Kur dikush niset për një udhëtim duhet ta dijë më parë se ku po shkon. Kështu ndodh edhe me Kreshmën. Mbi të gjitha, Kreshma është një udhëtim shpirtëror me destinacion Pashkën “Festën e Festave”. Ajo është përgatitja për “plotësinë e Pashkës, zbulesës së vërtetë.”
Prandaj ne duhet të fillojmë duke u përpjekur të kuptojmë këtë lidhje midis Kreshmës dhe Pashkës për shkak se ajo zbulon diçka shumë thelbësore, shumë kyçe për jetën dhe besimin tonë të Krishterë. Është e domosdoshme të shpjegojmë që Pashka është shumë më tepër se një festë, shumë më tepër se një përkujtim i përvitshëm i një ngjarjeje të ndodhur në të shkuarën. Çdokush që ka marrë pjesë qoftë edhe një herë në atë natë, e cila është “më e ndritshme se dita”, dhe që ka shijuar atë gëzim unik e kupton këtë. Po përse është ai gëzim? Përse këndojmë gjatë Liturgjisë së Pashkës: “Krishti u Ngjall”? Në ç’kuptim festojmë “vdekjen e vdekjes, asgjësimin e Ferrit, fillimin e një jete të re dhe të përjetshme …”? Për të gjitha këto pyetje përgjigja është: jeta e re, e cila për më shumë se dy mijë vjet më parë, që shkëlqeu prej varrit na është dhënë neve dhe të gjithë atyre që besojnë në Shpëtimtarin Jisu.
Megjithatë duket që shumë njerëz sot ose nuk e marrin seriozisht kreshmën ose nuk i kuptojnë si duhet qëllimet e saj të vërteta shpirtërore. Për disa njerëz kreshmimi konsiston në një heqje dorë simbolike nga diçka; për disa të tjerë ajo është një listë e skrupullt rregullash diete. Por në të dyja rastet kreshmimi shumë rrallë i referohet përpjekjes së plotë kreshmore. Këtu si gjithkund tjetër ne duhet fillimisht të përpiqemi të kuptojmë mësimin e Kishës për kreshmimin dhe më pas të pyesim veten: si mund ta zbatoj këtë mësim në jetën time?
Është e rëndësishme të dallojmë përmbajtjen unikisht të Krishterë të kreshmimit. Ajo na zbulohet para së gjithash në ndërvarësinë midis dy ngjarjeve të cilat i gjejmë në Bibël: një në fillim të Dhiatës së Vjetër dhe tjetra në fillim të Dhiatës së Re. Ngjarja e parë është prishja e kreshmës nga Adami në Parajsë. Ai hëngri nga fruti i ndaluar. Kjo është mënyra sesi na zbulohet mëkati i parë. Krishti, Adami i ri – dhe kjo është ngjarja e dytë – fillon me kreshmimin. Adami u tundua dhe iu nënshtrua tundimit; Krishti u tundua, por e mposhti tundimin. Pasojat e rënies së Adamit janë dëbimi i Adamit nga Parajsa dhe vdekja. Frytet e fitores së Krishtit janë shkatërrimi i vdekjes dhe kthimi ynë në Parajsë. Kreshmimi nuk është thjesht një detyrim, një zakon; ai lidhet me vetë misterin e jetës dhe vdekjes, shpëtimit dhe dënimit.
Në doktrinën e krishterë orthodhokse mëkati nuk është vetëm një shkelje e një rregulli që të çon në dënim; ai është gjithmonë një cënim i jetës që na është dhënë nga Perëndia. Për këtë arsye historia e mëkatit të parë na paraqitet si një veprim ngrënieje. Sepse ushqimi është mjet i jetës; është ai që na mban gjallë. Këtu qëndron e gjithë çështja: çfarë do të thotë të jesh gjallë dhe çfarë do të thotë jetë? Për ne sot ky term ka një kuptim fillimisht biologjik: jeta është pikërisht ajo që varet plotësisht nga ushqimi dhe në mënyrë më të përgjitshshme nga bota fizike. Por për Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Krishterë kjo jetë nga buka vetëm identifikohet me vdekjen për shkak se ajo është jetë e vdekshme, për shkak se vdekja është një parim që gjithmonë funksionon në të. Perëndia na thuhet, nuk krijoi vdekje. Ai është Dhënësi i Jetës. Po si atëherë u bë jeta e vdekshme? Përse është vdekja dhe vetëm vdekja i vetmi kusht absolut i asaj që ekziston? Kisha përgjigjet: për shkak se njeriu nuk e pranoi jetën, ndërsa i ofrohej dhe i jepej nga Perëndia dhe parapëlqeu një jetë që nuk varej nga Perëndia vetëm, por nga buka vetëm.
Bota dhe ushqimi u krijuan në këtë mënyrë si mjet kungimi me Perëndinë dhe vetëm nëse do të pranoheshin për hir të Perëndisë do të jepnin jetë. Në vetvete ushqimi nuk ka jetë dhe nuk mund të japë jetë. Vetëm Perëndia ka Jetë dhe është Jetë. Në vetë ushqimin Perëndia – dhe jo kaloritë – ishte parimi i jetës. Kështu, të hash, të jesh gjallë, të njohësh Perëndinë dhe të jesh në kungim me Të ishin një dhe e njëjta gjë. Tragjedia e pakonceptueshme e Adamit është se hëngri për hir të vetvetes. Më shumë se kaq, ai hëngri i ndarë nga Perëndia më qëllim që të mos varej nga Ai. Dhe arsyeja që e bëri këtë, është sepse besoi që ushqimi kishte jetë në vetvete dhe që ai duke ngrënë nga ai ushqim mund të bëhej si Perëndia d.m.th të kishte jetë në vetvete. Ta themi shumë thjesht: ai besoi tek ushqimi, ndërsa i vetmi ku duhet të kemi besim, i vetmi që ka jetë, i vetmi ku përikim është Perëndia dhe vetëm Perëndia. Bota, ushqimi u bënë perënditë e tij, burimet dhe parimet e jetës së tij. Ai u bë skllav i tyre. Adam – në hebraisht – do të thotë njeri. Ky është emri im, emri ynë. Njeriu është ende Adam, ende skllav i ushqimit. Ai mund të pretendojë se beson te Perëndia por Perëndia nuk është jeta e tij, ushqimi i tij, dhe përmbajtja gjithëpërfshirëse e ekzistencës së tij. Ai mund të pretendojë që e merr jetën e tij nga Perëndia, por ai nuk jeton në Perëndinë dhe për Perëndinë. Shkenca e tij, përjetimi i tij, vetë ndërgjegja e tij janë të gjitha të themeluara mbi të njëjtin parim: vetëm me bukë. Ne hamë që të jemi gjallë, por nuk jemi gjallë më Perëndinë. Ky është mëkati i gjithë mëkateve. Ky është vendimi i vdekjes i shqiptuar mbi jetën tonë.
Krishti është Adami i Ri. Ai vjen për të riparuar dëmin që solli Adami mbi jetën, për ta rikthyer njeriun në jetën e vërtetë dhe kështu Ai fillon me kreshmim. Uria është një gjendje në të cilën kuptojmë varësinë tonë nga diçka tjetër – kur ne urgjentisht dhe thelbësisht kemi nevojë për ushqim – tregojmë kështu që nuk kemi jetë në vetvete. Ajo është kufiri përtej të cilit unë ose vdes nga uria ose duke kënaqur trupin tim kam përsëri përshtypjen se jam gjallë. Ajo është, me fjalë të tjera, koha kur përballemi me pyetjen më të madhe: nga se varet jeta ime? Dhe meqënëse kjo pyetje nuk është një pyetje akademike, por ndjehet nga gjithë trupi im ajo është gjithashtu koha e tundimit. Satani shkoi te Adami në Parajsë; ai shkoi te Krishti në shkretërirë. Ai shkoi te dy njerëz të uritur dhe tha: hani, sepse uria juaj është prova që ju vareni tërësisht nga ushqimi, që jeta juaj është në ushqim. Dhe Adami besoi dhe hëngri; por Krishti e mposhti atë tundim dhe tha: njeriu nuk do të jetojë vetëm nga buka, por nga Perëndia. Ai refuzoi të pranonte atë gënjeshtër kozmike të cilën Satani ia imponoi botës, duke e bërë atë gjënjeshtër themelin e tërë pikëpamjes sonë për botën. Duke bërë këtë, Krishti ndreqi atë marrëdhënie midis ushqimit, jetës dhe Perëndisë, të cilën Adami e prishi dhe të cilën ne ende e prishim çdo ditë.
Çfarë është atëherë kreshmimi për ne të krishterët? Kreshmimi është hyrja dhe pjesëmarrja jonë në atë përjetim të Vetë Krishtit me anë të së cilit Ai na çliron nga varësia e plotë nga ushqimi, materia dhe bota. Çlirimi ynë nuk është në asnjë mënyrë i plotë. Duke jetuar përsëri në këtë botë të rënë, në botën e Adamit të Vjetër, ne përsëri varemi nga ushqimi. Por ashtu si vdekja jonë – nëpërmjet së cilës na duhet të kalojmë përsëri – është bërë nga virtyti i Vdekjes së Krishtit një kalim në jetë, ushqimi që hamë dhe jeta që ai mundëson mund të jetë jetë më Perëndinë dhe për Perëndinë. Pjesë e ushqimit tonë është bërë tashmë ushqimi i pavdekësisë – Trupi dhe Gjaku i Vetë Krishtit. Madje edhe buka e përditshme që marrim nga Perëndia mund të jetë në këtë jetë dhe në këtë botë ajo që na forcon, kungimi ynë me Perëndinë dhe jo ajo që na ndan nga Perëndia. Megjithatë është vetëm kreshmimi ai që mund të kryejë atë transformim, duke na dhënë provën ekzistenciale që varësia jonë nga ushqimi dhe materia nuk është e plotë, absolute, që i lidhur me lutjen, hirin dhe adhurimin ai mund të jetë shpirtëror.
E gjitha kjo do të thotë që i kuptuar thellë kreshmimi është i vetmi mjet me anë të së cilit njeriu shëron natyrën e tij të vërtetë shpirtërore. Ai nuk është një sfidë teorike, por është realisht një sfidë praktike kundër Gënjeshtarit të madh që ia doli të na bindë që varemi vetëm nga buka dhe ndërtoi tërë dijen njerëzore, shkencën dhe ekzistencën mbi një gënjeshtër.
Kreshmimi është përgënjeshtrimi i asaj gënjeshtre dhe gjithashtu prova që ajo është një gënjeshtër. Është shumë e rëndësishme që ndodhi pikërisht gjatë kreshmimit takimi i Krishtit me Satanin dhe që Ai më vonë tha që Satani nuk mund të mposhtet me gjë tjetër veç me kreshmë dhe lutje. Kreshmimi është lufta e vërtetë kundër Djallit, sepse ai është sfida kundër atij ligji gjithëpërfshirës, i cili e bën atë Princin e kësaj bote. Megjithatë, nëse dikush ka uri dhe zbulon që në të vërtetë mund të mos varet nga ajo uri, të mos shkatërrohet nga ajo, por përkundrazi mund ta transformojë atë në një burim të fuqisë dhe fitores shpirtërore atëherë asgjë nuk mbetet nga ajo gënjeshtër e madhe në të cilën kemi jetuar që nga Adami.
Sa larg jemi tani nga kuptimi i zakonshëm i kreshmimit si thjesht një ndryshim diete, si ndarje e asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, nga gjithë ajo hipokrizi sipërfaqësore! Përfundimisht të kreshmosh do të thotë vetëm një gjë: të jesh i uritur – të shkosh në limitet e asaj gjendjeje njerëzore e cila varet plotësisht nga ushqimi dhe duke qënë i uritur të zbulosh që kjo varësi nuk është e gjithë e vërteta rreth njeriut, ajo uri vetë është para së gjithash një gjendje shpirtërore dhe që është në realitetin e saj të fundit uri për Perëndinë.
Kreshmimi si një përpjekje fizike është plotësisht i pakuptimtë pa anën e tij shpirtërore: me kreshmë dhe lutje. Kjo do të thotë që pa përpjekjen korresponduese shpirtërore, pa ushqyer veten me Realitetin Hyjnor, pa zbuluar varësinë tonë nga Perëndia dhe vetëm nga Perëndia kreshmimi fizik do të ishte vërtetë vetëvrasje. Nëse Krishti Vetë u tundua ndërsa kreshmonte ne nuk kemi asnjë shans për ta shmangur atë tundim. Kreshmimi fizik, nëse ndahet nga përpjekja shpirtërore, nga lutja dhe përqendrimi te Perëndia, nuk është vetëm i pakuptimtë, ai është me të vërtetë i rrezikshëm. Kreshmimi është një art plotësisht i kuptuar mirë nga Shenjtorët; do të ishte e nxituar dhe e rrezikshme për ne nëse do ta provonim atë art pa gjykim të shëndoshë dhe pa kujdes. Tërë adhurimi kreshmor është një kujtues i vazhdueshëm i vështirësive, pengesave dhe tundimeve që presin ata që mendojnë që mund të varen te vullneti i tyre dhe jo te Perëndia.
Pikërisht për këtë arsye kemi nevojë para së gjithash për një përgatitje shpirtërore për përpjekjen e kreshmimit. Ajo konsiston në kërkimin e ndihmës së Perëndisë dhe gjithashtu në vendosjen e Perëndisë në qendër të kreshmës sonë. Ne duhet të kreshmojmë për hir të Perëndisë. Duhet të rizbulojmë që trupat tanë janë Tempuj të Pranisë së Tij. Duhet të rikthejmë një respekt fetar për trupin, për ushqimin dhe për vetë ritmin e jetës. E gjitha kjo duhet të bëhet përpara se kreshma të fillojë në mënyrë që kur të fillojmë të kreshmojmë të jemi të armatosur me armët shpirtërore, me një vizion, me frymë lufteje dhe fitoreje.
Më pas vjen kreshma vetë, e cila duhet praktikuar në dy nivele: së pari si kreshmë asketike; së dyti si kreshmë e plotë. Kreshma asketike konsiston në një reduktim drastik të ushqimit në mënyrë që gjendja e përhershme e një urie të caktuar të mund të përjetohet si një kujtues i Perëndisë dhe i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta mbajtur mendjen te Ai. Çdokush që e ka praktikuar atë – qoftë edhe pak – e di që kjo kreshmë asketike nuk na dobëson, por na bën të lehtë, të përqendruar, esëll, të gëzuar dhe të pastër. Dikush e merr ushqimin si një dhuratë e vërtetë të Perëndisë. Dikush drejtohet vazhdimisht drejt asaj bote të brendshme që në mënyrë të pakuptueshme bëhet një lloj ushqimi me të drejtën e tij. Masa e saktë e ushqimit që do të hahet në këtë kreshmim asketik, ritmi dhe cilësia e tij nuk është nevoja të diskutohen këtu; ata varen nga kapacitetet individuale, kushtet e jashtme të jetës sonë. Por parimi është i qartë: ai është një gjendje gjyshmë-urie natyra negative e së cilës në të gjitha rastet transformohet nga lutja, kujtimi, vëmendja dhe përqendrimi në një fuqi pozitive.
Për sa i përket kreshmës së plotë, duhet domosdoshmërisht të kufizohet në kohë dhe të koordinohet me Falënderimin Hyjnor. Në gjendjen tonë të tashme të jetës, forma e saj më e mirë është dita përpara kryerjes në mbrëmje të Liturgjisë së Parashenjtëruar. Nëse kreshmojmë atë ditë nga mëngjesi ose nga mesdita, këtu është e rëndësishme ta përjetojmë atë ditë si ditë pritjeje shprese dhe urie për Perëndinë. Ajo është një përqendrim shpirtëror mbi atë që vjen, mbi Dhuratën që do të merret, dhe për hir të së cilës dikush heq dorë nga të gjitha dhuratat e tjera.
Kreshmimi është një luftë e vërtetë dhe ndoshta do të biem shumë herë. Por vetë zbulimi i jetës së krishterë si luftë dhe përpjekje është aspekti thelbësor i kreshmimit. Një besim që nuk ka mposhtur dyshimet dhe tundimet vështirë se është besim i vërtetë. Mjerisht, asnjë përparim nuk është i mundur në jetën e Krishterë, pa përvojën e hidhur të dështimeve. Shumë njerëz e fillojnë kreshmimin me entuziazëm dhe heqin dorë pas dështimit të parë. Do të thosha që pikërisht në këtë dështim vjen testi i vërtetë. Nëse pas dështimit dhe dorëzimit, para oreksit dhe pasioneve tona fillojmë përsëri nga e para dhe nuk heqim dorë pavarësisht sesa shumë herë dështojmë, shpejt ose vonë kreshmimi ynë do të japë frytet e veta shpirtërore. Midis shenjtërimit dhe cinizmit zhgënjyes qëndron virtyti i madh dhe hyjnor i durimit – durim para së gjithash me veten tonë. Nuk ka rrugë të shkurtër drejt shenjtërisë; për çdo hap që bëjmë duhet të paguajmë një çmim të plotë. Kështu, është më mirë dhe më e sigurtë të fillojmë nga një minimum – vetëm pak mbi mundësitë tona të natyrshme – dhe ta rrisim përpjekjen tonë pak e nga pak, sesa të përpiqemi të kërcejmë lart në fillim dhe të thyejmë ca kocka kur të biem në tokë.
Në mënyrë të përmbledhur: nga një kreshmë në emër dhe simbolike – kreshma si detyrim dhe zakon – duhet të kthehemi te kreshma e vërtetë. Le të jetë e kufizuar dhe e përulur, por e qëndrueshme dhe serioze. Le të përballemi me sinqeritet me kapacitetin tonë fizik dhe shpirtëror dhe të veprojmë në përputhje me to, por duke kujtuar që nuk ka kreshmë pa sfiduar atë kapacitet, pa futur në jetën tonë një provë hyjnore, që gjërat e pamundura nga njerëzit janë të mundura nga Perëndia.
Father Alexander Schmemann, Great Lent
Përktheu dhe përgatiti Joan Baba