Përkujdesje për jetën shpirtërore të të rinjve dhe nxënësve
    Gjatë gjithë periudhës së kreshmës dhe në veçanti në Javën e Madhe të Pashkëve, në të gjitha institucionet arsimore që Kisha jonë ka hapur në zonat e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, nën kujdesin e Hirësisë së Tij Dhimitrit, u bë një punë shpirtërore më intensive. Vetë Mitropoliti ishte i pranishëm me Liturgji Hyjnore, të tjera shërbesa adhuruese, por edhe akolluthitë e posaçme të Javës së Madhe. Programi ishte intensiv, me synim jo vetëm përjetimin shpirtëror nga ana e të rinjve të ngjarjeve që kujtojmë gjatë Javës së Pësimeve Shpëtimtare të Zotit tonë Jisu Krisht, por edhe me qëllime didaktike, për t’i përçuar këto përvoja në fshatrat dhe enoritë nga nxënësit vijnë dhe ku në të  ardhmen do të thirren që të shërbejnë për përparimin e besimit tonë Orthodhoks. 
    Kështu, u organizua bisedë shpirtërore dhe shkencore me një nga profesorët me emër të Pedagogjisë dhe Psikologjisë në Universitetin e Janinës, z. Kyriakidhis, mik i hershëm i Kryepiskopit tonë në veprimtarinë hierapostolike. Biseda u organizua në sallën të veprimtarive të Liceut Kishtar, me pjesëmarrje dhe interes të veçantë. Ishte i pranishëm edhe Hirësia e Tij Dhimitri. Profesori organizoi biseda shumë të vlefshme edhe me nxënësit e Liceut Kishtar, si dhe ata të Shkollës së Mesme Profesionale “Apostull Pavli” në Mesopotam.
    Mitropoliti i Gjirokastrës, duke u qëndruar pranë të rinjve dhe të rejave kreu në veçanti për ata Efqelinë e Shenjtë për të gjithë vogëlushët e kopshteve dhe shkollës nëntëvjeçare, si edhe të rinjtë e shkollave të mesme. Edhe në Liturgjitë Hyjnore të zakonshme dhe të parashenjtëruara pjesëmarrja e të rinjve dhe të rejave ishte shumë intensive, dukë bërë rrëfim dhe marrë kungim të trupit dhe gjakut të Zotit tonë Jisu Krisht. 
    Grupe nxënësish nga Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” shoqëruan Mitropolitin edhe në veprimtaritë adhuruese në enoritë përreth Gjirokastrës, për të ndihmuar dhe përcjellë mesazhin e ditëve të shenjta tek besimtarët.
 
     Epitafi në Sarandë
    Ishte prekëse atmosfera të Premten e Zezë në enorinë e Shën Harallambit, në Sarandë. Qindra besimtarë orthodhoksë, por edhe banorë të tjerë të qytetit, mbanin të mbushur Kishën dhe oborrin e saj të bukur gjatë gjithë ditës. për t’u falur në Epitafin e Zotit tonë Jisu Krisht.
     Në mbrëmje, për Akolluthinë e Epitafit ceremonitë i kryesonte Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri. Ishin mijëra besimtarët që mbushën kishën dhe mjediset rrotull saj me qirinjtë e ndezur në duar, duke krijuar një pamje me të vërtetë mbresëlënëse. Edhe ky Epitaf i sivjetmë, sikundër të gjitha ngjarjet që Kisha Orthodhokse kremton, u shndërrua në një eveniment për të gjithë komunitetin e Sarandës dhe enoria orthodhokse u bë epiqendra e jetës për qytetin për gjithë triditëshin, deri në Ngjalljen e Zotit tonë Krisht.
     Me Mitropolitin në krye litania e Epitafit bëri rrethin e madh deri në sheshin qendror të qytetit (edhe pranë bazilikës antike, gjurmë e thellësisë në shekuj të besimit Orthodhoks në këto brigje të Jonit), për t’u rikthyer përsëri në Kishë.
     E njëjta atmosferë devocioni shpirtëror ishte dhe gjatë daljes së Epitafit në qytetin e  Gjirokastrës, me të dy epitafët – nga Kisha e Metamorfozës së Zotit, pranë kalasë dhe ajo e Taksiarhëve, në Varrosh. Ato shoqëroheshin nga qindra besimtarë dhe pasi përshkuan rrugët e   kalldrëmta, u bashkuan në sheshin qendror.
     Akolluthia e Epitafit dhe litani në rrugët e qyteteve u krye edhe në Përmet, në Himarë, në Këlcyrë, në Tepelenë, në Memaliaj, por edhe në enoritë e tjera të mëdha e të vogla në zonat arkieratike të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.
 
      Ngjallja e Zotit Iisu Krisht 
     Edhe këtë vit Pashkët ishin festive dhe gjithë shkëlqim në gjithë Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës. Në Kishën Katedrale, në Lagjen karakteristike të Pazarit të Vjetër, Liturgjinë Hyjnore të Ngjalljes e kryesoi Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri. Me një program të organizuar prej ditësh, priftërinjtë e pakët të Mitropolisë u përpoqën me udhëzimet edhe të Mitropolitit të mbulojnë nevojat e të gjitha fshatrave sado të largëta qofshin. Kështu pothuajse në të gjitha enoritë u krye shërbesa e Ngjalljes dhe besimtarët morën Dritën e Ngjalljes me llambadha dhe e çuan në shtëpitë e tyre.
     Rrugët dhe rrugicat shkëlqyen nga drita e Orthodhoksisë, nga shkëlqimi i Ngjalljes së Zotit Krisht, dhe ky mesazh hyjnor përshkroi komunitet në çdo kënd, duke u bërë një gëzim i përbashkët dhe lajm shpresëdhënës për besimtarët dhe jo vetëm për ta.
     Besimtarë të shumtë mbushën Kishën e Metamorfozës së Zotit në Gjirokastër jo vetëm për shërbesën e Ngjalljes, por dhe në vazhdim, për Liturgjinë Hyjnore. Gjatë Shërbesës së Ngjalljes u lexua edhe Mesazhi Paskal i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasit dhe kështu besimtarët bashkë me llambadhën e Ngjalljes morrën në mendjen dhe zemrën e tyre edhe fjalën e ngrohtë të Tij, me sigurinë se Zoti i Ngjallur pas tri ditësh është gjithmonë i pranishëm në çdo moment të jetës sonë.
     Është për t’u theksuar pjesëmarrja e shumtë e të rinjve, edhe atyre që vijnë për këto ditë festive nga Greqia, në të gjitha shërbesat dhe Misteret e Kishës sonë. Kjo jo vetëm natën e Ngjalljes, por gjatë gjithë ditëve të Javës së Madhe. Kështu, Kisha jonë Orthodhokse bëhet edhe një faktor më i rëndësishëm dhe i qenësishëm i lidhjes së tyre me vendin e lindjes.
     Të Dielën e Pashkës në Kishën e Taksiarhëve, në Varrοsh të Gjirokastrës, nën kryesimin e Mitropolitit, u krye Mbrëmësorja e Dashurisë ose Ngjallja e Dytë, sikundër ka mbizotëruar në traditën popullore.
 
     Në vazhdim, në qendrën shpirtërore të enorisë u shkëmbyen urimet tradicionale me «Krishti u Ngjall!», me Mitropolitin, bashkëpunëtorë nga Greqia që kishin ardhur për të ndihmuar këto ditë të shenjta, priftërinj nga enori të ndryshme të Mitropolisë dhe besimtarët e shumtë.
     Atmosfera festive vazhdon gjatë gjithë javës së shndritshme paskale në enoritë e ndryshme me panairet lokale  në manastire dhe eksoklise.