Tani fillon pjesa e Meshës Hyjnore e cila quhet Anafora, që do të thotë ngritje lart, lartësim. Në këtë kohë, dhuratat e bukës dhe të verës që janë blatuar në altar, ngrihen lart nga altari drejt Perëndisë Atit dhe marrin shenjtërimin hyjnor nga Shpirti i Shenjtë, i cili vjen t’i ndryshojë ato në Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Forma e përgjithshme e Anaforës është rituali paskal i Dhiatës së Vjetër, por tani i përmbushur dhe i përsosur në Dhiatën e Re dhe të përjetshme të Perëndisë me njerëzit, në personin dhe veprën e Jisu Krishtit, Mesias, “Qengjit tonë të Pashkës që është flijuar” (1 Korinthianët 4:7; shih gjithashtu Hebrejtë 5:10). Kështu, Anafora fillon: Le të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë, le të kemi kujdes, që të blatojmë me paqe theroren e shenjtë.
Populli përgjigjet: Mëshirë paqeje, therore lavdërimi. Therorja e Shenjtë është Krishti, Biri i Perëndisë, i cili u bë Biri i Njeriut, që të blatojë vetveten tek Ati i tij, për jetën e botës. Në personin e tij, Jisui është blatimi paqësor i përsosur, i cili është i vetmi që sjell mëshirën pajtuese të Perëndisë. Ky është padyshim kuptimi i shprehjes mëshirë paqeje, i cili ka qenë për vite një burim ngatërrese për njerëzit e të gjitha gjuhëve liturgjike. Për më tepër, për të qenë blatimi paqësor i përsosur, Jisui është, gjithashtu, e vetmja therore lavdërimi e përshtatshme dhe e mjaftueshme që njerëzit mund t’i blatojnë Perëndisë. Nuk ka ndonjë gjë tjetër tek njerëzit, që mund të krahasohet me hijshmërinë e Perëndisë. Nuk ka asgjë tjetër me të cilën njerëzit denjësisht mund të lavdërojnë e falenderojnë Krijuesin. Kështu do të ishte edhe sikur njerëzit të mos ishin mëkatarë. Prandaj, vetë Perëndia i pajisi njerëzit me theroren e lavdërimit më të përkryer. Biri i Perëndisë u bë vërtetësisht njerëzor, që personat njerëzorë të mund të kenë një prej natyrës së tyre plotësisht të përshtatshëm për hyjshmërinë dhe hirshmërinë e Perëndisë. Dhe ky është Krishti, therorja e lavdërimit.
Kështu, tek Krishti çdo gjë është e mbaruar dhe e përmbushur. Në të është përmbushur tërë sistemi flijimor i Dhiatës së Vjetër, i cili është në vetvete imazhi i përpjekjes universale të njerëzimit për t’u denjësuar tek Perëndia. Tërë blatimet e mundshme janë trupëzuar dhe përkryer në blatimin e Krishtit në kryq. Ai është blatimi për paqen, pajtimin dhe faljen. Ai është therorja për lutjen, falenderimin dhe lavdërimin. Në të janë falur tërë mëkatet e fajet e njerëzimit. Në të janë përmbushur tërë aspiratat pozitive të njerëzimit. Në të dhe vetëm në të janë prurë në një Kungim të Shenjtë të tëra rrugët e njerëzimit për tek Perëndia dhe të Perëndisë tek njerëzimi. Vetëm nëpërmjet tij, njerëzit kanë hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme (Efesianët 2:18; gjithashtu Joani 14; 2 Korinthianët 5; Kolosianët 1).
Tani kremtuesi i adresohet popullit me bekimin Trinisor të Apostull Pavlit (2 Korinthianët 13:13). Kjo është një përshëndetje e krishterë më e përpunuar se sa thjesht Paqe (Shalom) e Dhiatës së Vjetër: Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht dhe dashuria e Perëndisë Atit dhe Kungimi i Shpirtit të Shenjtë, qoftë me ju të gjithë. Dhe populli përgjigjet: Dhe në shpirtin tënd. Hiri i Krishtit vjen në fillim. Në këtë hir përmbahet plotësia e dashurisë së Perëndisë dhe Kungimi (bashkëpërjetimi, pjesëmarrja), i Shpirtit të Shenjtë. Kremtuesi ia afron tërë këtë derdhje të bollshme të jetës së brendshme të Trinisë së Shenjtë Popullit të Perëndisë. Dhe ata i përgjigjen me lutjen që kjo “plotësi e Perëndisë” të jetë gjithashtu dhe me shpirtin e tij.
Dialogu eukaristik vazhdon:Le t’i ngremë lart zemrat! I kemi te Zoti! Le ta falenderojmë Zotin! I ka hie dhe është e drejtë. Kur njerëzit në Krishtin, i ngrenë lart dhuratat eukaristike, ata ngrenë lart gjithashtu zemrat e tyre. Në Shkrimin e Shenjtë zemra e njeriut qëndron për tërë qenien dhe jetën e tij. Kështu, në Anafora, siç edhe Apostull Pavli thotë, tërë njeriu është ngritur lart në atë mbretëri, ku Krishti tashmë rri në të djathtën e Perëndisë. Nëse ju jeni ngjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti rri në të djathtë të Perëndisë. Kini ndër mend gjërat që janë lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë (Kolosianët 3:1-3).
Mënyra për të ngritur lart veten tek Perëndia është nëpërmjet falenderimit. Fjala eukaristi në greqisht do të thotë falenderim. Mesha Hyjnore eukaristike është kryesisht veprimi i ngritjes lart të zemrave dhe falenderimit të Perëndisë, për gjithçka që ka bërë për njeriun dhe botën, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë: krijimin, shpëtimin dhe lavdërimin e përjetshëm. Mëkati fillestar i njeriut, burimi i të gjitha halleve të tij, prishjes dhe vdekjes, është dështimi i tij për të falenderuar Perëndinë. Restaurimi i Kungimit me Perëndinë dhe me tërë krijimin në Të, bëhet nëpërmjet falenderimit në Krishtin. Jisui është i vetmi njeri, me të vërtetë mirënjohës, i përunjur dhe i bindur tek Perëndia. Në të, si në të vetmin Bir të Dashur të Perëndisë dhe në të vetmin Adam të përsosur, të gjithë njerëzit mund të ngrenë lart zemrat dhe të falenderojnë Zotin: “Sepse… një i vetëm është ndërmjetësi ndërmjet Perëndisë dhe njerëzve, Njeriu Krisht Jisu, që dha veten si pagim për të gjithë… (1 Timotheu 2:5-6).
Mbas ngritjes lart të zemrave dhe falenderimit ndaj Perëndisë, prifti thotë lutjen e Anaforës së shenjtë: Të ka hije dhe është e drejtë të të himnojmë, të të bekojmë, të të falenderojmë, të të falemi në çdo vend të zotërimit tënd. Se ti je Perëndi, që s’mund të të shprehim, që s’mund të të kuptojmë; qe je i padukshëm, që s’të arrin mendja jonë, që je gjithnjë, që je i njëjti. Ti dhe Biri yt i vetëmlindur dhe Shpirti yt i Shenjtë. Ti nga e mosqena në të qenët na solle; dhe kur ramë na ngrite përsëri; dhe nuk pushove së bëri çdo gjë, gjersa na shpure lart në qiell dhe na fale mbretërinë tënde të ardhshme. Për të gjitha këto të falenderojmë Ty dhe Birin tënd të vetëmlindur dhe Shpirtin tënd të Shenjtë, për të gjitha ato që dimë dhe ato që s’dimë, për mirëbërësitë e dukshme dhe të padukshme që na janë bërë. Të falenderojmë dhe për këtë meshë, që denjove t’a pranosh nga duart tona, ndonëse qëndrojnë pranë teje mijëra kryeengjëj dhe dhjetëra mijëra engjëj, keruvimet dhe serafimet me gjashtë krahë, me shumë sy, që qëndrojnë në erë, që fluturojnë, duke kënduar himnin triumfal, duke britur, duke thirrur dhe duke thënë: Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Sabaoth, qielli e dheu janë plot me lavdinë tënde: Hosana Ti më të lartat. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana Ti në më të lartat!
Në këtë pikë të Meshës Hyjnore, falenderimi i njeriut ndaj Perëndisë Atit, për gjithçka që ai ka bërë në Krishtin dhe Frymën, arrin kulmin e tij. Njeriu në Perëndinë i kujton të gjitha gjërat dhe është mirënjohës ndaj Perëndisë. Përkujtimi dhe falenderimi i tij e çon atë në praninë e Mbretërisë, tek Froni i Atit, duke kënduar Himnin Trishenjtor së bashku me koret e engjëjve (Isaia 6:1-5). Nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, njeriu i besës transportohet në frymë, për të qenë me Zotin e tij. Kufizimet e kësaj jete janë lënë mbrapa nëpërmjet përkujtimit mirënjohës të Krishtit dhe të shpëtimit të kryer nga ai. Kështu, lutja eukaristike vazhdon duke e përqendruar tërë vëmendjen në atë Njeri dhe në atë natë, në të cilën Biri Hyjnor dha vetveten si ushqim për besnikët, duke e blatuar vetveten si therore për jetën e botës.
Edhe ne, o Zot njeridashës, bashkë me këto fuqi të lumura, thërresim e themi: I shenjtë dhe i terëshenjtë je, Ti dhe Biri yt i vetëmlindur dhe Shpirti yt i Shenjtë. I shenjtë dhe i tërëshenjtë je dhe madhështore është lavdia jote; Ti që e deshe botën tënde, aq sa edhe Birin tënd të vetëmlindur e dhe, që çdo njeri që beson tek ai të mos humbasë po të këtë jetë të amëshuar; i cili erdhi dhe plotësoi gjithë misionin hyjnor për ne, natën që dorëzohej ose më mirë dorëzonte veten e Tij për jetën e botës, si mori bukën në duart e Tij të shenjta, të pacënuara dhe të papërlyera, si falenderoi dhe e bekoi, e shenjtëroi, e theu dhe ua dha nxënësve dhe Apostujve të Tij të shenjtë, duke thënë: “Merrni, hani, ky është trupi im, që thyhet për juve për ndjesën e mëkateve”. Amin. Gjithashtu dhe potirin pas darkës, duke thënë: “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im i Dhiatës së Re, që derdhet për juve dhe për shumë, për ndjesën e mëkateve”. Amin. Duke kujtuar, pra, këtë porosi shpëtimtare dhe gjithë sa janë bërë për ne, kryqin, varrin, ngjalljen e triditshme, të ngjiturit në qiejt, të ndenjurit në të djathtë, ardhjen e dytë të lavdëruar, Të tuat nga të tuat, Ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha!
Ndërsa kremtuesi intonon fjalët e fundit, të cilat shpallin se gjithçka që është blatuar tek Ati është e Tij – sepse çdo krijesë dhe tërë krijimi janë të Tij, së bashku me Birin e Tij të Dashur dhe me Shpirtin e Shenjtë, të cilët janë të pakrijuar dhe hyjnorë – dhuratat eukaristike janë ngritur dhe lartësuar drejt qiejve. Kjo është shenjë që besnikët janë lartësuar së bashku me Zotin e tyre në Mbretërinë e Perëndisë. Sepse, Krishti nuk hyri në shenjtërore të bëra me dorë… por në vetë qiellin, për të dalë tani përpara Perendise për ne… ne jemi shenjtëruar nëpërmjet blatimit të trupit të Jisu Krishtit, që u bë një herë e për të gjithë… sepse kur Krishti dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, ndenji në të djathtë të Perëndisë… sepse me një blatim të vetëm, ai i bëri të përsosur përgjithnjë, ata që shenjtërohen (Hebrejtë 9:24; 10:10-14).
Tani, qiejtë e dheu janë përzier në një dhe janë mbushur me lavdinë e Perëndisë. Kohët e kaluara dhe ato të ardhshme janë bashkuar në një. Nata, darka, kryqi, varri, ngjallja, ngjitja, mbretëria e ardhshme… të gjitha janë të shkrira së bashku në momentin eukaristik të Meshës Hyjnore. Njeriu është me Perëndinë në një Kungim Hyjnor që nuk është “i kësaj bote”. Tërë kufijtë e kohës dhe të hapësirës janë thyer. Muret e ndarjes janë shembur krejtësisht. Mëkatet e njeriut janë falur në Krishtin, janë larë papastërtitë e tij dhe është shëruar prishja e tij. Natyra e tij e vdekshme është restauruar në përjetësinë me Perëndinë dhe njerishmëria e tij e krijuar, është mbushur me Hyjnishmërinë e Pakrijuar të Trinisë së Tërëshenjtë. Tani ka mbetur vetëm të vuloset ky veprim me thirrjen e Shpirtit të Perëndisë.