Mbas këndimit të Apostullit prifti bekon këndonjësin dhe psaltët thonë tri herë Aliluia. Në disa Kisha Aliluiat shoqërohen me disa vargje nga psalmet. Gjithashtu, në shumë Kisha Orthodhokse gjatë këndimit të Aliluiave temjaniset Ungjilli, ikonat, këndonjësi dhe tërë populli. Në disa Kisha të tjera temjanisin në heshtje gjatë këndimit të Apostullit. Temjanisja gjatë Aliluiave është më e përshtatshme, sepse temjanisja gjatë këndimit mund të tërheqë vëmendjen nga këndimi.

    Aliluiat dhe temjanisja në këtë moment të Meshës Hyjnore tregojnë praninë e Perëndisë në Popullin e tij, vetë Ai duke i mësuar ata, me anë të Krishtit Fjalës dhe Shpirtit të Shenjtë (Joani 6:45). Perëndia është me njerëzit në Kishë, duke e zbuluar kështu në botë Vetveten dhe Vullnetin e Tij Hyjnor. Ungjilli është Lajmi i Mirë i Perëndisë për shpëtimin, sihariqi i tij zyrtar për njerëzimin. Proklamimi i Ungjillit në Kishë është një veprim misteror. Ai është një formë e Kungimit të njeriut me Perëndinë. Ai është një element i misterit liturgjik, në të cilin dhe nëpërmjet të cilit Perëndia bashkohet me Popullin e Tij dhe Populli i Tij me Të.

    Ashtu si për Apostullin edhe për Ungjillin janë caktuar pjesë të ndryshme këndimi për çdo ditë, si edhe për kremtime të ndryshme. Mbas proklamimit të Fjalës së Perëndisë, nëpërmjet fjalëve të Ungjillit Hyjnor, bëhet predikimi. Në Traditën Orthodhokse, predikimi është një pjesë e rëndësishme e Liturgjisë eukaristike dhe bën pjesë në karakterin e saj të përgjithshëm misteror.