Mbas përkujtimeve, populli i lutet Perëndisë që t’i lejojë ata ta adhurojnë atë “me një gojë dhe me një zemër”. Pastaj, prifti bekon popullin që të jenë me të “mëshirat e Perëndisë së Madhe dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht”; dhe “mbasi kujtuam gjithë shenjtorët” thuhet një litani, në të cilën i kërkohet Perëndisë që t’i marrë dhuratat eukaristike “në altarin e tij qiellor” dhe “të na dërgojë si shpërblim hirin e tij hyjnor dhe dhuratën e Shpirtit të Shenjtë”. Duke e mbaruar litaninë me lutjen për “bashkimin e besës dhe Kungimin e Shpirtit të Shenjtë”, besnikët ia parashtrojnë jetët e tyre Krishtit, duke i kërkuar që “pa ndrojtje dhe pa dënim të guxojmë të thërresim Atë, Ty Perëndinë qiellor e të themi: “Ati ynë që je në qiejt…”.
Në Dhiatën e Vjetër, Populli i Perëndisë nuk guxonte t’i drejtohej Perëndisë në lutje me emrin intim Atë. Vetëm në Krishtin dhe për shkak të Krishtit njeriu mund ta ketë këtë guxim. Vetëm të krishterët mund ta përdorin me vend Lutjen Zotërore, e cila iu mësua atyre nga Biri i Perëndisë. Vetëm ata që kanë vdekur dhe janë ngjallur me Krishtin në Pagëzim dhe kanë marrë fuqinë të bëhen bij të Perëndisë, me anë të Shpirtit të Shenjtë në Mirosje, janë të aftë t’i afrohen Perëndisë së Gjithpushtetshëm si Atit të tyre (Joani 1:12; Mattheu 6:9; Romanët 8:14; Galatianët 4:4).
Në Kishën e vjetër, Lutja Zotërore u mësohej njerëzve vetëm mbasi ata ishin bërë anëtarë të Kishës nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes. Pikërisht, para marrjes së Kungatës së Shenjtë “për faljen e mëkateve, Kungimin e Shpirtit të Shenjtë dhe për trashëgimin e Mbretërisë së qiejve”, besnikët, të cilët janë bërë bijtë e Perëndisë në Krishtin dhe në Shpirtin, ushtrojnë dhuratën e tyre të birërisë në Shpëtimtarin. Ata guxojnë t’i luten Perëndisë si Atit të tyre.