Gjatë këndimit solemn të Himnit Trishenjtor drejtuar Trinisë së Shenjtë, kleri shkon në Vendin e Lartë mbrapa altarit, duke bekuar Krishtin që “je mbi fronin e lavdisë së mbretërisë sate, ti që rri mbi kerubimet…”. Pastaj, këndohet Apostulli i Meshës, zakonisht nga një laik, ose njëri nga këndonjësit (anagnosti). Këndimi, në gjuhën tradicionale të Kishës, është quajtur Apostull ose këndimi apostolik. Ai është quajtur kështu nga që këndimi merret nga Veprat e Apostujve ose nga letrat apostolike të Dhiatës së Re.
I vetmi libër i Dhiatës së Re që nuk lexohet në shërbesat e Kishës Orthodhokse është Libri i Zbulesës, për shkak të karakterit të tij apokaliptik.Kisha ka një seri të caktuar të këndimeve të Apostullit për çdo ditë të vitit, me përjashtim të ditëve të javës së Kreshmëve të Mëdha, kur Mesha Hyjnore nuk kremtohet. Gjithashtu ka këndime të caktuara për kremtime të veçanta të Kishës. Përpara këndimit thuhet një varg i caktuar nga Psaltiri, i quajtur paravargu (greqisht prokimenon, që literalisht do të thotë “që shkon përpara”). Ky përgatit popullin të dëgjojë Fjalën e Perëndisë.