Mbërrin në duart e lexuesve një prej botimeve më të spikatura të rinisë orthothokse, revista “Kambanat”. Numri i 29-të i saj doli në qarkullim në mes të muajit shkurt, dhe vjen për të gjithë lexuesit me tituj të rinj dhe emra të rinj e “të vjetër” që kanë “ushqyer”prej vitesh këtë revistë me materiale të dobishme shpirtërore, shkencore, krijuese, artistike etj.

   Kopertina e botimit periodik “Kambanat” sjell në vëmendje vizitën historike të Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë, Theodhori II para pak kohësh në Tiranë, duke nënvizuar kontributin e rinisë në mbarëvajtjen e kësaj vizite, e cila kulmoi me festivalin tradicional që organizohet çdo fundvit nga rinia e Kishës.

    Të tjerë tituj që spikatin në këtë numër të ri janë: “Qëllimi i jetës: Të njohim Perëndinë”, “Ati shpirtëror na ndihmon në shërimin nga depresioni”, “Kisha e Apostull Pavlit dhe e shën Astit”, ashtu sikurse edhe artikuj të tjerë social e artistik si: “Thashethemet”, “Koncepti “rural” dhe ruraliteti në Shqipëri”, “Vështrim mbi paraqitjen kompozicionale dhe artistike të ikonografisë bizantine”. Gjithashtu një vend të veçantë zënë edhe krijimet e të rinjve si dhe aktivitetet e tyre nëpër enori të ndryshme të Kishës sonë, e shoqëruar në vijim edhe me rubrikën e këndshme të anekdodave.

    Revista “Kambanat” funksionon prej 9 vjetësh dhe është botim i Zyrës Rinore të Kishës sonë. Revista ka përmbajtje cilësore dhe përpunim artistik bashkëkohor. Ajo mbetet një nga revistat më të dashura jo vetëm për të rinjtë, por për të gjitha moshat, të cilat mund ta gjejnë këto ditë në kishat kryesore të Kishës sonë me çmimin modest prej 100 lekësh.
 
Isidor Koti
 
 
Përmbajtja