Mbas Shërbesës së Blatës së Hyjshme, prifti (ose dhiaku) temjanis altarin, ikonat dhe tërë Kishën. Në kohën që po temjanis altarin, ai thotë pa zë troparet që rrëfejnë plotësinë e pranisë së Krishtit në varr, në vdekje, në parajsë, në të djathtë të Atit: “Ti, i papërshkruar, që i mbush të gjitha”. Ai, gjithashtu, thotë pa zë Psalmin 50: Mëshiromë, o Perëndi. Pas temjanisjes, kleri lutet “O Mbret Qiellor…”, duke lypur praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ata thonë përshëndetjen engjëllore: “Lavdi Perëndisë që është më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe ndër njerëzit mirëdashje”. Pastaj hapet Dera e Bukur dhe Mesha fillon. Thirrja e parë e Meshës Hyjnore zbulon çelësin e tërë kremtimit: E bekuar është mbretëria e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.
Me këto fjalë kremtuesi (personi që kryen Meshën, peshkopi ose prifti) lajmëron burimin dhe qëllimin e shërbesës hyjnore të Popullit të Perëndisë, përmbajtjen dhe përbërjen e vërtetë të tërë veprimit liturgjik. Eshtë Mbretëria e Perëndisë, e prurë në botë nga Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, që mbretëron tashmë mistikërisht në nxënësit besnikë të Krishtit me anë të pranisë dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Mbretëria e Perëndisë është jeta e përjetshme në Kungim me Perëndinë dhe në bindjen plot dashuri ndaj vullnetit të Tij hyjnor. Eshtë jeta e bashkuar me Shën Trininë; jeta e jetuar drejt Atit, me anë të Birit, në Shpirtin e Shenjtë. Eshtë jeta, që Krishti iu dha njerëzve me anë të mishërimit, kryqëzimit, ngjalljes dhe lavdërimit të Tij. Eshtë jeta që duhet jetuar, që tani në këtë botë, nga Populli i Perëndisë.
Të bekosh Mbretërinë e Perëndisë, do të thotë ta duash atë si gjënë më të shtrenjtë. Populli i përgjigjet bekimit me fjalën Amin, që do të thotë Ashtu qoftë. Ky është pohimi solemn, i cili tregon se bekimi i Mbretërisë së Perëndisë është me të vërtetë i drejtë dhe i mirë. Ai është pohimi, që shpall zyrtarisht, se kjo Mbretëri është me të vërtetë për besimtarët “margaritari me vlerë të madhe”, që mbasi e kanë gjetur njëherë, ata do ta duan dhe do t’i shërbejnë dhe do të dëshirojnë ta kenë përgjithmonë (Mattheu 13:45-46). Vetëm Mesha Hyjnore dhe misteret e shërbesat e tjera të Kishës, të cilat në fillim ishin integruar në kremtimin eukaristik, si Pagëzimi, Mirosja dhe Martesa, fillojnë me bekimin solemn të Mbretërisë së Perëndisë.