Madh ka një veçori. Nuk është vetëm shenjtor, por është ai që ka një ndjeshmëri të madhe për gjendjen shoqërore, është ai që dha udhëzimet e jetës murgërore në Lindje, por dha këshilla që janëpërcaktuese për jetën që të çlodhi ata që kishin nevojë.
Pra ai është një lidhës edhe i jetës së thellë sociale dhe shpirtërore. Le t’i urojmë njëri-tjetrit që të marrim diçka prej shembullit të tij, të jemi kërkues të së vërtetës, të bëhemi njerëz të dashurisë që të ndihmojmë shoqërinë. Të gjithë flasin për drejtësi dhe paqe, por nuk i përdorin me thellësi sepse janë fryte që duan rrënjë. Shqipëria ka nevojë për njerëz esencialë, për fruta që kanë nevojë për rrënjë. Të jetë një vit kreativ dhe shembulli i shën Vasilit të Madh të jetë përpara nesh një udhëzues në hapat tanë”.
Fortlumturia e Tij u njoh me mbarëvajtjen dhe problemet e të rinjve në shkollë dhe në mjediset e tjera shoqërore, duke iu dhënë edhe uratën për një vit të bekuar. Takimi përfundoi me një kokteil dhe biseda të ngrohta mes të pranishmëve.
Isidor Koti