Mbas lutjes Ati ynë, bijtë e Perëndisë marrin Kungatën e Shenjtë. Kremtuesi i jep paqen e Krishtit popullit dhe me kryet e ulura luten së bashku, që të jenë të denjë të marrin pjesë në Kungatën e Shenjtë. Kremtuesi lutet që Vetë Krishti të dënjojë të na japë Trupin dhe Gjakun e Tij. Vër re, o Zot Jisu Krisht, Perëndia ynë, nga banesa jote e shenjtë dhe nga froni i lavdisë së mbretërisë sate dhe eja të na shenjtërosh, Ti që rri lart bashkë me Atin dhe që je këtu padukurisht bashkë me ne. Dhe me dorën tënde të fuqishme denjo të na japësh Trupin tënd të pacënuar dhe Gjakun tënd të çmuar dhe me anën tonë gjithë popullit.
Pastaj, Qengji i Shenjtëruar ngrihet me thirjen: Të shenjtat, të shenjtëve. Populli përgjigjet: Një është Shenjt, një është Zot, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë Atit. Amin. Prifti e copëton Qengjin në katër pjesë, sipas mënyrës që ishte prerë në Proskomidhi. Një pjesë e bukës së shenjtëruar (IS) vendoset në Potir së bashku me një kupë uji të nxehtë që simbolizon karakterin e gjallë të Krishtit të Ngjallur, trupi dhe shpirti i të cilit janë bashkuar dhe mbushur me Shpirtin e Shenjtë, në jetën e lavdëruar të Mbretërisë së Perëndisë. Pastaj kleri merr Kungatën nga buka (XC) dhe pi verë prej Potirit të shenjtë. Ndërsa kleri po merr Kungimin, populli këndon disa vargje Kungimore të veçanta, të cilat ndryshojnë sipas kremtimit. Ata mund të këndojnë edhe himne dhe tropare të tjerë, sipas kremtimeve dhe sidomos kur Kungimi i klerikëve zgjat shumë.
Besnikët e marrin Kungatën e Shenjtë në një lugë të posaçme. Atyre iu jepet buka e shenjtëruar (NIKA) dhe vera e shenjtëruar. Kungimi i besnikëve bëhet gjithmonë nga dhuratat e blatuara dhe të shenjtëruara të asaj Meshe të Shenjtë. Kungata e Shenjtë nuk merret kurrë nga ndonjë “rezervë”. Siç e kemi përmendur, të gjithë ata që janë anëtarë të Kishës nëpërmjet mistereve të Pagëzimit dhe të Mirosjes, duke përfshirë dhe foshnjet, mund të marrin pjesë në Kungatën e Shenjtë.
Gjatë marrjes së Kungimit populli këndon: Në darkën tënde mistike, o Bir i Perëndisë merrmë sot pjesëtar… Kurse gjatë periudhës së Pashkës këndojnë:Kungoni Trupin e Krishtit, shijoni prej burimit të pavdekshëm. Aliluia. Në përgjithësi, më përpara se të merret Kungimi, thuhet lutja e mëposhtme nga të gjithë. Ky është akti personal i besës së secilit ndaj Krishtit dhe ndaj Mistereve të Shenjta të Kishës së tij: Besoj, o Zot dhe pohoj se Ti je me të vërtetë Krishti, i Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë të shpëtosh mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë (Shih 1 Timotheu 1:15). Gjithashtu, besoj se ky është vetë Trupi yt i pacënuar dhe ky është vetë Gjaku yt i çmuar. Të lutem pra, mëshiromë dhe falmi fajet… Dhe bëmë të denjë që të marr pjesë pa dënim në Misteret e tua të pacënuara, për ndjesën e mëkateve dhe për jetën e amëshuar.
Në darkën tënde mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar; se nuk do t’ua them armiqve të tu misterin; nuk do të jap të puthur si Juda; por duke të pohuar si kusari thërres: kujtomë, o Zot, në mbretërinë tënde. O Zot, njeridashës, Zoti Jisu Krisht, Perëndia im, të mos jenë për dënimin tim këto të shenjtat mbasi jam i padenjë, por për pastrim dhe shenjtërim të shpirtit dhe trupit dhe për sigurim të jetës dhe mbretërisë së ardhshme.