Kungata e Hyjnuar blatohet në kujtim të Krishtit “Bëjeni këtë për kujtimin tim”. Duke përkujtuar Krishtin dhe duke i blatuar të gjitha gjërat tek Perëndia, në dhe nëpërmjet tij, Kisha është e mbushur me praninë e Shpirtit të Shenjtë. Në Meshën Hyjnore Shpirti i Shenjtë zbret “mbi ne dhe mbi dhuratat e blatuara”. Gjithçka mbushet me Mbretërinë e Perëndisë. Në Mbretërinë e Perëndisë asgjë nuk harrohet. Gjithçka kujtohet dhe bëhet e gjallë. Kështu, në këtë moment të Meshës Hyjnore besnikët duke kujtuar Krishtin, përkujtojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha gjërat në të, veçanërisht nënën e Krishtit, Hyjlindësen e Shenjtë, si dhe të gjithë shenjtorët.
Eshtë e rëndësishme të theksohet këtu, që, meqenëse Mesha Hyjnore është prania dhe fuqia reale e ngjarjes shpëtimtare unike të Krishtit për popullin e tij, në tërë aspektet dhe elementet e shumta të saj, ajo blatohet gjithmonë për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për të shpëtuar. Kështu, therorja liturgjike blatohet për Marinë dhe tërë shenjtorët, si dhe për tërë Kishën dhe tërë universin e krijimit të Perëndisë. Gjithashtu, po të blatojmë këtë therore shpirtërore edhe për ata që janë prehur me besë, stërgjyshërit, etërit, patrikët, profetët, apostujt, predikuesit, ungjillëzuesit, martirët, konfesorët, asketët dhe për çdo shpirt të drejtë që ka ndërruar jetë me besë. Veçan për të Tërëshenjtën, të pacënuarën, të përmbibekuarën, të lavdëruarën, Zonjën tonë Hyjlindëse dhe gjithmonë Virgjërën Mari.
Ndërsa kori këndon një himn për Hyjlindësen, i cili ndryshon gjatë vitit kishtar, sipas kremtimeve të ndryshme, kremtuesi temjanis dhuratat e shenjtëruara dhe vazhdon t’i kërkojë Perëndisë të kujtojë Shën Joan Pagëzorin, shenjtin e ditës, besnikët e parafjetur, tërë Kishën dhe tërë botën. Pastaj kujtohet peshkopi i Kishës dhe populli i përfundon përkujtimet me fjalët: Dhe të gjithë e të gjitha. Pastaj vazhdohet me lutje për qytetin, vendin, udhëtonjësit, vuajtësit, robërit, bamirësit e Kishës, për ata “që kujtojnë të varfërit” dhe për tërë popullin. Gjithashtu, në këtë pikë të Meshës mund të kujtohen me emër personat që kanë nevojë për mëshirë të veçantë nga Perëndia. Në Meshën e Shën Vasilit, e cila në përgjithësi është më e gjatë dhe më e detajuar se kjo e Shën Joan Gojartit, përkujtimet janë shumë specifike dhe të shumta.
Eshtë e nevojshme të kujtojmë përsëri, që përkujtimi në Kishën Orthodhokse dhe në veçanti kujtimi i Perëndisë dhe prej Perëndisë, ka një kuptim të veçantë. Sipas besimit orthodhoks, shprehur dhe zbuluar në Shkrimin e Shenjtë dhe në Meshë, kujtimi hyjnor do të thotë lavdi dhe jetë, ndërsa harresa hyjnore do të thotë prishje e vdekje. Në Krishtin, Perëndia kujton njeriun dhe botën e tij. Duke kujtuar Krishtin, njeriu kujton Perëndinë dhe Mbretërinë e Tij. Kështu, përkujtimet në Meshën Hyjnore janë në vetvete një formë e Kungimit të gjallë ndërmjet qiellit dhe tokës.