Mbas ngritjes lart të dhuratave eukaristike tek Ati, kremtuesi i Meshës Hyjnore lutet që Shpirti i Shenjtë të zbresë mbi ato dhe mbi gjithë popullin dhe të ndryshojë (ose siç thuhet në Meshën e Shën Vasilit të tregojë) bukën dhe verën e blatuar në kujtim të Krishtit, në Trupin dhe Gjakun e Zotit. Lutja për zbritjen e Shpirtit të Shenjtë është konsideruar nga Kisha Orthodhokse si një pjesë themelore e Meshës Hyjnore. Ajo është quajtur thirrja (greqisht epiklisis, që do të thotë të thërrasësh mbi diçka).
Kisha Orthodhokse beson, siç edhe lutet, që Shpirti i Shenjtë është gjithmonë “kudo dhe i mbush të gjitha”. Thirrja e Shpirtit Shenjtë në Meshën Hyjnore është pohimi solemn që gjithçka në jetë, e cila është pozitive dhe e mirë, është kryer nga Shpirti i Perëndisë. Krijimi, shpëtimi, lavdërimi i përjetshëm; tërë vepra e Perëndisë në bërjen dhe shpëtimin e botës, është kryer me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Ai zbriti e banoi në Jisuin duke e bërë atë Krisht. Me anë të tij, Krishti u mishërua nga Virgjëresha Mari. Ai e udhëhoqi Krishtin në kryq si një Therore e pafajshme dhe e ngjalli së vdekurish si një Fitimtar triumfues. Ai garanton banimin e Perëndisë tek njerëzit në Kungimin e Shenjtë të Kishës dhe në jetën e Mbretërisë së ardhshme.
Të blatojmë këtë therore shpirtërore e të pagjakshme dhe lypim prej Teje, të lutemi e të përulemi; dërgo Shpirtin tënd të Shenjtë mbi ne dhe mbi këto Dhurata që ndodhen përpara. Dhe bëjë këtë Bukë, Trup të çmuar të Krishtit tënd. Dhe atë që është në këtë Potir, bëje Gjak të çmuar të Krishtit tënd. Duke i ndryshuar me anën e Shpirtit tënd të Shenjtë. Që të bëhen për ata që kungohen, gatishmëri shpirti, ndjesë mëkatesh, Kungim i Shpirtit tënd të Shenjtë, përmbushje të mbretërisë së qiejve, paraqitje pa ndrojtje përpara Teje, jo për gjykim a për dënim.