Mesha Hyjnore quhet gjithashtu Liturgjia Hyjnore. Fjala Liturgji, që do të thotë punë e përbashkët ose veprim i përbashkët, e shpreh më mirë e më qartë kuptimin dhe përmbajtjen e Meshës Hyjnore. Ajo është puna e përbashkët e Kishës Orthodhokse. Mesha Hyjnore është veprimi zyrtar i Kishës së mbledhur së bashku, si Populli i zgjedhur i Perëndisë. Fjala kishë, kupton një mbledhje ose bashkim të njerëzve të zgjedhur dhe të thirrur veç për të kryer një detyrë të caktuar. Mesha Hyjnore është veprimi i përbashkët i të krishterëve orthodhoksë, të cilët mblidhen zyrtarisht për të formuar Kishën Orthodhokse. Ajo është veprimi i Kishës së mbledhur nga Perëndia, që kështu të jenë së bashku në një bashkësi, për të adhuruar, për të lutur, kënduar dhe dëgjuar Fjalën e Perëndisë, për të blatuar vetveten me falenderime në Krishtin tek Perëndia Atë dhe për të patur përvojën e gjallë të mbretërisë së përjetshme të Perëndisë, nëpërmjet Kungimit me të njëjtin Krisht, i Cili është i pranishëm në popullin e tij, me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Mesha Hyjnore kryhet gjithmonë nga të krishterët orthodhoksë në Ditën e Zotit, që është e Diela, “dita mbas Sabatit”, e cila simbolizon ditën e parë dhe të fundit të krijimit- ose siç quhet në Traditën e Shenjtë, dita e tetë – e Mbretërisë së Perëndisë. Kjo është dita e Ngjalljes së Krishtit nga të vdekurit, dita e gjyqit dhe e fitores së Perëndisë, e parathënë nga profetët, Dita e Zotit, që inauguron praninë dhe fuqinë e “mbretërisë së ardhshme”, qysh tani, në jetën e botës së tashme. Por, Mesha Hyjnore kremtohet gjithashtu nga Kisha edhe në ditët e festave të veçanta. Në manastiret dhe në disa katedrale e enori të mëdha, ajo kremtohet çdo ditë, me përjashtim të atyre të javës të Kreshmëve të Mëdha (Mesha ka karakter festiv, ndërsa Kreshmët kanë një karakter pendimtar e agjërimor dhe janë një përgatitje për të pritur Ngjalljen e Zotit, nëpërmjet kujtimit dhe vajtimit për mëkatin, i cili na ndan nga Perëndia).
Si një veprim i përbashkët i Popullit të Perëndisë, Mesha Hyjnore, në një bashkësi të krishterë orthodhokse mund të kremtohet vetëm një herë në ditë. Të gjithë anëtarët e Kishës duhet të mblidhen së bashku me priftin e tyre, në një vend dhe në një kohë. Këtu përfshihen, madje edhe fëmijët e vegjël dhe foshnjat, të cilët marrin pjesë plotësisht në Kungatën e Meshës Hyjnore, qysh nga dita e hyrjes së tyre në Kishë, nëpërmjet pagëzimit dhe mirosjes. Gjithmonë çdo njeri, gjithmonë së bashku. Kjo është shprehja tradicionale e Kishës Orthodhokse për Meshën Hyjnore. Për shkak të karakterit të përbashkët, Mesha Hyjnore kurrë nuk mund të kryhet privatisht vetëm nga kleriku. Kurrë nuk mund të shërbehet vetëm për ndonjërin dhe jo për të tjerët, por gjithmonë për të gjithë. Ajo kurrë nuk mund të shërbehet thjesht për disa qëllime personale, të veçanta ose të kufizuara. Prandaj, ne kemi në Meshën Hyjnore disa lutje të veçanta për të sëmurët, të vdekurit, ose për disa qëllime specifike, por kurrë nuk kryhet një Meshë Hyjnore vetëm për individë privatë ose për qëllime dhe projekte të veçanta. Mesha Hyjnore kryhet gjithmonë “për të gjithë dhe për të gjitha”.
Meqenëse Mesha Hyjnore është një akt zyrtar i lutjes, adhurimit, mësimit dhe Kungimit të të gjithë Kishës, në qiell dhe në tokë, ajo nuk duhet të shihet thjesht si një devocion ndërmjet shumë devocioneve, madje as si më i larti ose më i madhi. Mesha Hyjnore nuk është një veprim i një devotshmërie personale. Ajo nuk është një shërbesë lutjesh dhe nuk është thjesht një nga Misteret. Mesha Hyjnore është i vetmi mister i përbashkët i vetë qenies së Kishës vetë. Ajo është e vetmja shfaqje misterore e esencës së Kishës, si një Bashkësi e Perëndisë në qiell dhe në tokë. Mesha është e vetmja zbulesë unike misterore e Kishës, si Trupi mistik i Krishtit dhe si Nusja e Krishtit.
Si veprimi mistik qendror i tërë Kishës, Mesha Hyjnore ka gjithmonë frymën e Ngjalljes. Ajo është gjithmonë shfaqja e Krishtit të Ngjallur tek populli i tij. Mesha Hyjnore është gjithmonë një zbritje e Shpirtit jetëbërës dhe një Kungim me Perëndinë Atë. Ajo nuk ka kurrë karakter zije ose pendimtar dhe nuk është kurrë shprehje e errësirës dhe vdekjes së kësaj bote. Ajo është gjithmonë shprehja dhe përvoja e jetës së përjetshme të Mbretërisë së Trinisë së Bekuar. Mesha Hyjnore e kremtuar nga Kisha Orthodhokse, quhet Mesha e Shën Joan Gojartit. Kjo Meshë është pak më e shkurtër se ajo e quajtur Mesha e Shën Vasilit të Madh, e cila kryhet vetëm dhjetë herë gjatë vitit kishtar. Këto dy mesha e morën formën e tyre të tanishme ndoshta mbas shekullit të 9-të. Në formën siç i kemi sot, ato nuk janë krejtësisht ashtu siç u shkruan nga shenjtët, emrat e të cilëve mbajnë. Por, është fare e sigurtë, se lutjet eukaristike të secilës nga këto dy mesha, u formuluan në shekullin e 4-të dhe të 5-të, koha kur këta shenjtorë jetuan dhe punuan për Kishën.
Mesha Hyjnore ka dy pjesë kryesore. Pjesa e parë është mbledhja, e quajtur sinaksis. Kjo e ka origjinën në mbledhjet e sinagogave të Dhiatës së Vjetër dhe është e përqendruar në shpalljen dhe meditimin e Fjalës së Perëndisë. Pjesa e dytë e Meshës Hyjnore është flijimi eukaristik. Kjo e ka origjinën në adhurimin e tempullit të Dhiatës së Vjetër, në flijimet priftërore të Popullit të Perëndisë; dhe në ngjarjen qendrore shpëtimtare të Dhiatës së Vjetër, Pashkës.
Në Kishën e Dhiatës së Re, Jisu Krishti është Fjala e Gjallë e Perëndisë. Kështu, në pjesën e parë të Meshës Hyjnore, janë pikërisht ungjijtë e krishterë dhe shkrimet apostolike që shpallen e meditohen. Dhe në Kishën e Dhiatës së Re ngjarja shpëtimtare qendrore është flijimi i përsosur, i përjetshëm dhe i gjithmjaftueshëm i Jisu Krishtit, të vetmit Kryeprift të madh, i cili është gjithashtu Qengji i Perëndisë, i therur për shpëtimin e botës, Pashka e Re. Në Meshën Hyjnore besimtarët e krishterë marrin pjesë në vetëblatimin e vullnetshëm të Krishtit tek Ati, të kryer në kryq njëherë e përgjithmonë, me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Në dhe nëpërmjet këtij flijimi unik të Krishtit, besimtarët e krishterë marrin Kungimin e Shenjtë me Perëndinë.
Ka qenë për shekuj praktikë e Kishës, për t’i pranuar të gjithë në pjesën e parë të Meshës Hyjnore, ndërsa në pjesën e dytë vetëm ata që ishin bërë anëtarë të saj nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes. Personat e papagëzuar nuk lejoheshin as që të shikonin blatimin dhe marrjen e Kungatës së Shenjtë nga besimtarët e krishterë. Prandaj, pjesa e parë e Meshës Hyjnore filloi të quhej Mesha e katekumenëve ose Liturgjia e katekumenëve, d.m.th. Mesha për ata që po marrin mësime për besën e krishterë, që të mund të bëheshin anëtarë të Kishës nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes. Gjithashtu, për arsye të dukshme, ajo filloi të quhet dhe Mesha e Fjalës ose Liturgjia e Fjalës. Pjesa e dytë e Meshës Hyjnore, filloi të quhet Mesha e Besnikëve ose Liturgjia e Besnikëve.
Ndonëse sot në Kishën Orthodhokse jo të krishterët orthodhoksë dhe madje edhe jo të krishterët, lejohen të jenë të pranishëm në Meshën e Besnikëve, përsëri, pjesëmarrja në Kungatën Hyjnore i lejohet vetëm anëtarëve të Kishës Orthodhokse, të cilët janë plotësisht të angazhuar në jetën dhe mësimet e Besimit Orthodhoks, të ruajtur, mësuar e praktikuar nga Kisha nëpër gjithë historinë e saj.
Në komentin e Meshës Hyjnore, që do të vijojë më poshtë, do ta përqendrojmë vëmendjen tonë se çfarë ndodh në Kishë gjatë “veprimit të përbashkët” të saj. Duke bërë këtë, ne do të përpiqemi të depërtojmë në kuptimin esencial dhe themelor që ka Mesha për njeriun, jetën dhe botën e tij. Kjo do të jetë një shkëputje e plotë prej interpretimit të Meshës Hyjnore, si një dramë të luajtur nga kleri dhe të “ndjekur” nga populli, në të cilën çdo pjesë është një aspekt i jetës dhe i veprës së Krishtit (p.sh., proskomidhia për Lindjen e Krishtit; Hyrja e vogël për fillimin e shërbesës së tij publike, Ungjilli për predikimin e tij, Hyrja e madhe për të Dielën e Dafinave etj.). Ky tip interpretimi i mëvonshëm i Meshës Hyjnore, është një shpikje, e cila është ndoshta interesante dhe frymëzuese për disa, por krejtësisht e huaj për kuptimin dhe qëllimin e vërtetë të Meshës Hyjnore në Kishën Orthodhokse.