Qindra besimtarë kishin mbushur kishën madhështore të Shën Harallambit dhe oborrin e saj për Theofaninë, në Sarandë, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesat e tjera të ditës.
Ceremonitë adhuruese i kryesonte Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësi Dhimitri. Në predikimin e ditës, Hirësia e Tij tha mes të tjerash: “I pastër dhe i pafajshëm prej çfarëdo mëkati dhe për pasojë i shkarkuar nga turpi që zotëroi Adamin, Krishti, ky Adam i ri, u krodh lakuriq brenda “varrit të ujshëm”, duke parashënuar kështu zbritjen e Tij të pritshme në errësirat e Hadhit, brenda varrit. Kridhet në ujera dhe shkatërron fuqinë e Satanait që ishte në thellësitë e tyre dhe menjëherë ngrihet lart si fitimtar, duke na shpallur kështu me Ngjalljen e Tij të tretën ditë edhe ngritjen e gjinisë njerëzore, pasi të jetë larë dhe pastruar nga mëkati. Me pagëzimin e Tij në lumin Jordan, Krishti na shpalli se do të shpëtojë njerëzimin nga vdekja dhe do ta sjellë atë në njohjen e Trinisë së Shenjtë, nëpërmjet vdekjes dhe Ngjalljes se Tij… ”.
Në Shërbesën e Ajazmës së Madhe ishin të pranishëm autoritetet lokale besimtarët nga qyteti dhe enoritë përreth. Në një marrshim të shkurtër u drejtuan në breg te detit Jon ku u hodh kryqi në ujë për të nënvizuar pikërisht bekimin e botës me ardhjen e Krishtit. Shumë të rinj nga institucionet arsimore të Kishës, por edhe të tjerë të rinj u hodhën në det për të marrë Kryqin, duke përfituar edhe nga koha e ngrohtë që mban sivjet. Kryqin e mori i riu nga fshati Caush i Alikos, Spiro Çavo, i cili mori edhe bekimin dhe uratat e Mitropolitit Dhimitër.
Me pjesëmarrje mbarëpopullore të besimtarëve Orthodhokse dhe jo vetëm të tyre e kremtja e Theofanisë u festua edhe në Përmet me traditën e hedhjes së Kryqit në Lumin e Vjosës, në Himarë ku gjithashtu është shumë e ngazëllyer ceremonia në shëtitoren e madhe para Kishës së Shën Marenës.
Orfea Beci