Mbas Litanisë së Madhe, këndohen vargje nga psalmet sipas rasteve të veçanta. Këto vargje nga psalmet janë quajtur antifone, sepse ato ishin dhe ngadonjëherë, ende janë kënduar në dy kore, secili duke iu përgjigjur antifonisht tjetrit. Në çdo Meshë Hyjnore ka tre antifone. Historikisht, antifonet këndoheshin nga populli, në procesionin solemn drejt Kishës, ku Mesha Hyjnore e ditës do të kremtohej. Sot, ndonëse antifonet janë pjesë e shërbesës, ato akoma formojnë përgatitjen e gëzueshme për hyrjen në adhurimin e Krishtit, nëpërmjet Fjalës së Ungjillit dhe në blatimin dhe marrjen e Kungimit Hyjnor.

    Normalisht, psalmet e kënduara si antifone në Meshën Hyjnore të Ditës së Zotit janë Psalmet 103 dhe 146. Në ditë festash përdoren psalme të tjerë, që kanë lidhje me kremtimin e veçantë. Këtyre vargjeve nga psalmet iu shtohen edhe refrene, të cilët ndyshojnë sipas festave të ndyshme. Mbas antifonit të dytë këndohet një hymn i krijuar nga perandori Justinian, O i Vetëmlindur Bir. Ai është një himn i besimit në hyjnishmërinë e Krishtit dhe në mishërimin, kryqëzimin dhe ngjalljen, si “një nga Trinia e Shenjtë”, për shpëtimin e njerëzve. Mbas dy antifoneve dhe këndimit të “O i Vetëmlindur Bir”, që i përkasin çdo Meshe Hyjnore, këndohet gjithashtu edhe një antifon i tretë. Në pjesën më të madhe të Kishave Orthodhokse, në të Diela të zakonshme këndohen si antifon i tretë Lumurimet nga Predikimi i Krishtit në Mal (Mattheu 5:3-12). Lumurimet këndohen me refrene të marra nga fjalët që Kusari i Mirë tha në Kryq: Kujtona o Zot, kur të vish në Mbretërinë Tënde (Lluka 23:42). Në festa të ndryshme vargje të veçanta psalmesh, së bashku me këndimin e Përlëshores së ditës, formojnë antifonin e tretë të Meshës Hyjnore.